Bismilah...

Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit

Rituali i Umres dhe vlera e saj në Ramazan

 

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Profetin tonë, Muhamed,  si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

Më pas:

Umreja është obligim një herë në jetë për atë që ka mundësi. Ai që e kryen më shumë se një herë, atëherë ajo është vepër vullnetare. Umreja ka shtylla, që janë: veshja e ihramit, bërja e tauafit dhe sa’ji. Gjithashtu ajo ka shtatë obligime dhe disa sunete.

Umreja është e ligjëruar për t’u bërë në çdo kohë. Kush shkon në Meke, bën nijet dhe vesh ihramin në Mikatin e caktuar që është në rrugën nga e cila do kalojë për të shkuar në Meke. Ndërsa ai që është brenda Mikateve e bën nijetin dhe vesh ihramin nga shtëpia e tij. Ndërsa ai që i kalon Mikatet pa qëllim e nuk do që të bëjë haxh dhe umre, por pastaj ndërron mendje dhe do t’i kryejë, atëherë ai duhet të hyjë në ihram mu aty ku e bëri nijetin, siç ka thënë Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –.

Pra, ai hyn në ihram nga vendi ku bën nijet për haxh apo umre, përveç atij që gjendet në Mekke, sepse ai e bën nijetin dhe vesh ihramin për umre nga zona Tene’im ose Zahir, ose duke dalë jashtë kufijve të Haramit (territori i shenjtë) dhe nuk e bën nga brenda Mekkes, me qëllim që të mund të bashkojë në umren e tij midis daljes nga territori i shenjtë dhe futjes në të. Kështu që, ai duhet të dalë nga kufiri më i afërt që të nxjerrë nga territori i shenjtë, siç është zona Tene’im ose Zahir, si dhe të tjera vende që janë në kufijtë e territorit të shenjtë. Ai duhet të dalë në kufirin e territorit të shenjtë dhe bën nijet dhe vesh ihramin aty për të kryer umren.

Gjithashtu, umreja në ramazan ka vlerë të veçantë e të madhe. Umreja në ramazan është sikur haxhi. Në një hadith Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë: “Ajo është sikur të bësh haxhin me mua.” Pra, umreja në ramazan ka vlerë të veçantë, të madhe.

Nga shtyllat e islamit bën pjesë Haxhi dhe Umreja. Umreja është haxhi i vogël dhe ka vlerë të madhe. Ajo është e ligjëruar gjatë gjithë vitit, jo si haxhi që është i ligjëruar në një kohë të caktuar.

الْحَجُّ أَشْهُرٌ مَّعْلُومَاتٌ

Haxhi kryhet në muaj të njohur e të caktuar.”  [el Bekare, 197]

E ato janë muajt: Sheual, Dhul Kadeh dhe dhjetë ditët e para të muajit Dhul Hixheh. Këto janë muajt e haxhit.

Pra, umreja në ramazan ka vlerë sikur e përmendëm, sepse ka thënë Pejgamberi  - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:  “Umreja në ramazan është sikur haxhi.” Dhe në një transmetim: “Si haxhi i bërë me mua.” Prandaj umreja në ramazan ka vlerë të madhe. Besimtari duhet të përpiqet të kryejë umren në ramazan që të arrijë këtë shpërblim të madh.

Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin  mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen dhe të gjithë Shokët e tij.

 

Përktheu: Abdullah Beqiri

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org