Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

(Shpërblimi i Agjërimit)

 

E lavdëroj dhe falënderoj Zotin tim; tek Ai pendohem dhe falje i kërkoj. Salavate dhe selame i dërgoj mbi atë që e adhuroi më së miri Zotin e tij. Mëshira dhe Shpëtimi i Allahut qofshin mbi të; i dërgoj selame të shumta dhe Allahu qoftë i kënaqur me familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.

Më pas:

Të nderuar vëllezër dhe motra, në këtë takim do të flasim rreth agjërimit. Kemi thënë më parë se agjërimi në muajin e Ramazanit është agjërimi më i mirë, sepse atë na e ka bërë obligim Allahu -'Azze ue Xhel - duke e bërë farz për ne. Pozita dhe rëndësia e agjërimit është e madhe dhe me vlefshme si dhe shpërblimi i tij është shumë i madh. Pejgamberi -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

"Për çdo vepër të birit të Ademit është përcaktuar shpërblimi nga dhjetë deri në shtatëqind fish, përveç agjërimit.” “Thotë Allahu - 'Azze ue Xhel: “Me të vërtetë që agjërimi i tij është tek Unë dhe Unë do ta shpërblej për të."

Allahu Ekber! Çdo vepër e mirë i shumëfishohet njeriut: një vepër e mirë sa dhjetëfish deri në shtatëqind fish, përveç agjërimit shpërblimin e të cilit nuk e di askush përveç Allahut, të Pastërit prej të metave e të Lartësuarit. Vetëm Ai e di sa do të shpërblehet për këtë. Allahu Ekber! Allahu është më i madhi!

O vëllai im, medito rreth kësaj fjalie madhështore. Allahu - 'Azze ue Xhel - thotë për agjërimin: "Ai më përket Mua!" Pasha Allahun, nëse nuk do ishte transmetuar gjë tjetër për vlerën e agjërimit përveç kësaj fjalie, do t’i mjaftonte kjo besimtarit që ta respektonte dhe ta madhëronte tej mase atë.

Fjala "Ai më përket mua", do të thotë se në shumicën e rasteve, besimtari e bënë agjërimin sinqerisht për Allahun - 'Azze ue Xhel - dhe shpërblimi është sipas veprës. Prandaj, Allahu ia ka lënë Vetes së Tij shpërblimin e agjërimit, i Pastër nga të metat është Ai! Ai është më Bujari i bujarëve. Ai e shumëfishon shpërblimin e tij pa masë. Për këtë arsye, agjërimi është i pakrahasueshëm me vepra të tjera. Agjërimi ishte porosia e Pejgamberit -sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – për atë që i kërkonte për t'i treguar një vepër që ta bënte atë vazhdimisht, ai tha:

"Të këshilloj të agjërosh, sepse nuk ka si ai!"

Përmbaju agjërimit, sepse nuk ka të ngjashëm me të! Kjo është përmendur për agjërimin vullnetar, e si është çështje për agjërimin e obliguar siç janë këto ditë në të cilat jemi?! S'ka dyshim se nuk ka të ngjashme me to. E kemi obligim që t'i përmbahemi atij plotësisht dhe të agjërojmë në mënyrën më të mirë, në mënyrë që Allahu të na e pranojë dhe të na e shumëfishojë shpërblimin e tij.

E lusim Allahun 'Azze ue Xhel që të na ndihmojë neve gjatë agjërimit, të na e pranojë atë, dhe të gëzojë nëpërmjet tij kur ta takojmë Atë, të Pastërin nga çdo e metë e të Lartësuarin!

Allahu i Lartësuar e di më së miri, dhe salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!

 

Përktheu: Servet Mata

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org