Bismilah...

Mësimi i njëmbëdhjetë

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut, lavdërimet dhe shpëtimi i Allahut qofshin për Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij, Shokët e tij, Tabi’inët dhe për të gjithë ata që i pasuan me mirësi deri në Ditën e Kijametit.

E më pas:

Tri çështje, Muslimani i ka detyrë që t’i mësojë dhe të punojë me to.

Tha Imami dhe Muxhedidi, Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab - rahimehullah -:

“Dije – Allahu të mëshiroftë – se është obligim për çdo Musliman e Muslimane që t’i mësojë këto tri çështje dhe të punojë me to.”

Fjala e Imamit dhe Muxhedidit: “Dije”: kjo fjalë përdoret për të tërhequr vëmendjen për atë që do të përmendet mbas saj.

Kuptimi i saj është: mëso, kupto dhe bindu. Fjala “Dije” është folje urdhërore. Ai të nxit dhe të urdhëron që të mësosh këto tri çështje. Dhe kjo është nga metoda e autorit - rahimehullah -, siç e kemi përmendur edhe më herët fjalën e tij: “Dije - Allahu të mëshiroftë -…”, si dhe do të vijë më mbas fjala tjetër e tij: “Dije - Allahu të udhëzoftë në bidjen ndaj Tij -…”, si dhe fjalë të tjera të ngjashme. Pra, ai nxit për dije dhe vepra.

Pastaj tha: “Dije - Allahu të mëshiroftë -…”. Kjo është lutje nga Imami dhe Muxhedidi - rahimehullah -, për kërkimin e mëshirës. Kjo tregon për këshillën e sinqertë të autorit - rahimehullah -, dashurinë e tij për ata të cilët po i thërret dhe dhembshurinë e tij për ta. Pra, ai i thërret ata dhe e fillon fjalën e tij duke u lutur për ta, në mënyrë që ajo të jetë më e pranueshme për ta dhe ata ta dëgjojnë me vëmendje e ta pranojnë këtë libër dhe këto çështje. Mësuesi duhet që të dalë përpara kërkuesit të dijes me dhembshuri dhe mëshirë, si dhe t’ia dojë të mirën atij.

Pastaj ai tha: “Dije - Allahu të mëshiroftë - se është obligim për çdo Musliman e Muslimane…”

Fjala e tij “se është obligim”: obligimi“el-uuxhuub” është i njohur tek dijetarët e Usulit, se kush e vepron atë shpërblehet dhe kush e lë dënohet. Origjina e fjalës “uuxhub” në gjuhën Arabe është “eth-thubuut” (palëkundshmëri) dhe “el-istikrar” (qëndrueshmëri). Thuhet: “uexhebe kedha”, d.m.t.h “thebete” dhe “istekarra”, që do të thotë: kjo gjë u bë e palëkundur, u bë e qëndrueshme. Ka thënë Allahu - Xhel-le ue ‘Alaa -:

فَإِذَا وَجَبَتْ جُنُوبُهَا

“Kur ato të bien në tokë...” el-Haxh, 36

Domethënë, kur bagëtitë të bien në tokë dhe të mos lëvizin më, të jenë të vdekura, pasi që u therën.

Fjala e tij “është obligim” tregon se ky është urdhër dhe nuk është gjë e pëlqyeshme, nëse do e merr e nëse do e lë. Kjo është detyrim nga Allahu - Subhanehu ue Te’ala -. Nuk është ky obligim nga ana e Shejkhut, porse është nga ana e Allahut - ‘Azze ue Xhel-le. Ai e ka zbritur urdhërimin e këtyre çështjeve për robërit në Kur`an dhe në Sunet.

[Çështje gjuhësore]:

Fjala e tij:

اعْلَم - رَحِمَكَ اللهُ أنّّهُ يَجِبُ على كلِّ مُسْلِمِِ و مُسْلِمَةِِ تَعَلُّمُ ثَلاثِ هَذِهِ الْمَسَائِلِ

“Dije – Allahu të mëshiroftë – se është obligim për çdo Musliman e Muslimane që t’i mësojë këto tri çështje dhe të punojë me to.”

