Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Cili është ai adhurim madhështor i cili pastron pasurinë dhe shpirtin?

 

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

Shtylla e tretë nga shtyllat e Islamit është zekati. Ai është një adhurim që kryhet me dhënien e pasurisë, dhe ai është shtylla e tretë nga shtyllat e Islamit. Allahu e bëri obligim atë në vitin e dytë mbas hixhretit në Medine. Ai duhet të jepet për pasuri të caktuara. Ato janë: dy monedhat: floriri dhe argjendi dhe ato të cilat zëvendësojnë këto të dyja, që janë kartëmonedhat e shteteve. Janë gjithashtu bagëtitë, siç janë lopët dhe delet, si dhe prodhimet e tokës, siç janë drithi dhe frutat. Prej këtyre nxirret Zekati.

Thotë Allahu i Madhëruar e i Lartësuar:

خُذْ مِنْ أَمْوَالِهِمْ صَدَقَةً تُطَهِّرُهُمْ وَتُزَكِّيهِم بِهَا

“Merr prej pasurisë së tyre lëmoshë që t’i pastrosh dhe t'i dëlirësosh ata me të.” [et Teubeh 103]

Zekati është pastrim për paranë dhe është pastrim për shpirtin nga koprracia dhe dorështrëngimi. Ai është një obligim madhështor.

Ndërsa pasuritë e dukshme sikur deveja, dhentë, dhe lopët, ato i dorëzohen prijësit ose atij që ka caktuar ai. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - dërgonte njerëz që të shkonin të mblidhnin zekatin e pasanikëve, që ishin devetë, lopët dhe delet. Ndërsa për sa i përket prodhimeve të tokës, dhënia e zekatit të tyre është lënë në dorën pronarëve, të cilët duhet ta nxjerrin zekatin e prodhimeve të tokës sipas dispozitave dhe kushteve të përcaktuara e që janë të ditura. Nxjerrja e zekatit të pasurisë është obligim. Ai u jepet nevojtarëve, fukarenjve dhe të varfërve, u jepet atyre nga pasuria e pasanikëve. Pasanikëve u është bërë obligim dhënia e lëmoshës. Ajo duhet që të merret nga pasanikët dhe duhet t'u jepet të varfërve.

Kjo është feja islame, një fe e përsosur të cilën Allahu e bëri obligim për robërit e Tij dhe i urdhëroi që ta ndjekin atë. Feja islame ka pesë shtylla, siç dihen. (E para) është shehadeti: nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Tij, (e dyta) është kryerja e Namazit, (e treta) është dhënia e zekatit, (e katërta) agjërimi i Ramazanit dhe (e pesta) Haxhi në shtëpinë e shenjtë të Allahut, për atë që ka mundësi. Kjo është feja Islame me pesë shtyllat e saj.

Islami është që t'i dorëzohesh Allahut me Teuhid dhe t'i nënshtrohesh Atij duke iu bindur, si dhe të distancohesh nga shirku dhe nga ithtarët e shirkut. Kjo është feja islame.

Islami është grada e parë, e më pas vjen Imani, e më pas vjen Ihsani. Këto janë gradat e fesë. Islami është ai që ka pesë shtyllat, të cilat i përmendëm më parë. Kurse Imanin do e shtyjmë për takimin e radhës.

Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org