Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed Bazmul

Burimi: http://www.sahab.net/forums/index.php?showtopic=145064

Kharixhiu: Ata nuk janë terroristë. Ata janë nxënësa dije që kanë xhelozi për fenë e tyre. Janë njerëz të devotshmërisë dhe adhurimit.

Shejkhu: Përkundrazi, ata janë terroristë Khauarixh, edhe në qoftë se falen, agjërojnë dhe janë njerëz që kanë xhelozi (për fe). A nuk e sheh se i Dërguari i Allahut i ka përshkruar ata duke thënë:

"سَيَخْرُجُ قَوْمٌ فِي آخِرِ الزَّمَانِ أَحْدَاثُ الْأَسْنَانِ سُفَهَاءُ الْأَحْلَامِ يَقُولُونَ مِنْ خَيْرِ قَوْلِ الْبَرِيَّةِ لَا يُجَاوِزُ إِيمَانُهُمْ حَنَاجِرَهُمْ يَمْرُقُونَ مِنْ الدِّينِ كَمَا يَمْرُقُ السَّهْمُ مِنْ الرَّمِيَّةِ فَأَيْنَمَا لَقِيتُمُوهُمْ فَاقْتُلُوهُمْ فَإِنَّ فِي قَتْلِهِمْ أَجْرًا لِمَنْ قَتَلَهُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ".

Në Fund të Kohës, do të dal një popull i ri në moshë, i papjekur e mendjelehtë. Ata do të flasin me fjalën e krijesës më të mirë. Imani i tyre nuk i kalon gurmazet e tyre. Ata do të dalin nga feja ashtu siç del shigjeta prej gjahut. Kështu që, kudo që t’i takoni, vrisni ata, ngase në vrasjen e tyre Ditën e Gjykimit ka shpërblim ai që i ka vrarë.”

Dhe ka thënë kur i ka përshkruar ata:

Njëri prej jush do ta nënvlerësoj namazin e tij ndaj namazit të tyre dhe agjërimin e tij ndaj agjërimit të tyre. Ata e lexojnë Kuranin, por ai nuk i kalon gurmazet e tyre, dalin nga Islami ashtu siç del shigjeta prej gjahut.”

Ky ishte Ibën Mulxhem, mësues i Kuranit, që e vrau Alijun – Allahu qoftë i kënaqur me të –. A thuhet për Ibën Mulxhem se ai është nga njerëzit e devotshmërisë?! Nuk e ka përshkuar me këtë cilësi vetëm se një poet nga Khauarixhët i cili quhej Imran bin Hitan, ku ka thënë për goditjen e tij me të cilën e vrau Alijun – Allahu qoftë i kënaqur me të –:

O goditja e atij që ka devotshmëri, i cili kërkon përmes kësaj kënaqësinë që është tek Ai që posedon Arshin.”

Pra, këta që janë sot janë Khauarixh, nuk na mashtron namazi i tyre e as adhurimi i tyre dhe as ajo që cilësohen si nxënës dije.

Kharixhiu: Ata kanë dalë për shkak të fesadit (trazirave) dhe veprave të këqija që po bëhen. Ata duan përmirësim!

Shejkhu: Kjo nuk është rrugë për përmirësim, përkundrazi është rruga e fesadit. Ndryshimi i të keqes ka rrugën dhe metodën e saj të njohur tek njerëzit e dijes. Kurse metoda që kanë ata, nuk është tjetër vetëm se metoda e Khauarixhëve dhe M’utezilive. Tek të cilët urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është një nga mënyrat e kryengritjes kundër pushtetarit legjitim.

A është prej përmirësimit vrasja e muslimanëve?

A është prej përmirësimit përhapja e trazirave në vend dhe tek njerëzit?

A është prej përmirësimit frikësimi i atyre që u është garantuar siguria?

A është prej përmirësimit vrasja e atyre (jo-muslimanëve) që kanë hyrë në vendin tonë me lejen e prijësit apo atyre (jo-muslimanëve) që kanë bërë marrëveshje për mos-luftim me muslimanët?

