Autor: Salih bin Feuzan el-Feuzan
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit
Rrezikshmëria e gjurmimit të gafave dhe gabimeve që bëjnë njerëzit
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.
Muslimani e ka detyrë që ta ruajë gjuhën e tij, nga ato që e dëmtojnë atë, siç janë thashethemet. Ai duhet të ruhet nga komeditë, nga dëfrimet dhe programet e ulta, nuk duhet të marrë pjesë në to, nuk duhet t’i shikojë ato dhe nuk duhet t’u kushtojë rendësi atyre. Por ai duhet ta ruajë kohën e tij dhe punën e tij, ngase koha e njeriut është ara në të cilën ai mbjell për të korrur frytet në ahiret. Kështu që, ai nuk duhet të mbjellë në këtë arë gjëra që do e dëmtojnë atë, por duhet të mbjellë në të gjëra që do t’i bëjnë dobi dhe do të përfitojë prej tyre, herët a vonë. Muslimani e ruan kohën e tij. Madje ai duhet ta ruajë kohën e tij dhe tek gjërat që janë të lejuara, nga teprimet ne të lejuara, e si është puna nëse ai merret me thashetheme, me përgojim e me bartje fjalësh.
Ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَلَا يَغْتَب بَّعْضُكُم بَعْضًا ۚ أَيُحِبُّ أَحَدُكُمْ أَن يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتًا فَكَرِهْتُمُوهُ ۚ وَاتَّقُوا اللَّـهَ ۚ إِنَّ اللَّـهَ تَوَّابٌ رَّحِيمٌ
“...dhe mos përgjoni njëri tjetrin; a mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Atë pra ju e urreni! Kini frikë Allahun, e me të vërtetë që Allahu e pranon shumë pendimin dhe është Mëshirëplotë.” [el Huxhurat, 12]
Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë: “Gibeti është të përmendësh për vëllain tënd diçka që ai e urren.” I thanë: “O i Dërguar i Allahut, por nëse ai vëlla e ka atë që po them?” Ai tha: “Nëse e ka atë që thua për të, atëherë ti e ke përgojuar, e nëse nuk e ka atë që thua për të, atëherë ti ke shpifur për të.”
Muslimani duhet ta ruaj gjuhën nga e folura për njerëzit në mungesë të tyre, si dhe nga gjurmimi i gafave dhe gabimeve të tyre. Muslimani e ka detyrë që të merret me veten e tij, duhet të merret me punët e tij, dhe t’i lërë njerëzit, përveçse nëse ka dobi. Ama nëse ai i gjurmon mangësitë e njerëzve dhe i përhapë ato, kjo është nga turpet më të mëdha. Muslimani duhet të gjurmojë gafat e tij, duhet të pendohet nga to dhe të kërkojë falje, e jo të ndjekë turpet e njerëzve dhe të përhapë të metat e tyre. Ky është gibet i qortuar. Prandaj, muslimani duhet ta ruajë veten nga kjo gjë. Si shikon në të fshehtat e njerëzve, në gafat e tyre dhe nga ana tjetër harron mangësitë e tij dhe harron veten e tij.
Ai duhet të pendohet tek Allahu - Azze ue Xhel-le - nga kjo sprovë, nga kjo punë, si dhe të përpiqet në ruajtjen e nderit të tij dhe të ruajë nderet e njerëzve, që mos të flasë për to, sepse muslimani do të mbajë përgjegjësi për atë që thotë.
Thotë Allahu i Pastër nga çdo mangësi:
مَّا يَلْفِظُ مِن قَوْلٍ إِلَّا لَدَيْهِ رَقِيبٌ عَتِيدٌ
“...dhe ai nuk e thotë ndonjë fjalë e që pranë tij të mos jetë pranë tij një mbikëqyrës i vëmendshëm.” [Kaf, 18]
Ai ia mban shënim njeriut fjalët që nxjerr dhe pastaj do të merret në llogari për ato. Kështu që, kush e ka preokupim të tijin “tha filani kështu, u tha për fisteku ashtu...”, kjo është gibet.
Një prej grave të Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha për Safijen - Allahu qoftë i kënaqur me të – të mjafton që ajo është kështu, domethënë ajo ishte e shkurtër. I tha Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –: “Hiqe nga goja! Hiqe nga goja! Ke thënë një fjalë që nëse do përzihej me ujin e detit, ajo do ta trazonte atë.”
Nëse çështja është kështu kur thua diçka që e ka ai person, se ajo ishte e shkurtër, atëherë nuk duhet ta poshtërosh atë për këtë gjë.
Allahu e di më së miri.
Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org