Bismilah...

Autor: el-Husejn bin Mesud bin Muhamed el-Ferraa el-Begauij (516 h.)

Burimi: Tefsirul Begauij, 2/11, botimi “Daru Tajjibeh”.

 

 

Thotë Allahu i Lartësuar në Kur'an:

﴿رَبَّنَا لَا تُزِغْ قُلُوبَنَا بَعْدَ إِذْ هَدَيْتَنَا وَهَبْ لَنَا مِن لَّدُنكَ رَحْمَةً  إِنَّكَ أَنتَ الْوَهَّابُ﴾

“O Zoti ynë, mos na i devijo zemrat tona pasi që na udhëzove, dhe na dhuro mëshirë prej Vetes Tënde! Me të vërtetë që Ti je Dhurues i Madh.” [Al-'Imran, 8]

 

Thotë Imam el-Begauij në komentimin e këtij ajeti:

Fjala e të Lartësuarit: “O Zoti ynë, mos na i devijo zemrat tona...” Për domethënien e këtij ajeti ata që janë të thelluar në dije thonë:

“Mos i devijo zemrat nga e vërteta dhe udhëzimi, ashtu siç i devijove zemrat e atyre që kishin devijim në zemrat e tyre.”  

 

Fjala e Tij: “...pasi që na udhëzove...” D.m.th. na udhëzove drejt Fesë Tënde dhe na mundësove të besojmë në ajetet e qarta dhe në ato që nuk janë plotësisht të qarta, të cilat gjenden në Librin Tënd!

 

Fjala e Tij: “...dhe na dhuro prej Vetes Tënde...” D.m.th. na jep prej Vetes Tënde!

 

Fjala e Tij: “...mëshirë...” D.m.th. sukses dhe qëndrueshmëri në atë të cilën ndjekim, e që janë Imani dhe udhëzimi. Ka thënë ed-Dahak (Allahu e mëshiroftë) për fjalën “mëshirë” se do të thotë: “Tolerim dhe falje.”

 

Fjala e Tij: “Me të vërtetë që Ti je Dhurues i Madh.” Në lidhje me këtë transmeton en-Neuas ibn Sem'an el-Kilabij, i cili thotë: I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

ما من قلب إلا وهو بين أصبعين من أصابع الرحمن ، إذا شاء أن يقيمه أقامه وإن شاء أن يزيغه أزاغه

“Çdo zemër është midis Dy Gishtave prej Gishtave të Rrahmanit (të Gjithëmëshirshmit), nëse dëshiron që ta bëjë të qëndrueshme atë, e bën të qëndrueshme; e nëse dëshiron që ta devijojë atë, e devijon!”

 

Gjithashtu, i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – thoshte:

اللَّهُمَّ يَا مُقَلِّبَ الْقُلُوبِ ثَبِّتْ قُلُوبَنَا عَلَى دِينِكَ، وَالْمِيزَانُ بِيَدِ الرَّحْمَنِ يَرْفَعُ قَوْمًا وَيَضَعُ آخَرِينَ إِلَى يَوْمِ الْقِيَامَةِ

 “O Allah, o Ti që i rrotullon zemrat, forcoji zemrat tona në Fenë Tënde. Peshorja është në Dorën e Rrahmanit, ai e ngre një popull dhe e ul një tjetër, derisa të vijë Dita e Gjykimit.” [1]

 

Pra peshorja është në Dorën e të Gjithëmëshirshmit, disa njerëz i ngre dhe disa të tjerë i humb.

Gjithashtu transmeton Ebu Musa el-Esharij – radijAllahu anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – ka thënë:

مَثَلُ الْقَلْبِ كَرِيشَةٍ بِأَرْضِ فَلَاةٍ تُقَلِّبُهَا الرِّيَاحُ ظَهْرًا لِبَطْنٍ

“Zemra është si penda e zogut në një tokë të shkretë, të cilën e rrotullojnë erërat poshtë e lart.” [2]

 

 

Fundnotat:

[1] E ka nxjerrë Imam Ahmedi në “el-Musned” nga en-Nauasi (4/182), Ibën Maxheh në “el-Mukaddimeh - Babu fi ma enkeret el-Xhehmijeh” (1/72), dhe në “ez-Zeuaid” ka thënë: “Isnadi është i saktë.” Po ashtu gjendet te libri “Sherhu Sunneh” i Begauijut (1/166).

 

[2] E ka nxjerrë Ibën Maxheh në “el-Mukaddimeh” nr. 88 (1/34), Imam Ahmedi në “el-Musned” (4/408) nga Ebu Musa el-Esharij me isnad të saktë, po ashtu Begauiju e ka sjellë në “Sherhu Sunneh” (1/164).

 

Përktheu: Servet Mata