A është prej përmirësimit vrasja e forcave të sigurisë në vend?

A është prej përmirësimit dhuna në muajin e bekuar të Ramazanit?

A është prej përmirësimit shkaktimi i rrëmujës dhe trazirave në mesin e njerëzve?

A është prej përmirësimit që t’i japësh mundësi armikut qafir e dashakeq, që të infiltrohet në mesin tonë?

Ata deshën që të ndryshojnë një të keqe, por ranë në një të keqe më të madhe se ajo (që donin ta ndryshonin). A nuk e dijnë se prej fjalëve të Selefëve është:

ليكن أمرك بالمعروف معروفاً ، و نهيك عن المنكر غير منكر

Le të jetë i mirë urdhërimi yt për të mirë, dhe të mos jetë i keq ndalimi yt nga e keqja.”

Kharixhiu: Dialogoni me ta (Khauarixhët). Dijetarët janë treguar të mangët duke i braktisur ata, e nuk kanë dialoguar me ta dhe nuk kanë shkuar te ata!

Shejkhu: Kjo kërkesë është e pabazë në shumë aspekte:

Aspekti i parë: Ku janë ata që të dialogojnë? Dialogu i Ibën Abbasit – radijAllahu ‘anhu – me Khauarixhët përmes urdhrit të Halifes së Drejtë ‘Alij bin Ebi Talib – radijAllahu ‘anhu – ndodhi kur ata ishin pajtuar dhe ishin mbledhur në një vend, kurse tani ku janë ata? Ata janë fshehur. Nuk i njohim udhëheqësit e tyre që të dialogojmë me ta. Le të dalin në publik dhe le të paraqesin atë që kanë, që të hyjmë në dialog me ta! Pastaj, për ç’gjë të dialogojmë? Ata nuk kanë folur për ndonjë çështje që është për ta dialoguar.

Aspekti i dytë: Baza është që ata të shkojnë te dijetarët dhe ta paraqesin atë që kanë në mënyrë që dijetarët t’ua japin ilaçin shërues – me lejen e Allahut – nga Kurani dhe Sunneti dhe në dritën e kuptimit të Selefëve të devotshëm, e jo dijetarët të shkojnë t’i kërkojnë ata, sepse kjo kërkesë bie ndesh me ajetin fisnik:

وَإِذَا جَاءَهُمْ أَمْرٌ مِّنَ الْأَمْنِ أَوِ الْخَوْفِ أَذَاعُوا بِهِ وَلَوْ رَدُّوهُ إِلَى الرَّسُولِ وَإِلَىٰ أُولِي الْأَمْرِ مِنْهُمْ لَعَلِمَهُ الَّذِينَ يَسْتَنبِطُونَهُ مِنْهُمْ وَلَوْلَا فَضْلُ اللَّـهِ عَلَيْكُمْ وَرَحْمَتُهُ لَاتَّبَعْتُمُ الشَّيْطَانَ إِلَّا قَلِيلًا

Kur atyre u vjen ndonjë lajm i rëndësishëm që ka të bëjë me sigurinë ose frikën, ata e përhapin (në mesin e njerëzve). Në qoftë se këtë lajm do t’ia përcillnin (për shqyrtim) të Dërguarit dhe atyre që kanë autoritet (dijetarëve) në mesin e tyre, hulumtuesit përkatës do ta kuptonin atë prej tyre. Sikur të mos ishte mirësia e Allahut dhe mëshira e Tij, ju të gjithë do të ndiqnit djallin, përveç një numri të vogël.” En-Nisa, 83

Aspekti i tretë: Dijetarët nuk janë treguar kurrë të mangët – lavdia i takon Allahut të Lartësuar –. Pra, ata që në fillim të kësaj fitneje, gjatë ditëve të Luftës së Gjirit, mbajtën qëndrime të prera dhe kategorike. Ata sqaruan dhe paralajmëruan. Pasha Allahun, ata paralajmëruan ndaj këtij aktualiteti që po përjetojmë sot, dhe përmendën atë që e kanë nxjerr nga Kurani dhe Sunneti, duke u bazuar në kuptimin e Selefëve të Devotshëm se këto ideologji të shpijnë në këto gjëra. Dhe kjo sot është aktuale, që përputhet me atë që e përshkruan dhe paralajmëruan kundër saj.