Së pari, Shejkh Muhamed Aman el-Xhamij - rahimehullah - në shpjegimin e tij të “Tri Parimeve” e kundërshtoi këtë shprehje të autorit, dhe ishte i mendimit se shprehja e saktë duhet të ishte:

تََعَلُّمُ هَذِهِ المَسَائلِ الثلاثِ و العَمَلُ بِهِنَّ

Pra, në vend të fjalës së autorit:

تَعَلُّمُ ثَلاثِ هَذِهِ الْمَسَائِلِ

Shejkh Muhamed Aman el-Xhamij tha:

تََعَلُّمُ هَذِهِ المَسَائلِ الثلاثِ و العَمَلُ بِهِنَّ

Pra, çdokush që është i ngarkuar me detyrat sheriatike, mashkull apo femër, i lirë qoftë apo skllav, e ka këtë detyrë individuale (që t’i mësojë këto tre çështje dhe të punojë me to). Njeriu dënohet nëse e lë këtë detyrë, nëse nuk i njeh këto çështje me dije të saktë, nuk beson në domethëniet e tyre dhe nuk punon me kërkesat e tyre, sepse puna është fryti i dijes. Ka thënë shejkhu jonë, Ahmed en-Nexhmij - rahimehullah -: “Me këto tri çështje njihet realiteti i Teuhidit. Autori - rahimehullah - i ka kufizuar këto çështje në tre, duke mbledhur dhe analizuar tekstet e Kur`anit dhe Sunetit.” Domethënë, ai nuk i nxorri ato nga vetja e vet, porse i nxorri ato nëpërmjet mbledhjes dhe analizimit të teksteve të Kur`anit dhe Sunetit, prej nga i mori këto tre çështje.

Fjala e tij: “se është obligim për çdo Musliman e Muslimane”, domethënë është obligim individual, për çdo Musliman dhe Muslimane, për atë që është ingarkuar me detyrat sheriatike, pasi që ka arritur moshën e pjekurisë dhe është i shëndoshë mendërisht.

Këto tri çështje që i ka përmendur Imami dhe Muxhedidi Muhammed Ibën ‘Abdil-Uehhab - rahimehullah - janë:

çështja e parë lidhet me Teuhidin Rububijeh;

çështja e dytë lidhet me Teuhidin Uluhijeh;

kurse çështja e tretë lidhet me miqësinë dhe armiqësinë në Islam (el-Uelaa` uel-Beraa`).

Këto janë çështje të rëndësishme, në të cilat hyjnë burrat dhe gratë, meshkujt dhe femrat, të lirët dhe skllevërit, sepse femra merr pjesë njësoj si burri në shumë prej obligimeve, përveç atëherë kur argumenti i specifikon burrat me një detyrë të caktuar, siç është obligimi i faljes së namazit me xhemat në xhami, namazi i Xhumasë, vizita e varrezave, Xhihadi në Rrugë të Allahut etj.. Pra, kur argumenti tregon se burrat janë specifikuar me një detyrë të caktuar, ai tregon se ajo detyrë është e veçantë vetëm për ata. Në të kundërt, parimi bazë është se burrat dhe gratë janë të barabartë në obligime dhe në largimin nga ndalesat dhe në ngarkesat e tjera sheriatike.

Kështu që, obligimi i burrave dhe grave është që të mësojnë çështjet e fesë së tyre, sidomos çështjet e Akijdes.

Pra, është detyrë që të mësohen këto tri çështje. Dhe mësimi do të thotë: ta marrësh dijen nga dijetarët, të mësosh përmendësh, të kuptosh dhe të njohësh. Nuk është për qëllim me të vetëm leximi apo informimi i lirë - siç thonë - porse është për qëllim marrja e dijes nga dijetarët. Dhe nuk lejohet që të merret dija vetëm nga librat, siç është gjendja sot, kur disa njerëz, disa studentë e marrin dijen vetëm nga librat dhe nuk e marrin nga dijetarët dhe as nuk i pyesin dijetarët. Dëmet e këtij njeriu janë më të mëdha sesa dëmi i atij që është injorant, sepse injoranti e di që është injorant dhe nuk e kalon kufirin e tij. Ndërsa ai që hiqet se ka dije mendon se është dijetar. Thotë shejkhu jonë, Shejkh Salih el-Feuzan - Allahu i dhëntë sukses -: “Ai që hiqet se ka dije mendon se është dijetar. Kështu, ai e bën hallall atë që Allahu e ka bërë harram, dhe e bën harram atë që Allahu e ka bërë hallall. Ai flet dhe thotë për Allahun gjëra për të cilat nuk ka dije. Dhe kjo është një çështje e rrezikshme.” Kështu thotë Shejkhu - Allahu e ruajt.

Lusim Allahun e Lartësuar, me Emrat e Tij të Bukur dhe Cilësitë e Tij të Larta, që të na japë neve dhe juve dije të dobishme, vepra të mira dhe sinqeritet në fjalë e vepra.

Po e mbyll me kaq.

Lavdërimet dhe paqja e Allahut qoftë mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin, si dhe për Familjen e tij dhe të gjithë Shokët e tij.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Alban Malaj