Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz

Burimi: Mexhmu’ Fetaua Ibën Baz (24/249-251)

 

Pyetje: Cili është kuptimi i Fjalëve të Allahut në suren err-Rra’d:

إِنَّ ٱللَّهَ لَا يُغَيِّرُ مَا بِقَوۡمٍ حَتَّىٰ يُغَيِّرُواْ مَا بِأَنفُسِهِمۡۗ

“Me të vërtetë Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetet e tyre.” [err-Rra’d, 11]

 

Përgjigje: Ky ajet fisnik është një ajet madhështor, i cili tregon se Allahu - Tebarake ue Te’ala - me Drejtësinë e Tij të përsosur dhe Urtësinë e Tij të përsosur nuk e ndryshon gjendjen e një populli, nga e mira në të keqe apo nga e keqe në të mirë, nga rehatia në vështirësi apo nga vështirësia në rehati, derisa ata të ndryshojnë gjendjen e tyre.

 

Kështu që, nëse ata janë në gjendje të mirë dhe janë të drejtë, pastaj e ndryshojnë gjendjen e tyre, atëherë Allahu do t'ua ndryshojë gjendjen duke u dhënë dënime, fatkeqësi, vështirësi, shterpësi, thatësi, përçarje dhe ndëshkime të llojeve të ndryshme, shpërblim për ta ashtu siç e meritojnë. Ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

وَمَا رَبُّكَ بِظَلامٍ لِلْعَبِيدِ

“Dhe Zoti jot nuk është i padrejtë ndaj robërve.” [Fussilet, 46]

 

Ose, i Përsosuri nga çdo e metë mund t’u japë kohë dhe t’ua vonojë ndëshkimin që ata të kthehen, e nëse jo, atëherë i mbërthen ata duke qenë të pavëmendshëm, siç ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

فَلَمَّا نَسُوا مَا ذُكِّرُوا بِهِ فَتَحْنَا عَلَيْهِمْ أَبْوَابَ كُلِّ شَيْءٍ حَتَّى إِذَا فَرِحُوا بِمَا أُوتُوا أَخَذْنَاهُمْ بَغْتَةً فَإِذَا هُمْ مُبْلِسُونَ

“Kur ata i hodhën mbas shpine paralajmërimet Tona, Ne ua hapëm dyert e çdo mirësie. Por, sapo po gëzoheshin me atë që u dhamë, Ne i dënuam befasisht dhe sakaq, ata u zhytën në dëshpërim.” [el-En’am, 44]

 

Domethënë ata u dëshpëruan nga çdo e mirë. Allahut i lutemi që të na mbrojë nga dënimi dhe hakmarrja e Tij.

 

Ata edhe mund të lihen deri në Ditën e Kijametit, kështu dënimi i tyre do të jetë shumë herë më i rëndë, siç ka thënë i Përsosuri nga çdo e metë:

وَلا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ غَافِلًا عَمَّا يَعْمَلُ الظَّالِمُونَ إِنَّمَا يُؤَخِّرُهُمْ لِيَوْمٍ تَشْخَصُ فِيهِ الْأَبْصَارُ

“Mos mendo kurrsesi që Allahu nuk e vëren atë që bëjnë zullumqarët! Ai vetëm ua shtyn (dënimin) deri në Ditën, kur sytë e tyre do të zgurdullohen (nga tmerret që do të shohin).” [Ibrahim, 42]

 

Kuptimi është që ata do të lihen dhe do të shtyhen deri kur të vdesin, dhe kjo do t’ua bëjë shumë herë më të rëndë dënimin dhe ndëshkimin. Ose mund të jenë në të këqija, fatkeqësi e gjynahe, pastaj pendohen tek Allahu, kthehen tek Ai, ndjehen keq për ato që kanë bërë dhe drejtohen në bindje ndaj Allahut, kështu Allahu ua ndryshon gjendjen e tyre, nga mjerimi dhe përçarja, nga vështirësia dhe fukarallëku, në pasuri e mirësi, në bashkim dhe përmirësim të gjendjes, si shkak i veprave të tyre të mira dhe pendimit të tyre tek Allahu – Subhanehu ue Te’ala.

 

Dhe thuhet në një ajet të tjetër:

ذَلِكَ بِأَنَّ اللَّهَ لَمْ يَكُ مُغَيِّرًا نِعْمَةً أَنْعَمَهَا عَلَى قَوْمٍ حَتَّى يُغَيِّرُوا مَا بِأَنْفُسِهِمْ

“Kjo ndodh sepse Allahu nuk ia ndryshon kurrë një mirësi që ia ka dhënë një populli, derisa ata të ndryshojnë atë që kanë në veten e tyre.” [el-Enfal, 53]

 

Ky ajet na sqaron se ata nëse janë në begati, pasuri e mirësi, pastaj ndryshojnë duke bërë gjynahe, Allahu ua ndryshon gjendjen atyre. Dhe s’ka ndryshim e fuqi përveç se nga Allahu. Ose atyre mund t’u vonohet dënimi – siç u përmend më përpara – ose kundërta (mund t’u vijë menjëherë). Ose nëse ata janë duke bërë punë të këqija, gjynahe apo kufër apo janë në devijim, pastaj ndjejnë keqardhje në vetet e tyre për ato që bëjnë dhe pendohen e drejtohen në bindje ndaj Allahut, Allahu ua ndryshon gjendjen atyre, nga gjendja e keqe në gjendje të mirë, nga përçarja në bashkim e harmoni, nga vështirësia në begati, mirëqënie e pasuri, nga thatësi e shterpësi në reshje shiu dhe të mbjella në tokë, si dhe lloje të tjera të mirësive.

 

 

Përktheu: Alban Malaj