Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Bazmul

Burimi: http://mohammadbazmool.blogspot.com/2015_03_20_archive.html

Pyetje: Disa prej tyre (khauarixhëve) argumentohen me ngjarjen e Abdullah bin Enis kur Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam – e urdhëroi që ta vrasë Khalid el-Hudhlin dhe ta therë atë, dhe se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka aprovuar atë që bëri ai. A është e vërtetë kjo ngjarje? A është i saktë argumentimi me këtë ngjarje? Na bëni dobi – Allahu ju shpërbleftë me të mira.

Përgjigje: Nuk është vërtetuar në hadith diçka që argumenton për therjen e njeriut ashtu siç theren kafshët, edhe në qoftë se ai është kafir, sepse kjo është masakër. Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka ndaluar këtë. Kurse hadithi që tregon pyetësi, është i dobët. Edhe në qoftë se do të ishte i saktë, nuk ka në të diçka që argumenton për përdorimin e mënyrës së therjes.

Kurse hadithi që u përmend në pyetje është ai që ka nxjerrë Ebu Daudi me numër 1249, përmes Muhamed bin Is’hak, e ky nga Muhamed bin Xhafer, e ky nga Ibën AbdiLah bin Enis, e ky nga babai i tij, që ka thënë: “I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – më dërgoi te Khalid bin Sufjan edh-Dhuhlij dhe ishte afër Urnes dhe Arafatit, dhe i tha: “Shko dhe vrite atë.” Ai tha: “E pashë atë kur hyri koha e namazit të ikindisë.” I thashë: “Unë kam frikë se në qoftë se përleshem me të, kjo do ta vonojë namazin.” Vazhdova të ec drejt tij në ndërkohë që unë falja namazin duke bërë me shenjë. Kur u afrova afër tij, më tha: “Kush je ti?” I thashë: “Unë jam prej Arabëve. Kam dëgjuar se ti po mbledh njerëz (për luftë) kundër këtij njeriu (Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) dhe unë për këtë punë kam ardhur.” Ai më tha: “Atë po bëj unë.” Unë u nisa bashkë me të për një kohë, kur e pashë të volitshme (situatën), e munda atë me shpatën time derisa ai u ftoh (vdiq). [1]

Nuk dihet gjendja e Ibën Enisit se a është kritikuar apo është lavdëruar (me xherh apo tadil). Ibën Hibani e ka përmendur këtë transmetues në librin e tij “eth-Thikat” duke u bazuar në parimin e tij se ai cili nuk njihet që është i kritikuar, është thikat (i besueshëm).

Allahu është dhënësi i suksesit.

Fundnotë:

[1] Shejkh Albani e ka bërë të dobët (daif) në Sunenin e Ebu Daudit, 4/417.

Përktheu: Jeton Shasivari