Tema: Nata e Kadrit
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
Të gjitha falënderimet dhe lavdet i takojnë Allahut, Zotit të gjithësisë. Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi të Dërguarin e Allahut.
Thotë Allahu – SubhaneHu ue Te’ala.
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ ﴿١﴾ وَمَا أَدْرَاكَ مَا لَيْلَةُ الْقَدْرِ ﴿٢﴾ لَيْلَةُ الْقَدْرِ خَيْرٌ مِّنْ أَلْفِ شَهْرٍ ﴿٣﴾ تَنَزَّلُ الْمَلَائِكَةُ وَالرُّوحُ فِيهَا بِإِذْنِ رَبِّهِم مِّن كُلِّ أَمْرٍ ﴿٤﴾ سَلَامٌ هِيَ حَتَّىٰ مَطْلَعِ الْفَجْرِ ﴿٥﴾
“Ne e zbritëm atë (Kur’anin) në natën e Kadrit. E ç’të bëri ty të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e rëndësishme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre në (atë natë) zbresin engjëj dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo është paqe deri në daljen e agimit.” El-Kadr, 1-5
Thotë Allahu – SubhaneHu ue Te’ala :
إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةٍ مُّبَارَكَةٍ ۚ إِنَّا كُنَّا مُنذِرِينَ فِيهَا يُفْرَقُ كُلُّ أَمْرٍ حَكِيمٍ
“Ne e zbritëm atë (Kuranin) në një natë të bekuar (në natën e begatshme të Kadrit). Ne dëshiruam t’u tërheqim vërejtjen, e njerëzit të jenë të gatshëm. Në atë (natë) caktohet çdo çështje në mënyrë të prerë.” Ed-Dukhan, 3-4
Kjo natë është natë e begatshme. Kjo natë shtë quajtur Lejletul-Kadr (Nata e Caktimit) sepse në atë natë caktohen veprat e vitit të ardhshëm dhe ngjarjet, zhvillimet, begatitë dhe të mirat që do të ndodhin brenda vitit. Pra, është një natë e begatë, e ajo është nata e Kadrit. Kjo natë është në muajin e Ramazanit pa kurrfarë dyshimi dhe është sigurt në dhjetë netët e fundit dhe më shumë gjasa ka që të jetë është në natën e 27-të.
Ai që ka bërë përpjekje gjatë gjithë muajit duke agjëruar, duke u falur dhe duke lexuar Kur’anin, ai e ka arritur natën e Kadrit, ndërsa ai që mjaftohet vetëm me një pjesë të muajit, nuk ka garanci se e ka kapur natën e Kadrit. Ajo natë mund të jetë në të cilat ai nuk e ka kërkuar. Gjithsesi, Allahu nuk e humb shpërblimin e Muslimanit.
لَا نُضِيعُ أَجْرَ الْمُصْلِحِينَ
“Ne nuk u humbin shpërblimin e vepërmirëve.” El-A’raf, 170
Nëse i bën shkaqet dhe kërkon të mirën, Allahu ia lehtëson atij.
Siç thotë Allahu :
وَنُيَسِّرُكَ لِلْيُسْرَىٰ
“Dhe Ne do ta lehtësojmë ty më të lehtën.” El-Ala, 8
Muslimani duhet të bëjë shkaqet , kurse suksesi është në Dorën e Allahut. Allahu nuk e humb shpërblimin e atij që bën mirë. Muslimani është në mirësi në këtë muaj, nga fillimi deri në fund. Mirësia në fund të muajit është akoma më e mundshme dhe e sigurt, dhe në Natën e Kadrit është akoma më e sigurt dhe më e mundshme arritja e mirësisë, vlerave dhe zbritjes së mëshirës. Ky është një muaj i bekuar nga fillimi e deri në fund, kurse dhjetë ditët e fundit kanë më shumë begati dhe të mira.
Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - bënte itikaf në dhjetë ditët e mesit duke kërkuar natën e Kadrit. Kur iu bë e qartë se Nata e Kadrit gjendet në dhjetë ditët e fundit, e zhvendosi itikafin nga dhjetë ditët e mesit në dhjetë ditët e fundit, dhe e përsëriste këtë vit për viti deri sa ndërroi jetë. Kështu që, suneti i kërkimit të natës së Kadrit mbeti në dhjetë ditët e fundit të Ramazanit.
Muslimanët, lavdi Allahut nuk ndaluan së ndjekuri Sunetin e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –, në këtë muaj të begatë, siç janë: mbushja e xhamive me faljen e teravive dhe namazit në fund të natës (tehexhud), ndenjja në xhami, itikafi dhe leximi të Kur’anit. Ata e kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre në xhami për të kryer namazin, për të lexuar Kur’anin dhe për të kërkuar shpërblimin e Allahut.
Pra, këto dhjetë ditë janë të begata, qoftë netët apo ditët e tyre. Netët e tyre me namazin e fund natës dhe të teravive dhe ditët e tyre me agjërimin. Janë dhjetë ditë të mbushura me adhurime ndaj Allahut – SubhaneHu ue Te’ala – të cilat kalojnë në jetën e muslimanit për çdo vit dhe Muslimani furnizohet në këto ditë me të mira.
Më kaq po e përfundoj. Allahu e di më së miri.
Lavdërimet dhe paqja e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij.
Përktheu: Abdullah Beqiri