Bismilah...

Autor: Shejkh Sulejman Rruhajli

 

 

Pyetje: Allahu u dhëntë mirësi! Ky pyetës thotë: a i lejohet Muslimanit që të flasë kundër prijësit të një shteti tjetër dhe të sqarojë gabimet dhe padrejtësinë e tij?

 

Përgjigje: Pasha Allahun, nuk e di përse njerëzit jepen pas kësaj gjëje?! Parimi sheriatik është se kush bëhet udhëheqës i Muslimanëve, është detyrë që të ndalen gjuhët dhe të mos flitet kundër tij. Ky është parim. Kush bëhet udhëheqës i Muslimanëve, është detyrë që të ndalen gjuhët dhe të mos flitet kundër tij. Këtë fjalë (që përmendi pyetësi) kanë filluar ta përhapin disa njerëz – po flas hapur dhe qartë – mbasi që Ikhuanët morën pushtetin në Egjipt! Ndonëse para se të ndodhte kjo askush nuk e thoshte këtë gjë, ndonëse ka udhëheqës në disa shtete që janë shumë të këqij! Ama gjithsesi duhet mbajtur gjuha që të mos flitet kundër udhëheqësve, për shkak të dëmeve që shkaktohen. Pastaj, disa njerëz sot kanë filluar t’i mëshojnë çështjes se ai nuk është udhëheqësi i vendit të tij! Në rregull, por kjo bëhet shkas që të shahen udhëheqësit.

 

Unë jam në Kuvajt dhe dua që të shaj udhëheqësit e mi dhe për këtë u kërkoj njerëzve në Egjipt që të shajnë udhëheqësin tim.

 

Unë jam në Saudi dhe dua që të shaj udhëheqësit e mi dhe për këtë u kërkoj njerëzve në Kuvajt që të shajnë udhëheqësin tim dhe them: ata nuk e kanë harram që të shajnë udhëheqësin tim!

 

Pra, kjo është rrugë që të shpie tek ajo që Allahu e ka bërë harram. Dhe nga ana tjetër, kjo është rrugë që përhap urrejtje dhe inate midis Muslimanëve. Sepse nëse flasin banorët e Kuvajtit për udhëheqësin e Emirateve, kurse banorët e Emirateve flasin për udhëheqësin e Saudisë, nga kjo gjë do të lindë urrejtja midis popujve dhe do të fillojnë të shajnë e të ofendojnë udhëheqësit përkatës, pastaj do fillojnë edhe popujt të shajnë njëri-tjetrin.

 

Kjo gjë përmban dëm shumë të madh, prandaj ne themi se e kemi detyrë që t’i përmbahemi fortë parimit sheriatik, i cili është: se nëse dikush bëhet udhëheqës i një prej shteteve të Muslimanëve, ne duhet të mbajmë gjuhët tona që të mos flasim për të. Dhe kush ka ndonjë këshillë, duhet që ta përcjellë atë në përputhje me parimin sheriatik. Natyrisht, ka dallim midis të folurit kundër udhëheqësit dhe të folurit kundër xhematit, si për shembull, kur njeriu flet kundër xhematit “el-Ikhuan el-Muslimun” dhe sqaron gabimet dhe shkeljet e shumta të këtij xhemati ndaj parimeve të sheriatit, kjo gjë nuk është e ndaluar. Mirëpo të kalosh tek udhëheqësi i një shteti të caktuar dhe të flasësh për të, për shkak se ne nuk jemi të kënaqur me menhexhin e tij apo për gjëra të ngjashme, kjo s’ka dyshim që bie ndesh me parimet e sheriatit. Dhe Allahu e di më së miri.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Alban Malaj