Kush janë dijetarët e vërtetë? A janë ata të cilët udhëzohen me dritën e Dy Shpalljeve? Apo janë ata të cilët udhëzohen me zjarrin e fitneve, rrëmujës dhe trazirave? Porse çfarë bënë ata? Ata filluan duke i larguar njerëzit nga dijetarët, herë u thonë se ata s’kanë dije për aktualitetin, herë u thonë se ata janë dijetarë të sulltanëve, herë u thonë se ata janë agjentë të Amerikës, herë u thonë se ata janë dijetarë të dynjasë... vazhdon zinxhiri i gjatë i etiketimeve të tyre me të cilat i largojnë njerëzit nga dijetarët. Kështu që, i mashtruan të rinjtë dhe i turbulluan se vet ata (khauarixhët) janë dijetarët prej të cilëve merret gjykimi i çështjeve aktuale!

Pra, dijetarët e identifikojnë sëmundjen dhe paralajmërojnë kundër saj dhe i përshkruajnë ilaçin. Ata (khauarixhët) vet largohen dhe i devijojnë njerëzit nga dijetarët. Pastaj, tani na thonë: “Dijetarët janë larg të rinjve”. Kjo është një shigjetë tjetër në mbajtësen e shigjetave të tyre me të cilën i gjuajnë njerëzit e dijes. Allahu ua ktheftë shigjetat e tyre në grykat e tyre të dështuara e të shkatërruara.

Kharixhiu: Ata (khauarixhët) janë dijetarët e rizgjimit dhe thirrjes (d’auetit), të cilët kontribojnë që të jenë ndërmjetësues në mes shtetit dhe atyre, atëherë përse nuk përfitohet prej tyre?

Shejkhu: Dijetarët e rizgjimit dhe thirrjes janë dijetarët tanë, siç janë: Shejkh ‘Abdul-‘Aziz Ali Shejkh, Shejkh Feuzan, Shejkh Ibën Gudejan, Shejkh Ahmed Jahja en-Nexhmi, Shejkh Rabij bin Hadi el-Medkhali, Shejkh Zejd el-Medkhalij, Shejkh Ubejd el-Xhabiri dhe vëllezërit e tyre. Kështu që, këta janë dijetarët e rizgjimit dhe dijetarët e d’auetit. Nuk kemi dëgjuar prej tyre se ata kontribuojnë përmes këtij ndërmjetësimi fatkeq (siç po kontribuojnë khauarixhët përmes fitneve dhe trazirave, sh.p.), madje ata Allahu i ruajttë dhe i bekoftë – janë të një zëri se të rinjtë e kanë detyrë që të kthehen tek dijetarët dhe të mos rebelohen kundër udhëheqësve.

Kharixhiu: Shiko! Amerika po i zbaton komplotet e saja, kurse ne po pasojmë Amerikën.

Shejkhu: Këto janë politika. Këto çështje i kanë përsipër udhëheqësit tanë. Kurse detyra jonë është t'u japim hakun që ua ka dhënë Allahu (d.m.th. bindjen ndaj tyre), tjerat përveç kësaj, nuk janë çështje që na takojnë neve. Andaj, ne vazhdojmë me adhurimin e Zotit tonë dhe u bindemi prijësve tanë në atë që është e mirë dhe nuk largohemi as sa një pëllëmbë nga bindja (ndaj udhëheqësve), përveç nëse shohim kufër të qartë tek ata, për të cilin kemi argument nga Allahu.

Kharixhiu: Ky është kufri i qartë. Miqësimi dhe armiqësimi (el-Uela uel-Bera) janë nga bazat e Teuhidit. Kjo është humbur dhe është fshirë nga metodologjia e mësimdhënies dhe ja na del që neve e miqësojmë Amerikën dhe nuk e armiqësojmë atë.

