Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Burimi: Ligjëratë me titull: “el-Firak el-Mu’asirah el-Munharifeh – Xhema’atu el-Ikhuan el-Muslimin 1” min. 01:08:08

 

 

Natyrisht, grupi “Vëllazëria Muslimane” në kohët e mëvonshme, vërejtën se për shkak të moskujdesit të tyre që kishin ndaj Teuhidit, bëri që shumë njerëz të largohen prej tyre dhe si rrjedhojë e kësaj, na doli në shesh një fasadë e re dhe e zhvilluar e Ikhuanëve (Vëllazërisë Muslimane), e ajo është: Sururizmi [1]. Sururizmi është tamam sekti i Ikhuanëve, porse i lustruar nga jashtë. Me çfarë? Me dy gjëra:

E para: Shfaqjen e kujdesit për diturinë.    

E dyta: Shfaqjen e kujdesit për Teuhidin.

 

Megjithëkëtë, nëse mediton rreth gjendjes së tyre, do të vëresh dy gjëra se pse ata kujdesen për diturinë dhe Teuhidin:

Gjëja e parë: kjo shfaqje e kujdesit të tyre është mjet për të tërhequr njerëz drejt ideologjisë së tyre; është një karrem. Andaj, unë po ju sjell një shembull për këtë: Sefer el-Hauali – i cili është një nga kokat e udhëheqësve të Sururijve – dikur shpjegonte Akiden Tahauije. Pas ikindie shpjegonte Akiden Tahauije, kurse pas akshamit mbante ligjëratë ideologjike në të cilën e pohonte metodologjinë e Sururijve, të cilët janë prej Ikhuanëve.

 

(Shembulli tjetër): Selman el-Aude – i cili është nga të mëdhenjtë e Sururijve – shpjegonte librin “Bulugul-Meram”. Në fillimin e shpjegimit të këtij libri, një hadith e shpjegonte me një kasetë të plotë. Pastaj, pas një kohe jo shumë të gjatë, në një pjesë të kasetës shpjegonte 4 a 5 hadithe dhe në pjesën tjetër fliste për ideologjinë dhe metodologjinë sipas rrugës së Sururijve.

 

Andaj, përmes studimit dhe analizimit vërejmë se Sururijt me shfaqjen e kujdesit për diturinë fetare, mësimet e diturisë dhe kujdesin për Teuhidin, e kanë si karrem për t’i gjuajtur njerëzit drejt ideologjisë dhe metodologjisë së tyre. Për këtë arsye, Selman el-Aude thotë: “Teuhidi mësohet për 10 minuta!” Këtë Teuhid për të cilin Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e çoi gjithë jetën e tij që kur u dërgua dhe derisa vdiq duke thirrur drejt tij, mësohet për 10 minuta! Kjo është gjëja e parë të cilën po e vëren te kujdesi i Sururijve Ikhuanij – ngaqë Sururijt janë vetë Ikhuanët – që kanë për diturinë dhe Teuhidin.

 

Gjëja e dytë të cilën po e vëren tek ata është: kujdesi i tyre është në përgjithësi e nuk është në hollësi. Kur ata flasin për Teuhidin, nuk flasin për të në hollësi që t’i shpjegojnë format e shirkut që janë aktuale dhe që ndodhin në këtë kohë, etj., porse ata flasin në përgjithësi. Kjo gjë duket dhe vërehet tek ata. Pra, një nga rreziqet e Ikhuanul-Musliminëve është se ata e zhvlerësojnë thirrjen për në Teuhid – thirrjen e Pejgamberëve dhe të Dërguarve. Po ashtu kanë kundërshtime të rrezikshme në çështjet e Teuhidit dhe nuk janë aktivë në thirrjen për në Teuhid. Për këtë gjë që kanë ikhuanët kanë paralajmëruar dijetarët, siç është Shejkh Ibën Bazi [2] – Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhëruar e mëshiroftë.

 

____________

[1] Lexo këtë artikull për të mësuar më shumë për Sururizmin: https://selefi.org/index.php/sektet/70-sururite/2479-cfare-eshte-sururizmi-dhe-cfare-ndryshimi-ka-mes-tij-dhe-ikhuanizmit-shejkh-muhamed-aman-el-xhamij

[2] Për të lexuar për këtë paralajmërim të Shejkh ibën Bazit kundër Ikhuanëve, kliko në këtë link: https://selefi.org/index.php/sektet/68-ikhuanul-muslimin/1781-ikhuanul-musliminet-nuk-jane-aktive-ne-thirrjen-per-ne-teuhid-dhe-qortim-te-shirkut-shejkh-bin-baz

 

 

 Përktheu: Jeton Shasivari