Bismilah...

Autor: Imam Muhamed Nasiruddin el-Albani

Burimi: Silsiletul-Huda uen-Nur, kaseta 274, min. 50:30

Pyetje: Te ne, në fund të muajit të Ramazanit, shtohen polemikat rreth zekatul-fitrit. Ka njerëz që e kanë të lehtë ta nxjerrin atë në të holla dhe ka disa imamë të cilët thonë se patjetër ta nxjerrin atë nga ushqim i zakonshëm i njerëzve. Cili është mendimi juaj?

Shejkh Albani: Çfarë thonë disa imamë?

Pyetësi: Nga ushqimi i banorëve të vendit, qoftë ai grurë, oriz apo hurma.

Shejkh Albani: Po! Po! Pa dyshim se të parët e kanë gabim: ata që thonë se lejohet nxjerrja e zekatul-fitrit në të holla, këta gabojnë, për shkak se e kundërshtojnë tekstin e hadithit të të Dërguarit – ‘alejhi salatu ue selam – të cilin e transmetojnë dy shejkhat (Buhariu dhe Muslimi) në dy Sahihat e tyre nga hadithi i Abdullah ibën Umer bin Khattabit – radijAllahu anhuma – të cilët kanë thënë:

“I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e bëri obligim sadakatul-fitrin një sa’a me hurma ose një sa’a me elb ose një sa’a me djathë të fortë.”

Pra, i Dërguari – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e përcaktoi këtë obligim si nënshtrim ndaj urdhrit të Zotit të tij, jo në të holla, porse ushqim nga ai që e hanin njerëzit e vendit në atë kohë.

Domethënia e hadithit është se qëllimi me këtë (zekatul-fitrin) nuk është begatimi i njerëzve të varfër dhe skamnorë duke i veshur ata me rroba të reja e të pastra, e të tjera, por qëllimi është pasurimi i tyre me ushqim dhe pije për atë ditë (të Bajramit) dhe për ditët tjera që do vijnë pas Bajramit. Kur them pas Bajramit, me këtë kam për qëllim se dita e ndërprerjes së agjërimit është Bajrami, kurse dita e dytë, e treta, këto nuk janë ditë të Bajramit në asnjë mënyrë. Fitër Bajrami është një ditë, ndërsa Kurban Bajrami është katër ditë.

Kështu që, qëllimi i obligueshmërisë së sadakatul-fitrit me këtë ushqim të zakonshëm në ato ditë është pasurimi i të fukarenjve dhe skamnorëve në ditën e parë të Fitër Bajramit, si dhe për ditët më vonë, qofshin ato të gjata apo të shkurtra. Kur vjen një person dhe thotë: “Jo! Do ta nxjerrim vlerën e kësaj, kjo është më e dobishme për të varfrin.” Ky gabon dy herë.

Herën e parë: e ka kundërshtuar tekstin (e hadithit), dhe kjo është çështje adhurimi. Kjo është e pakta që mund të thuhet.

Por aspekti (hera) e dytë është shumë e rrezikshme, ngase kjo do të thotë që Ligjvënësi i Urtë – e Ai është Zoti i botëve – kur i ka shpallur Pejgamberit të Tij fisnik që ta obligojë ummetin e tij me dhënien e një sa’a me ushqim nga këto ushqime, nuk paska qenë i vetëdijshëm dhe nuk e paska ditur se çfarë ju bën dobi fukarenjve dhe skamnorëve, siç e “dinë” këta që pretendojnë se nxjerrja e vlerës (së zekatul fitrit) është më mirë.

Sikur të ishte më mirë nxjerrja e tij ne vlerë, ajo do të ishte baza dhe do ta zëvendësonte ushqimin, sepse ai që ka para di ku t’i shpenzojë në varësi të nevojës së tij. Nëse ka nevojë për ushqim blen ushqim, nëse ka nevojë për pije blen pije; nëse ka nevoje për rroba, i blen rroba. Kështu që, përse Ligjvënësi (Allahu) hoqi dorë nga obligimi i dhënies në vlerë apo dirhemit e dinarit dhe e obligoi atë në ushqim? Atëherë kjo ka një qëllim. Për këtë arsye, e përcaktoi atë që është obligim, e që është ushqimi nga këto lloje që janë përmendur tekstualisht në këtë hadith dhe të tjerët.

