Bismilah...

Autor: Abdur-Rahman bin Nasir es-S’adij (1307-1376 h.)

Burimi: Tejsiru Kerimi Rahman, botimi “Daru Selam”, fq. 1169

 

 

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit 

﴿قُلْ هُوَ اللَّـهُ أَحَدٌ ﴿١ اللَّـهُ الصَّمَدُ ﴿٢ لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ ﴿٣ وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ ﴿٤

“Thuaj! Ai është Allahu, Ai është Një dhe i Vetëm! Allahu është Es-Samed! Ai as nuk ka lindur kënd, dhe as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë dhe i krahasueshëm me Të.” El-Ikhlas, 1- 4

Fjala e Tij:

﴿قُلْ هُوَ اللَّـهُ أَحَدٌ 

“Thuaj! Ai është Allahu, Ai është Një dhe i Vetëm!"

Fjala “thuaj” do të thotë: duke qenë plotësisht i bindur në të, duke e besuar atë dhe duke e ditur domethënien e saj.

هُوَ اللَّهُ أَحَدٌ﴿

"Ai është Allahu, Ai është Një dhe i Vetëm."

D.m.th. të qenët Unik dhe i Vetëm është cilësi e pandashme e Tij. Pra, ai është i Vetmi, i Cili veçohet me përsosmëri. Ai i Cili ka Emrat më të bukur, Cilësitë më të plota e më të larta dhe vepra të shenjta! Ai është i Cili nuk ka të barabartë me Të e as të ngjashëm.

Fjala e Tij:

﴿اللَّـهُ الصَّمَدُ 

"Allahu është Es-Samed."

D.m.th. Atij i drejtohen krijesat për të gjitha nevojat e tyre. Pra, krijesat e botës së sipërme dhe asaj të poshtme janë të nevojshëm jashtë mase për Të. Ato i kërkojnë Atij nevojat e tyre dhe i drejtohen për çështjet e tyre, sepse Ai është më Cilësi të plota, është i Gjithëdijshmi i Cili posedon dije të plotë, ai është el-Halim [1], është Mëshirues i cili posedon mëshirën e plotë dhe Mëshira e Tij përfshin çdo gjë! Kështu janë të gjitha Cilësitë e tjera të Tij.

 

Fjala e Tij:

﴿لَمْ يَلِدْ وَلَمْ يُولَدْ ﴿٣

"Ai as nuk ka lindur dikë dhe as nuk është i lindur."

Prej përsosmërisë dhe plotësisë së Tij është se "Ai as nuk ka lindur dikë, dhe as nuk është i lindur." Për arsye se ai është i Vetëmjaftueshmi; i Cili nuk është nevojtar për asgjë.

Fjala e Tij:

﴿وَلَمْ يَكُن لَّهُ كُفُوًا أَحَدٌ ﴿٤

"Dhe askush nuk është i barabartë dhe i krahasueshëm me Të.”

As në Emrat e Tij, as në Cilësitë e Tij, as në Veprimet e Tij, i Madhëruar dhe i Lartësuar është Ai. Pra, kjo Sure përfshin Teuhidin e Emrave dhe Cilësive.

 

________________________

[1] (Shënim i përkthyesit): Shejkh Abdur-Rezak el-Bedër për domethënien e Emrit të Allahut “el-Halim” thotë: “el-Halim do të thotë: Ai i cili nuk shpejton që t’i dënojë robërit e Tij për shkak të gjynaheve dhe mosbindjes së tyre; Ai i sheh se robërit e Tij e mohojnë Atë dhe nuk i binden Atij, kurse Ai i mëshiron dhe i duron. Kështu Ai pret, vështron, e shtyn për më vonë dhe nuk ngutet; Ai nuk ua ndërpret begatitë dhe të mirat e Tij megjithëse ata nuk i binden dhe i shtojnë gjynahet dhe kundërshtimet. Pra, Ai i mëshiron dhe i duron mëkatarët me mëkatet e tyre që bëjnë; i duron dhe i mëshiron ata në mënyrë që të pendohen, e nuk ua sjell dënimin, me qëllim që ata të pendohen plotësisht dhe të kthehen.” Fikhul Esma el-Husna, fq. 209

 

Përktheu: Servet Mata