Bismilah...

Fillimisht them: Ky përngjasim që ka bërë ky person, tregon për injorancën e tij. Si mund të krahasohen el-Hafidh ibën Haxheri dhe Neueuiju me njerëz si Turabi, Gazaliu dhe Kardavi. Si mund të krahasohen llumi me yjet!? Si mund të krahasohen gjurmët me devenë!?

Ata (Ibën Haxheri dhe Neueuiju) e donin Sunetin, e shpjeguan dhe e sqaruan atë, kurse interpretimet që bënë dhe gabuan, janë pak në krahasim me çështjet e Islamit që i sqaruan. Dijetarët vazhdimisht kanë përfituar nga fjalët e tyre, madje tekstet e Kuranit dhe Sunetit i kuptonin në bazë të sqarimeve dhe shtjellimeve të tyre, sepse vërtet ata kanë qenë njerëz të diturisë me plot meritë.

Sa u përket këtyre bashkëkohorëve, si Turabi, Gazaliu, Kardavi, Tilmisani dhe tjerë si puna e tyre, janë koka që u bëjnë thirrje njerëzve që mos të kapen pas Sunetit dhe që ta braktisin atë. Prandaj, në këtë rast bëhet dallim midis atyre që gabojnë dhe nuk ia qëllojnë në një çështje të fesë, apo në çështje dytësore të fesë, apo për një a dy çështje të akides dhe midis atyre që kanë kundërshtime në bazat e fesë. Këta nuk i japin Teuhidit pozitën e duhur dhe nuk krenohen me të. Përkundrazi, njerëzit e Teuhidit kanë pësuar dëmin më të madh nga ata, gjë e cila duket ashiqare. 

Gjendja e Turabit është e njohur për të gjithë. Ai thoshte: “Është obligim që të ketë reforma në bazat e Islamit, reformim të Usul-Fikhut. Dijetarët janë pajtuar që bazat e Usul-Fikhut të kuptohen në bazë të këtyre parimeve, por kjo nuk do të thotë që ne e kemi detyrë t’i kuptojmë ato siç i kuptuan ata. Në këtë kohë, e kemi obligim që të vendosim parime të reja të Fikhut me të cilat do ta kuptojmë Kuranin dhe Sunetin që përshtatet me kohën tonë.”

Gazaliu e refuzon Sunetin nëse ai bie ndesh me logjikën dhe kuptimin e tij. Të njëjtën metodë ndjek edhe Kardavi, edhe pse nuk shfaqet ashtu siç shfaqet Gazaliu.

Tilmisanij nuk e njeh Teuhidin e adhurimit, nuk e njeh Sunetin dhe është shumë i ngatërruar dhe i pështjelluar në këto tematika.

Nuk është për t’u çuditur! Këta të katër dhe të tjerë që ndjekin rrugën e këtyre, kanë dalë nga po e njëjta medrese, e ajo është medreseja e Ikhuanul-Musliminëve. Kjo medrese është njohur për bazat dhe çfarë metodologjinë që ka. Prandaj, nuk është për t’u habitur që të nxjerrë njerëz si këta në të ardhmen! Nuk është çudi që te ekzistojnë njerëz të tillë në këtë kohë përderisa janë edukuar sipas bazave të asaj medreseje!

Kështu që, t’i refuzosh ata dhe parimet e tyre është obligim, sepse ata i devijojnë të rinjtë në emër të davetit. Të rinjtë i madhërojnë ata në emër të asaj se ata janë thirrës për në Islam.

E sa për Hafidh Ibën Haxherin dhe Neueuijun, nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që dikush (nga Ehli Suneti) t’i mbrojë ata në ndonjë çështje të akides që ata kanë gabuar duke u “argumentuar” se Ibën Haxheri ka thënë kështu apo Neueuiju ka thënë ashtu. Gabimet e tyre mbeten në kohën e tyre, kurse njerëzit kanë vazhduar të përfitojnë nga dituria e tyre e bollshme dhe kuptimet e tyre të ndritura.

Prandaj, këta nuk mund t’i krahasosh me ata tjerët dhe nuk lejohet t’i vendosësh në rangun e tyre. Kurrsesi të mos krahasohet llumi me yjet.

 

Përktheu: Jeton Shasivari