Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

Leximi i Kur' anit në Ramazan

 

Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë, salavatet dhe selamet qofshin mbi më të nderuarin e Pejgamberëve dhe të Dërguarve, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij. Më pas:

Të nderuar vëllezër dhe motra, ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu!

Në këtë takim do të flasim për një vepër të mirë që ka shpërblim të madh në Ramazan, e ajo: është leximi i Kur'anit. Leximi i Kur' anit, leximi i Fjalës së Allahut, të Pastërtit prej të metave e të Lartësuarit, është prej veprave tona më të mira. Një vepër e mirë shpërblehet dhjetëfish, kështu që një shkronjë e vetme që ti e lexon në Kur'an, ka një shpërblim, dhe ky shpërblim është nga dhjetë deri në shtatëqindfish.

Sa më shumë që ti e lexon Kur'anin, aq më shumë pastrohet shpirti yt, aq më shumë përmirësohet zemra jote dhe aq më shumë të shtohet bereqeti në jetën tënde. Pasha Allahun! Pasha Allahun! Pasha Allahun! Një prej shkaqeve më të mëdha për  të fituar bereqet në kohën tënde është që të lexosh Kur'an. Prandaj, provoje o vëllai im, që gjithmonë ta fillosh ditën tënde me leximin e Kur'anit dhe në atë ditë do të gjesh bereqet dhe mirësi të mëdha!

Ndërsa në muajin e Ramazanit mirësia e leximit të Kur'anit shumëfishohet, sepse ai është muaji i Kur'anit, thotë i Lartësuari:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ

"Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur'ani." [El-Bekareh, 185]

Xhibrili - alejhis-selam - ia përsëriste Kur'anin Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem- në Ramazan. Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – e lexonte të gjithë Kur'anin me Xhibrilin - alejhis-selam - në muajin e Ramazanit.

Këshilla ime për të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia është: t'i kushtojnë rëndësi leximit  të Kur'anit dhe ta përfundojnë leximin e tij disa herë gjatë muajit të Ramazanit. Për shembull: ta lexojë krejt Kuranin në çdo shtatë ditë, kështu ta ketë lexuar atë tre herë gjatë Ramazanit. Përndryshe, Selefët e lexonin më shumë se kaq. Është vërtetuar se njëri prej Selefëve e lexonte gjashtëdhjetë herë Kuranin në muajin e Ramazanit. Është vërtetuar se disa të tjerë e kanë lexuar tridhjetë herë. E rëndësishme është se kur hynte muaji i Ramazanit ata i kushtonin rëndësi leximit të Kur'anit; e lexonin Fjalën e Allahut.

Andaj ne e kemi detyrë, o ju të dashur, ne duhet të kujdesemi ashtu siç duhet për këtë  dhe të përpiqemi që ta lexojmë sa më shumë Kur'anin fund e krye në muajin e Ramazanit, të cilin po e përjetojmë, me shpresën se Allahu - 'Azze ue Xhel - mund ta bëjë këtë shkak që të jemi prej banorëve të Firdeusit më të lartë.

O Allah, na bëjë neve, familjet tona dhe të dashurit tonë prej banorëve të Firdeusit më të lartë!

Allahu i Lartësuar e di më së miri, dhe salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!

 

Përktheu: Servet Mata

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org