Shejkhu: Dijetarët e Sheriatit kanë folur për bazat e miqësimit dhe armiqësimit dhe ai (Sheriati) është referencë në shpjegimin e tij, e jo ju! Kështu që, a jeni kthyer tek dijetarët që t’i shikoni shtjellimet e tyre për këtë bazë? Si e keni bërë këtë gjë (politikën me qafirat) rrënues të bazës së miqësimit dhe armiqësimit, kurse ajo në realitet nuk e rrënon këtë bazë! Kini frikë Allahun dhe kthehuni tek dijetarët dhe kuptojini fjalët e tyre, do të shpëtoni me lejen e Allahut.

Heqja e saj nga metodologjia e mësimdhënies nuk është heqja nga feja, ngase feja është e ruajtur, Allahu është Plotësuesi i dritës së Tij, edhe në qoftë se këtë e urrejnë qafirat. Ne kemi besim të thellë tek Allahu pastaj tek udhëheqësit tanë dhe dijetarët tanë.

يُرِيدُونَ لِيُطْفِئُوا نُورَ اللَّـهِ بِأَفْوَاهِهِمْ وَاللَّـهُ مُتِمُّ نُورِهِ وَلَوْ كَرِهَ الْكَافِرُونَ

Ata kanë për qëllim ta shuajnë Dritën e Allahut (Islamin) me gojët e tyre. Por Allahu e plotëson Dritën e Tij, edhe pse qafirat e urrejnë këtë.”Es-Saf, 8

Kharixhiu: Ne duam që të ndodhin luftërat e ashpra në mes nesh dhe Romakëve që janë përmendur në hadithe!

Shejkhu: SubhanAllah! SubhanAllah! Ç’është kjo ideologji? A ke ndonjë (argument) të Selefit për këtë çështje? A e ka vepruar këtë gjë ose a e ka kuptuar kështu këtë ndonjëri prej Sahabëve apo Tabi’inëve apo dijetarëve me peshë?!

Hadithet tregojnë se këto ngjarje do të ndodhin dhe nuk ka ardhur ndonjë nxitje në hadithe që të mendojmë në këtë mënyrë. Ne e zbatojmë Sheriatin e Allahut. Ne e kryejmë atë që e kemi për detyrë, ndërsa përkujdesjen e çështjeve ia lëmë Atij që ka në dorë pushtetin – të Madhëruarit e të Lartësuarit –.

Këto (ideologji) janë fatkeqësi. Të Allahut jemi dhe tek Ai do të kthehemi. Këtë metodë të të menduarit e shoh të njëjtë sikur metoda e Jehudëve të cilët besojnë në atë që quhet “Armagedon”, japin mund që të vij më shpejt ajo ndodhi. Kështu që, kjo është prej ndjekjes së rrugëve të Jehudëve. Allahu Ekber! Vërtetë këto janë ato rrugë.

لتتَّبعُنَّ سَننَ من كان قبلَكُم حذْوَ القُذَّةِ بالقُذَّةِ حتَّى لو دخَلوا جُحرَ ضبٍّ لدخَلتموهُ

Pasha Allahun, do t’i ndiqni rrugët e atyre që ishin para jush (Jehudët dhe të Krishterët) hap pas hapi, saqë nëse ata do të ishin futur në vrimën e hardhucës, edhe ju do të ishit futur.”

Kini frikë Allahun, pendohuni tek Ai dhe kapuni pas Sunnetit dhe kthehuni tek dijetarët. Tregojuani atyre atë që keni dhe pyesni ata, do të gjeni shërim, dije dhe mirëqenie nga këto devijime – me lejen e Allahut të Lartësuar –. Me dijetarët kam për qëllim ata dijetarë për të cilët është dëshmuar për ta, siç është Shejkh Abdul-Aziz Ali Shejkh, Shejkh Salih el-Feuzan, Shejkh Gudejan dhe të tjerë nga vëllezërit e tyre. Islami dhe muslimanët kanë dobi prej tyre. Allahu ua shpërbleftë me më të mirën për atë që bëjnë për Islamin dhe Muslimanët. Amin.

Përktheu: Jeton Shasivari