Nxënësi: Ka thënë Allahu i Lartësuar:
﴿سَنَسۡتَدۡرِجُهُم مِّنۡ حَيۡثُ لَا يَعۡلَمُونَ وَأُمۡلِي لَهُمۡۚ إِنَّ كَيۡدِي مَتِينٌ﴾
“Ne do t’i shpiem gradualisht në shkatërrim, andej nga ata nuk e dinë fare! Unë po ua shtyj afatin atyre se me të vërtetë që kurthi Im është shumë i fortë.” [el-A’raf, 182-183]
Ka thënë dikush nga Selefët për tefsirin e këtij ajeti: “Sa herë që ata bëjnë një gjynah, Ne u japim atyre një mirësi!”
_______________________
Shejkh ‘Abdurr-Rrazzak el-Bedër: “Sa herë që ata bëjnë një gjynah, Ne u japim atyre një mirësi!” Kjo është një tërheqje graduale drejt shkatërrimit për qafirin. Gjithashtu, kjo është një tërheqje graduale drejt shkatërrimit për atë që është në të pavërtetën, për gjynahqarin. Sa herë që ai bën një gjynah, atij i jepet një mirësi, e me këtë mirësi që iu dha, atij i gënjen mendja se nuk ka bërë ndonjë gjë të rrezikshme, nuk ka bërë ndonjë krim të pështirë. Pikërisht kjo është tërheqje graduale drejt shkatërrimit. Njeriu duhet të kuptojë se, kur ai shikon te vetja e tij që nuk po heq dorë nga gjynahet dhe mëkatet, e në të njëjtën kohë vazhdojnë që t’i vijnë mirësitë e dynjasë, ndërkohë që kënaqësitë e dynjasë janë të përkohshme, atëherë pikërisht kjo është për të një tërheqje graduale drejt shkatërrimit.”
Përktheu: Alban Malaj