Autor: Shejkh Muhamed Nasiruddin el-Albani
Burimi: Silsiletu el-Huda ue en-Nur, kaseta 620 (min.55:30), kaseta 621 (min. 02:10)
Pyetësi: Shejkh i nderuar! A lejohet të ndërtojmë xhami nga paratë e shërbimeve publike?
Shejkh Albani: Jo!
Pyetësi: ...kjo (shfrytëzimi i pasurisë së kamatës) gjeti pranim në mesin e komuniteteve, duke u bazuar në fjalën e tij: “Ose të hamë nga ajo, atëherë kjo është haram. Ose ti vendosim ato në bankë, kjo është haram. Ose t’i djegim ato (para), kjo është haram. Kështu që, ngelet e fundit: t’i shpenzojmë për fukarenjtë Muslimanë, bile edhe për ndërtimin e xhamive, madje edhe për botimin e Mus’hafeve.” Kështu thotë fjalë për fjalë o Shejkh.
Shejkh Albani: Allahul-Muste’an (Kërkojmë ndihmë prej Allahut)! Në rregull. A mund ta dimë se kush është ky person apo kjo është përgojim!
Pyetësi: Po! Mund të dihet kush është ai. Ai është Shejh Jusuf el-Kardavi!
Shejkh Albani: Allahul-Muste’an.
Pyetësi: Këto fjalë të tija gjenden në një videokasetë.
Shejkh Albani: Allahu Ekber! La haule ue la ku’uete il-la bil-lah. Sa mendoj unë, ai që jep fetva për marrjen e kamatës dhe dhënien e saj fukarenjve Muslimanë, lejon depozitimin e parave në bankë. Sepse, nëse ai (Kardavi) do ta thoshte atë që duhet ta thotë çdo Musliman që është vërtet i zgjuar dhe kupton: ky që është sprovuar gjatë një periudhe të jetës së tij, duke i depozituar paratë e tij në bankë kreditore, pastaj ky person pendohet dhe kthehet tek Allahu – ‘Azze ue Xhel – dhe si rrjedhojë e kësaj, i tërheq paratë e tij nga banka, bashkë me kamatën e tyre, dhe këtë kamatë, ia jep një të varfri apo disa të varfërve, kjo çështje është më e lehtë dhe më pak e dëmshme. Por, nga kjo fetva, unë nuhas vazhdimësinë e bashkëpunimit me bankën, për t’u bërë dobi të varfërve me këtë kamatë, e cila vjen nga ato para të depozituara. Atëherë, kjo bie ndesh më të gjitha tekstet që u përmend më parë.
Tani, më duhet patjetër të përmend një hadith, e që është fjala e tij – ‘alejhi salatu ue selam –:
دِرْهَمٌ رِبًا يَأْكُلُهُ الرَّجُلُ وَهُوَ يَعْلَمُ، أَشَدُّ مِنْ سِتَّةٍ وَثَلَاثِينَ زَنْيَةً
“Njeriu që ha një direhem nga kamata, duke e ditur këtë, është më e rëndë sesa të bënte 36 herë zina (marrëdhënie jashtëmartesore).” [1]
Si u lejuaka për një Musliman, i cili beson me të vërtetë në Allahun dhe të Dërguarin e Tij, të aprovojë bashkëpunimin me kamatën, por me këto dredhi dhe lojëra?! E duke thënë se “unë jam njeri i mirë! nuk e ha haramin!” Nga ana tjetër, ushqen të tjerët me haram?! Këtë nuk e thotë kurrë një Musliman.
