Bismilah...

 

Pyetje: Është ashpërsuar kohët e fundit divergjenca për sa i përket çështjes së personit që i braktis të gjitha veprat. Shpresojmë nga ju që ta sqaroni këtë çështje me një sqarim të detajuar, në mënyrë që të largohet pështjellimi dhe paqartësia.

A është qafir personi që i braktis të gjitha veprat?

A është në akiden e Murrxhiave ai që nuk e konsideron qafir atë person?

A është prej akides së Khauarixhëve dhe Muëtezilëve çështja e llojit të veprave të gjymtyrëve (xhins el-‘amel) dhe shtjellimi i saj me termat “shartus-sihati” (kusht për saktësinë e Imanit) dhe “shartul-kemal” (kusht për përsosmërinë e Imanit)?

 

Përgjigje: Selefët kanë ixhma (unanimitet), që nga Lindja e deri në Perëndim, e në çdo vend tjetër, se Imani është fjalë, besim dhe vepër dhe se vepra është prej Imanit. Kështu që, Imani është fjalë, besim dhe vepër dhe nuk arrihet Imani, përveç se me ekzistencën e fjalës, besimit dhe veprës. Dhe nga fjala e Selefëve që “Imani është fjalë, besim dhe zemër vepër”, kuptohet rrjedhimisht që nëse ekziston vetëm fjala dhe besimi, atëherë ai nuk konsiderohet Iman.

Lënësi i të gjitha veprave nuk e ka realizuar emrin e Imanit në vetvete. E kush e pohon Imanin për personin që i lë të gjitha veprat tërësisht, pa pasur asnjë justifikim për lënien e veprave apo duke pasur kohë të mjaftueshme për të bërë vepra, ne i themi atij: fute pretendimin tënd po munde te fjala që kanë thënë Selefët!

Por, ai s’mundet kurrsesi që ta fusë pretendimin e tij te fjala që kanë thënë Selefët për Imanin! Përveç nëse ai e heq fare veprën nga Imani dhe i kundërshton Selefët! Sepse fjala e Selefëve ka konsensus, që Imani duhet të ketë patjetër vepër dhe se Imani nuk ka se si të arrihet pa vepër.

Pastaj, Selefët kanë rënë në mospajtim: a është kjo vepër specifike apo është e papërcaktuar? Disa prej Selefëve ishin të mendimit se ajo është vepër specifike, që është namazi, rrjedhimisht s’ka Iman pa namaz.

Të tjerë prej Selefëve ishin të mendimit se ajo vepër është e papërcaktuar, por ajo është çdo vepër me të cilën i afrohesh Allahut të Patëmeta e të Lartësuar. E prej këtu, të bëhet e qartë ndarja midis çështjes së mospajtimit që kanë pasur Selefët rreth tekfirit mbi atë që lë katër shtyllat e Islamit, përveç dy dëshmive të Islamit, si dhe çështjes së veprës në Iman. Pra, secila është një çështje më vete. E për shkak të pështjellimit që u bë mes këtyre dy çështjeve, ndodhën gabime që iu mveshën Selefëve - mbi ta qoftë Kënaqësia e Allahut! Kështu që, këtu s’ka mospajtim. Ne e analizuam fjalën e Selefëve në përkufizimin e Imanit. Te Selefët, vepra është prej Imanit dhe realiteti i Imanit është që ai përbëhet nga fjala, nga besimi dhe nga vepra. Pastaj, ata ranë në mospajtim për sa i përket kësaj vepre: a është ajo vepër specifike apo e papërcaktuar? Nga kjo gjendje del vetëm ai person që nuk i mjaftoi koha që të bënte vepra, kështu që, vendosmëria e tij në shehadet konsiderohet vepër. Një person tha: Esh-hedu en la ilahe il-lAllah ue esh-hedu enne Muhammeden RasuulUllah! E tha duke qenë i bindur në zemrën e tij dhe pastaj vdiq. Nuk i mjaftoi koha që të bënte vepra. Po të kishte qenë i gjallë sa të mësonte namazin, ai do të ishte falur. Kështu që, te ky njeri, vendosmëria e tij në shehadet konsiderohet vepër.

Ose del personi që ka justifikim, siç do të ndodhë në fundin e kohës, atëherë kur do të fshihet dituria dhe nuk do t’i mbesë muslimanit asnjë dituri nga Islami, përveç shehadetit.

Përveç këtyre dy rasteve, nuk përjashtohet askush tjetër. E me këtë shpjegim bëhet bashkimi ndërmjet argumenteve sheriatike.

Po ai që përmend mospajtimin e Selefëve për tekfirin mbi atë që lë katër shtyllat e Islamit nga dembelizmi, që janë: haxhi, zekati, agjërimi dhe namazi, a konsiderohet se ka kundërshtuar çështjen e veprës në Iman? Përgjigja është jo. Mospajtimi që kanë pasur Selefët për sa i përket tekfirit mbi atë që lë këto katër shtyllat e Islamit, është i vërtetuar dhe i njohur, domethënë kur i lë ato nga dembelizmi.

