Bismilah...

Autor: Muhamed Tekijuddin el-Hilali (1311 h – 1407 h, 1893 – 1987)

Burimi: et-Takaddum ue er-Rexhijeh, fq. 12-13

 

Shejkh Tekijuddin el-Hilali, Allahu e mëshiroftë, ka thënë:

“Joseph McCabe kur e përshkruan prapambeturinë e evropianëve përpara se Muslimanët të çlironin Andaluzinë, thotë: ‘Dije se qytetet kryesore të Evropës nuk kishin kanalizime të ujërave të zeza edhe pasi që kishin kaluar 600 vite që nga ajo datë, pra nga viti 756-1356. Ujërat e zeza rridhnin nëpër rrugët e Parisit dhe Londrës, shtoja kësaj edhe faktin që rrugët e tyre as që ishin të shtruara me kalldrëm... kurse qytetet e Muslimanëve në Andaluzi rrugët i kishin të shtruara dhe të ndriçuara natën; në këto qytete kishte edhe kanale të ujërave të cilat ishin ndërtuar në mënyrën më të mirë që në mesin e shekullit të 10-të.

(Michael) Scott thotë: ‘Në Valencia disa kanale të nëndheshme të ujërave të zeza ishin aq të gjëra saqë e nxinin një makinë, kurse tuneli më i ngushtë e nxinte një gomar. Rrugët ishin të gjitha të shtruara dhe me vija ndarëse. Kështu ishte edhe sistemi shëndetësor unik i tyre i cili gjente përkrahje nga higjiena publike, të cilët amerikanët në këtë kohë e shohin si obligim, kurse në atë kohë sistemi shëndetësor në sytë e evropianëve ishte një nga çudirat e avancimit të përkryer. Vetëm në qytetin e Kordovës kishte 900 banjo publike dhe kishte edhe shumë banjo private, kurse në pjesën tjetër të Evropës s’kishte as edhe një banjo publike; borgjezët dhe klasa e feudalëve ishin të zhytur në pisllëk dhe papastërti deri në atë gradë saqë njeriu nuk i përshkruante dot. Evropa nuk dinte se çfarë është veshja e këmishës, derisa e morën modën e veshjes së këmishëve nga Muhamedanët dhe Evropa as që prodhonte në atë kohë tapete dhe shtroja.

Barishtet i mbulonin pallatet e mbretërve dhe foltoret e klasave; njerëzit dhe qentë i ndotnin vendet publike deri në atë gradë saqë nuk gjeje fjalë t’i përshkruaje; askush nga ata nuk mbante një mindil në xhep; në Evropë asnjë mbreti të Krishterë nuk i shkonte ndërmend që të ketë kopsht, kurse në Spanjën arabe njerëzit e të gjitha shtresave punonin dhe shpenzonin pasuri për zbukurimin e kopshteve të bukura e me erë të këndshme; uji i shatërvanëve rridhte në oborre, pallate dhe vendet publike; në oborrin e Xhamisë së Madhe në Kordovë ka dy vaska të mëdha e të bukura prej mermeri të cilat e zbukurojnë këtë oborr, prej ku namazfalësi merrte abdes para se të futej në xhami.

 

Përktheu: Jeton Shasivari