Bismilah...

Autor: Komisioni i Përhershëm për Kërkime Akademike dhe Fetva

Burimi: Fetvat e Komisionit të Përhershëm, vëll. 22, fq. 150

Pyetje: Cili i është gjykimi i përdorimit të alkoolit që gjendet në ushqime dhe pije?

Përgjigje: Ajo gjë që përzihet me lëndën e alkoolit, nëse përdorimi i saj i shumtë është dehës, atëherë nuk lejohet përdorimi i saj i shumtë apo i paktë, qoftë ai ushqim, pije, parfum apo ilaç. Për shkak të Fjalës së Allahut të Lartësuar:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا إِنَّمَا الْخَمْرُ وَالْمَيْسِرُ وَالْأَنصَابُ وَالْأَزْلَامُ رِجْسٌ مِّنْ عَمَلِ الشَّيْطَانِ فَاجْتَنِبُوهُ لَعَلَّكُمْ تُفْلِحُونَ ﴿٩٠﴾ إِنَّمَا يُرِيدُ الشَّيْطَانُ أَن يُوقِعَ بَيْنَكُمُ الْعَدَاوَةَ وَالْبَغْضَاءَ فِي الْخَمْرِ وَالْمَيْسِرِ وَيَصُدَّكُمْ عَن ذِكْرِ اللَّـهِ وَعَنِ الصَّلَاةِ فَهَلْ أَنتُم مُّنتَهُونَ

“O ju që besoni. Me të vërtetë, lëndët dehëse (vera dhe çdo lëndë tjetër dehëse), bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e shejtanit. Prandaj, largohuni nga këto, me qëllim që të mund të shpëtoni! Vërtet, shejtani me mjetet dehëse dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju pengojë nga përmendja e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a nuk po hiqni dorë?” el-Maideh, 90-91

Dhe fjala e Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

مَا أَسْكَرَ كَثِيرُهُ فَقَلِيلُهُ حَرَامٌ

“Ajo që të deh kur merret në sasi të mëdha, është e ndaluar që të merret edhe në sasi të vogla.”

Dhe fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem:

تداووا عباد الله ولا تتداووا بحرام فإن الله ما أنزل داء إلا أنزل له دواء

“Kurohuni o ju robër të Allahut, e mos u kuroni me atë që është e ndaluar. Ngase Allahu nuk ka zbritur sëmundje vetëm se e ka zbritur edhe kurën e saj përkatëse.”

Transmeton Imam Ahmedi, Ebu Daudi dhe Tirmidhiu.

Allahu – i Pastri nga çdo mangësi – ka treguar se vera është e ndytë dhe ka urdhëruar që ajo të shmanget. Prandaj, është obligim që ajo të shkatërrohet, sepse mbajtja dhe ruajtja e saj është mjet që të çon në konsumimin e saj. Po ashtu, kur ka zbritur (ajeti) për ndalimin e verës, Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – urdhëroi që ajo të derdhet në tregjet e Medinës.

Ndërsa, nëse ato (ushqimet apo pijet) që përzihen me lëndën e alkoolit e që nuk dehin nëse merren në sasi të mëdha, atëherë nuk ka problem që të konsumohen, sepse ato nuk janë verë.

Prej Allahu vjen suksesi. Lëvdata dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Pejgamberin tonë Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij.

Anëtar: Bekër bin Abdullah Ebu Zejd

Anëtar: Salih bin Feuzan el-Feuzan

Zëvendëskryetar: Abdul-Aziz bin Abdullah Ali Shejkh

Kryetar: Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz

Përktheu: Jeton Shasivari