Andaj, është obligim që të çrrënjosen rrënjët e këtij sherri, dhe kjo arrihet duke i thënë çdo Muslimani: mos bashkëpuno me bankat kredituese. Fjala ime “kredituese” nuk është se ka zgjidhje për të gjetur banka që s’kanë kamatë, por është për të sqaruar aktualitetin. Këtë e them, që të mos i shkojë dikujt ndërmend se ka banka që s’kanë kamatë. Jo! Të gjitha kanë kamatë. Por, mund të jenë nga aspekti se ka sherr që është më pak i dëmshëm se një sherr tjetër. P.sh. njëra nga bankat merr 5 për qind interes, tjetra merr 10 për qind; i pari ndoshta nuk i vendos një shenjë islame dhe merr kamatë më pak se ai tjetri; kurse tjetri mund t’i vë një shenjë islame, por e ha kamatën më shumë se të tjerët.
Me një fjalë: nuk i lejohet një personi të përfitojë nga kjo kamatë, nëse ai që e jep atë kamat është penduar. E nëse nuk është penduar, nuk lejohet absolutisht. Nuk lejohet shpenzimi i parave të pista nga shërbimet publike – e që janë paratë e kamatës – në xhamia, sepse ajo për të cilën nuk ka dyshim dhe mëdyshje është se çdo xhami që është ndërtuar me pasuri që është fituar nëpërmjet haramit, nuk vlen për të (ajeti) se është xhami e ndërtuar në baza të devotshmërisë. [2]
Nëse është patjetër të shpenzohen këto para të kamatës, pasi që marrësi i kamatës është penduar, të shpenzohen në ndonjë gjë që lidhet me xhaminë, atëherë mund të thuhet se këto para të kamatës të shpenzohen për banjot e xhamive. Kjo është ajo që mund të thuhet.
Fundnotat:
[1] Musnedi i Imam Ahmedit, 5/225.
[2] (Shënim i përkthyesit): Shejkh Albani ka për qëllim ajetin kuranor, ku Allahu i Lartësuar thotë:
وَالَّذِينَ اتَّخَذُوا مَسْجِدًا ضِرَارًا وَكُفْرًا وَتَفْرِيقًا بَيْنَ الْمُؤْمِنِينَ وَإِرْصَادًا لِّمَنْ حَارَبَ اللَّـهَ وَرَسُولَهُ مِن قَبْلُ ۚ وَلَيَحْلِفُنَّ إِنْ أَرَدْنَا إِلَّا الْحُسْنَىٰ ۖ وَاللَّـهُ يَشْهَدُ إِنَّهُمْ لَكَاذِبُونَ ﴿١٠٧﴾ لَا تَقُمْ فِيهِ أَبَدًا ۚ لَّمَسْجِدٌ أُسِّسَ عَلَى التَّقْوَىٰ مِنْ أَوَّلِ يَوْمٍ أَحَقُّ أَن تَقُومَ فِيهِ ۚ فِيهِ رِجَالٌ يُحِبُّونَ أَن يَتَطَهَّرُوا ۚ وَاللَّـهُ يُحِبُّ الْمُطَّهِّرِينَ ﴿١٠٨﴾
“Ata (mushrikët) që ndërtuan xhami (pranë xhamisë Kuba), për t’u bërë dëm (besimtarëve) dhe për (të përhapur) mosbesim (kufër) dhe për të bërë përçarje midis besimtarëve, si dhe për t’i pritur ata që më përpara luftonin Allahun dhe të Dërguarin e Tij, ata (mushrikët) betohen se kemi dashur (me këtë xhami) vetëm se t’u bëjmë mirë (të dobëtëve, nevojtarëve). Kurse Allahu dëshmon se ata janë gënjeshtarë pa pikë dyshimi. Ti (o Muhamed, bashkë me shokët e tu) mos u fal në këtë xhami (që ndërtuan mushrikët). Vërtetë, një xhami (xhamia e Kubasë), e cila që prej ditës së parë është themeluar në devotshmëri ndaj Allahut, është më e drejtë të falesh në të, aty ka burra që dëshirojnë të pastrohen (nga gjynahet dhe papastërtitë), e Allahu i do ata që pastrohen (nga shirku, morali i keq, etj.)” et-Teubeh, 107-108.
Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org
Përktheu: Jeton Shasivari