Autor: Shejkh Abdur-Rahman bin Nasir es-S’adi (v.1376h)
Burimi: Tefisu el-Kerimi er-Rahman fi Tefssiri el-Kelami el-Mennan, 1/246
Thotë Allahu i Lartësuar në Kur’an:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا عَلَيْكُمْ أَنفُسَكُمْ ۖ لَا يَضُرُّكُم مَّن ضَلَّ إِذَا اهْتَدَيْتُمْ ۚ إِلَى اللَّـهِ مَرْجِعُكُمْ جَمِيعًا فَيُنَبِّئُكُم بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ
“O ju që keni besuar përkujdesuni për veten tuaj! Nuk ju dëmton dot juve ai që ka devijuar nëse i përmbaheni rrugës së drejtë. Të gjithë ju do të ktheheni tek Allahu, dhe Ai do t’ju njoftojë për atë që keni punuar.” [El-Maideh, 105]
Thotë i Lartësuari:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا عَلَيْكُمْ أَنْفُسَكُمْ
“O ju që keni besuar përkujdesuni për veten tuaj!”
Domethënë: duke e përmirësuar dhe plotësuar veten tuaj, si dhe duke iu përmbajtur rrugës së drejtë, sepse nëse ju përmirësoheni, atëherë nuk ju dëmton juve ai që devijon nga rruga e drejtë dhe nuk udhëzohet për në Fenë e vërtetë, por në realitet, ai e dëmton vetëm veten e vet!
E gjithë kjo, nuk tregon se urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja, nuk e dëmtojnë robin nëse i lë ato dhe nuk tregon kujdes për to, sepse udhëzimi i tij nuk plotësohet vetëm se nëpërmjet urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja të cilën ai e ka detyrë! Nëse njeriu nuk ka mundësi të ndalojë nga e keqja me dorën dhe me gjuhën e tij, por e urren atë me zemrën e tij, atëherë atë nuk e dëmton devijimi i të tjerëve.
Fjala e Tij:
إِلَى اللَّهِ مَرْجِعُكُمْ جَمِيعًا
“Të gjithë ju do të ktheheni tek Allahu.”
Do të thotë: kthimi juaj Ditën e Gjykimit dhe grumbullimi juaj përpara Allahut të Lartësuar.
Fjala e Tij:
فَيُنَبِّئُكُمْ بِمَا كُنْتُمْ تَعْمَلُونَ
“Do t’ju njoftojë për atë që keni punuar.”
Domethënë: qofshin vepra të mira ose të këqija.
Përktheu: Servet Mata