Bismilah...

 

Autor: Shejkh Abdus-Selam bin Salim es-Suhejmi 1

Pyetje: Kjo pyetje ka të bëjë me Xhihadin dhe deklaratën që ka dhënë ‘Abdullah ‘Azzami, kështu që pyetësi kërkon një koment lidhur me të. Ai (‘Abdullah ‘Azzam) ka thënë: 2

“Gjykimi i Xhihadit në këto kohë është se ai konsiderohet si një obligim i domosdoshëm për çdo Musliman dhe ai (Xhihadi) është si puna e Namazit dhe Agjërimit, kështu që askujt nuk i lejohet që të kërkojë leje për ta kryer këtë obligim, ashtu siç nuk është e lejuar që të kërkohet leje nga prindërit për çështjen e Namazit, e si është puna atëherë me prijësin të cilit i duhet kërkuar leje dhe ai e mohon këtë obligim?”

Ju lutem komentojeni!

 

Përgjigje: “Do ta lëmë komentimin e kësaj derisa t’i kemi kuptuar parimet themelore të Xhihadit, të cilat do t’i lexojmë më vonë. Janë me dhjetëra përgjigjet që mund të jepen për këtë pyetje dhe pyetje të tjera të ngjashme me të. Nuk ka dyshim se Shejkhu (‘Abdullah ‘Azzami, Allahu e mëshiroftë) është refuzuar nga Njerëzit e Dijes për ato çfarë ka shkruajtur dhe ata e kanë sqaruar gabimin e tij në to, pasi dega më e rëndësishme e obligimit individual (fard ‘ajn) është Teuhidi dhe jo degët e tjera të Fesë.

Dega më e rëndësishme e obligimit individual (fard ‘ajn) është Teuhidi, Teuhidi i Allahut dhe veçimi i Tij në adhurim, kjo është dega më e rëndësishme e obligimit individual (fard ‘ajn). Asgjë nuk del përpara kësaj baze të Akides, e si mund të thuhet atëherë se dega më e rëndësishme e obligimit individual është Xhihadi, por më saktë, ai (Xhihadi) është një degë nga degët e shumta të Fesë dhe nuk është një shtyllë nga shtyllat e Islamit. Insha’Allah kjo do të shpjegohet më tej kur të kuptojmë parimet themelore të Xhihadit si dhe fjalët dhe Ixhmanë e Ehli-Sunetit rreth këtyre parimeve themelore (të Xhihadit), të cilat duhet të ruhen. Kjo për shkak se ai (Xhihadi) është një pretendim i madh, pasi Xhihadi ka gjykime (ahkame), mund të jetë obligim individual (fard ‘ajn) ose mund të jetë obligim kolektiv (fard kifaje), mund të jetë i pëlqyeshëm (nafil) ose mund të jetë i ndaluar (haram), si dhe mund të jetë i shpikur (bidat). Jo të gjitha ata që flasin vetëm për Xhihad janë të saktë. Pastaj, Xhihadi ka domethënie të përgjithshme dhe specifike, prandaj ka nevojë për shpjegim. Është e saktë të thuhet se domethënia e përgjithshme e Xhihadit është se ai konsiderohet fard ‘ajn! Për arsye se Xhihadi me nefsin (veten), me dije dhe vepra është fard ‘ajn për atë që është i përgjegjshëm që kur të jetë në pjekurinë e duhur të marrë përsipër përgjegjësi derisa të vdesë. Poashtu, Xhihadi kundër Shejtanit është fard ‘ajn për atë që është i përgjegjshëm që kur të jetë në pjekurinë e duhur të marrë përsipër përgjegjësi derisa të vdesë. Xhihadi kundër Bidatçijve dhe kundër atyre që janë të pabindur është fard kifaje dhe mund të jetë i pëlqyer (nafil) në varësi të situatës. Xhihadi kundër kufarëve (mosbesimtarëve) dhe munafikëve (hipokritëve) mund të jetë fard ‘ajn dhe mund të jetë fard kifaje, mund të jetë i pëlqyer (nafil) dhe madje mund të jetë i ndaluar (haram)! Kjo është nëse ai sjell dëme të cilat janë më të këqia sesa vetë kryerja e Xhihadit dhe nëse pjesëmarrja në Xhihad sjell një dëm më të madh sesa lënia e Xhihadit, atëherë një Xhihad i tillë është i ndaluar!

Kështu, ai që flet për Xhihad duhet të marrë parasysh rrethanat ku ndodhen Muslimanët dhe ata që ishin para tyre, siç ishte Pejgamberi (salallahu alejhi ue selem) në Mekke dhe pastaj në Medine dhe poashtu Sahabët dhe Imamët që erdhën pas tyre, si kanë qenë fjalët e tyre për Xhihadin dhe rrethanat e tij dhe ato që kanë të bëjnë me të? Por një shpjegim më i detajuar do të vijë më pas insha’Allah dhe kur këto parime themelore të kuptohen atëherë do të bëhet e qartë se çfarë është pjesë e tij dhe çfarë nuk është pjesë e tij.”

1 Burimi: [SalafiDuroos.net] Pyetje-Përgjigje me Shejkh Abdus-Selam es-Suhejmi pas mësimit të mbajtur në Xhidde (5/6/1427H), me shpjegimin e librit të tij “el-Xhihad fil-Islam: Mefhumuhu ue Enuauhu ue Ahdafuhu”.

2 Mendimet për obligueshmërinë e Xhihadit, ‘Abdullah ‘Azzam i ka shprehur kryesisht në dy librat e tij: “Në Mbrojtje të Tokave të Muslimanëve” dhe “Bashkoju Karvanit”.

 

Përktheu Alban Malaj