A është murrxhi secili që thotë se Imani mund të ekzistojë pa vepër? Përgjigja ime është se: kush thotë se Imani mund të ekzistojë pa vepër, në mënyrë absolute, ai është gabimtar. Pastaj, shikojmë se cila është origjina e tij. Nëse origjina e tij është se ai pason argumentin dhe se ai shikon argumentet, ai i ka kuptuar gabim argumentet dhe nuk i atribuohet bidatit dhe as bidatçijve. E nëse origjina e tij është irrxhaja, që vepra nuk është prej Imanit por është prej kërkesave të Imanit, ose që vepra nuk ka lidhje me Imanin, atëherë ky është dallimi midis irxhasë së Murrxhiave Fukaha dhe murrxhiave të tjerë. Murrxhiat Fukaha thonë se vepra nuk është prej Imanit, por ajo është prej kërkesave të Imanit. Murrxhiat e tjerë thonë se vepra nuk ka lidhje me Imanin kurrsesi! Ata janë murrxhiat ekstremistë. Parimi bazë i kësaj irrxhaje është se Imani, as nuk shtohet, as nuk pakësohet. Këtë pra, e thonë murrxhiat. E pikërisht ky është kuptimi i fjalës që ka thënë Imam Ahmedi e të tjerë veç tij, se kush thotë që Imani shtohet dhe pakësohet, ai njeri është i pastër nga irrxhaja.

Kështu që, kini mendjen te kjo çështje o vëllezër: çdokush që thotë se Imani ekziston pa vepër, në mënyrë absolute, pa pasur justifikim apo për shkak të kohës së shkurtër që nuk mjafton për të vepruar, ai njeri është gabimtar dhe ka kundërshtuar parimin që kanë sqaruar Selefët. Pastaj, nëse origjina e tij është se ai e bazon fjalën e tij në argumente, ai njeri ka gabuar në kuptimin e argumenteve dhe nuk i atribuohet bidatit, nuk lejohet që të bashkangjitet me bidatçijtë si dhe është haram që të akuzohet me bidat. E nëse origjina e tij është se ai ka parimet e murrxhiave, atëherë ai është murrxhi.

A kanë folur Selefët për termin “xhins el-‘amel”? Ata s’kanë pasur nevojë që të flasin me këtë term e as me terma të tjera si kjo! Fjala e tyre është e qartë: Imani është fjalë, besim dhe vepër! Çdokush nga Selefët ka thënë: Imani është fjalë, besim dhe vepër! Asnjëri prej tyre nuk e ka sjellë këtë çështje, që kush lë veprën është njeri me Iman! Por, kur u acarua kjo çështje, atëherë lindi nevoja që të përdoren terma që bëjnë ndarje: disa prej tyre thanë që vepra është “shart es-sihati” (vepra është kusht për saktësinë e Imanit), edhe pse nga ana terminologjike ky term është i gabuar, ngaqë kushti është jashtë esencës së Imanit. Mirëpo, ata e toleruan këtë term duke marrë parasysh se për qëllim është që vepra duhet të jetë patjetër në Iman. Kurse, termi tjetër “shart kemal” (vepra është kusht për përsosmërinë e Imanit), jo, s’bën! A është ky kusht për çdo vepër? Jo, sepse Selefët kanë unanimitet se ajo që kërkohet është vepra, qoftë edhe një vepër e vetme! Kurse, sa i përket veprave të ndara, dihet që besimtari lë ndonjë obligim dhe mbetet besimtar, ose bën ndonjë gjynah dhe mbetet besimtar. Por, nëse ai i lë të gjitha veprat, atëherë ku është Imani? Selefët që të gjithë thonë se Imani është fjalë, besim dhe vepër. E kush na vjen dhe pohon që ka Iman pa vepër, në mënyrë absolute, atëherë ne i themi atij: hajde po munde fute këtë fjalë që po thua ti, te fjala që kanë thënë Selefët për Imanin? Por, ai s’ka mundësi që ta bëjë kurrë. Ky është shpjegimi i detajuar për këtë çështje. Nuk duhet të shkaktohet çoroditje te kjo çështje, nuk duhet të acarohen zemrat për këtë çështje. Përse nuk kthehemi te fjala që kanë thënë Selefët dhe të mjaftohemi me të!? Imani është fjalë, besim dhe vepër, shtohet me vepra të mira dhe pakësohet me gjynahe, vepra është prej Imanit dhe me kaq mjaftohemi! Nuk lejohet që të ndryshojmë parimet e besimit tonë ngaqë një Shejkh i nderuar te ne, të cilin e duam, ka thënë një fjalë ndryshe nga ajo që dimë ne për Imanin! Përkundrazi, ne ia njohim pozitën atij Shejkhut dhe nuk lejojmë që dikush ta gjuajë atë, ndërkohë që qëndrojmë të palëkundur në hak dhe në akiden e saktë.

Unë e lus Allahun e Plotfuqishëm e të Madhërishëm që të na japë kuptimin e saktë në fenë e Tij. Allahu i Lartësuar është më i Larti dhe më i Dituri! Salavatet dhe selami i Allahut qofshin mbi Profetin tonë.

 

Përktheu: Alban Malaj