Andaj, shmangja e disa njerëzve nga zbatimi i tekstit deri tek zëvendësimi, e që janë paratë, kjo është akuzim ndaj Ligjvënësit (Allahut) se ai nuk e zotëron ligjvënien dhe se ligjvënia e tyre (e njerëzve) na qenka më e mirë dhe më e dobishme për të varfrin. Nëse ai e ka këtë qëllim, ka bërë kufër (ka dalë nga Islami). Porse ata nuk e kanë këtë qëllim gjë, por janë të shkujdesur dhe flasin me fjalë që janë plotësisht gabim.

Andaj, nuk lejohet që të nxirret vetëm se atë që e ka përmendur tekstualisht Ligjvënësi i Urtë, e që është ushqimi në çdo situatë. Këtu kemi një vërejtje që duhet përmendur patjetër. Ligjvënësi i ka obliguar disa nga këto lloje të ushqimeve sepse këto njiheshin në kohën e Profetësisë dhe Misionit, porse sot ka ushqime që nxirren nga po këto ushqime. Sot, nuk ka kush ta hajë tërshërën, madje nuk ka kush që të hajë grurin apo drithin, ngase drithi kërkon një gjë tjetër, të ketë mulli dore, të ketë qyp të vogël ose të madh, siç ekziston akoma në disa fshatra. Kur këto ushqime futen në gjykimin e asaj që lihet dhe braktiset, atëherë është obligim që të nxjerrim një (lloj tjetër) të ushqimit në vend të tij (ushqimeve të përmendura në hadith), e jo në parà, ngaqë kur neve e nxjerrim një ushqim në vend të një ushqimi tjetër, atëherë ne ecim sipas Sheriatit për ato lloje ushqimesh që njiheshin e që u ligjësuan në atë kohë.

Por, nëse ne themi: të nxjerrim diçka tjetër në vend të tij, e ato janë paratë, atëherë i bie se Ligjvënësi i Urtë nuk e zotëroka ligjvënien. Ngase të gjithë ne themi prerazi se paratë kanë përdorim më të gjerë se çdo lloj ushqimi tjetër. Kur shikojmë se Ligjvënësi i Urtë e ka bërë obligim ushqimin dhe shohim se ky ushqim nuk konsumohet sot, atëherë duhet që ta zëvendësojmë me një ushqim tjetër, në vend tij si p.sh. orizi. Cila shtëpi sot është e panevojshme për oriz? Asnjë. As i varfri e as i pasuri.

Kështu që, në vend të grurit, çojmë orizin, çojmë sheqerin ose bollgurin apo të tjera nga ajo që është ushqim. Nëse disa hadithe përmendet djathi i fortë (el-akt) të cilin ju e quani këtu si xhamiid.

Pyetësi: Prodhim qumështi.

Shejkh Albani: Prodhim qumështi i ngurtë. Mundet që njeriu të nxjerr nga ky ushqim, por për neve që jemi në Siri nëpër qytete, djathi i fortë (xhemid) nuk njihet, porse njihet në shumë fshatra. Nëse njeriu u jep të varfëve dhe skamnorëve djathë të fortë, kjo është në rregull. Kjo kërkon një farë lloj dije se ky person a e përdor djathin e fortë apo jo? Ajo që mendoj unë është se ai përdoret. Po ashtu në disa hadithe përmenden hurmat, por unë besoj se hurmat në këtë vend (Siri) nuk konsumohen shumë, ashtu siç konsumohen ne Saudi për shembull. Atje këto janë ushqim i mjaftueshëm, dhe ndoshta ju mjafton si ushqim ndaj shumë ushqimeve tjera.

E rëndësishme, është detyrë që të niset nga origjina: të nxirret diçka nga këto ushqime që janë përmendur në këtë hadith e të mos nxirret ushqim tjetër në vend të tij, përveç nëse nuk ka përreth tij fukarenj dhe skamnorë që hajnë nga ky ushqim, e që është – siç thamë: djathi i fortë, hurmat, po ashtu rrushi i thatë. Rrushi i thatë hahet tek ne, porse nuk është ushqim i qëndrueshëm, me të cilin ushqehen. Ajo që besojmë se është më mirë – Allahu e din më së miri – është që të nxirret oriz apo të ngjashëm. Po ashtu thamë bollguri, ferikah (lloj gruri i gjelbër që mblidhet para së të piqet). Pra, këto janë ushqime që i hanë të gjitha shtresat njerëzore. Kjo është përgjigja ime për atë që më pyete.

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari

13 Korrik 2015