Bismilah...

Autor: Shejkh 'Abdur-Rrahman Ibën Nasir es-Se'adij

Burimi: Mukaddimeh el-Kaul el-Mufijd Sherh Kitab et-Teuhijd

 

Ata besojnë në Allahun, në Melaiket e Tij, në Librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit dhe në Kader, në çdo gjë që vjen me të, e mirë apo e keqe. Ata dëshmojnë se Allahu është Zoti, i Adhuruari, Ai që e meriton adhurimin, i Veçuari me përsosmëri, prandaj ata adhurojnë vetëm Atë, duke e bërë adhurimin me sinqeritet vetëm për Të. Dhe ata thonë: Padyshim që Allahu është Krijuesi, Filluesi, Formëdhënësi, Furnizuesi, Dhuruesi, Privuesi, Sistemuesi i të gjitha çështjeve. Dhe Ai është i Adhuruari me të drejtë, i Adhuruari i veçuar me adhurim dhe qëllim, dhe se Ai është i Pari, para të Cilit nuk ka asgjë, dhe është i Fundit, pas të Cilit nuk ka asgjë, i Shfaquri, mbi të Cilin nuk ka asgjë, i Padukshmi, poshtë të Cilit nuk ka asgjë. Dhe Ai është i Larti, Më i Larti në çdo kuptim e në çdo aspekt, me Lartësinë e Qenies së Tij, me Lartësinë e Fuqisë së Tij dhe me Lartësinë e Mbisundimit të Tij. Ai u ngrit mbi Arsh, me një ngritje që i shkon për shtat Madhërisë dhe Lavdisë së Tij, si dhe me Lartësinë absolute mbi çdo gjë. Dhe Dija e Tij është gjithëpërfshirëse e gjithçkaje, të dukshme dhe të padukshme, të botës së lartme dhe asaj të poshtme, dhe se Ai është me robërit e Tij me Dijen e Tij; i di të gjitha gjendjet, dhe Ai është i Afërti dhe Dëgjuesi.

 

Ai me Qenien e Tij nuk ka nevojë për askënd nga krijesat e Tij, kurse gjithçka ka nevojë për Atë, që Ai t'i sjellë në jetë dhe t'u sjellë ato që kanë nevojë, në çdo kohë. Dhe Ai s'ka nevojë për askënd, qoftë edhe për një çast sa hap e mbyll sytë. Ai është i Buti dhe Mëshirëploti, dhe s'ka mirësi fetare apo dynjaje për robërit, apo largim të fatkeqësive, përveç se nga Allahu. Dhe është Ai i Cili i sjell mirësitë dhe i largon fatkeqësitë.

 

Dhe nga Mëshira e Tij është Zbritja e Tij çdo natë në qiellin e dynjasë dhe pret nevojat e robërve, kur ka mbetur një e treta e fundit e natës, dhe thotë: "Nuk pyes askënd për robërit e Mi; kush është ai që më lutet Mua që Unë t'i përgjigjem? Kush është ai që më kërkon që Unë t'i jap? Kush është ai që më kërkon falje që Unë ta fal?" Derisa të vijë sabahu. Pra, Ai zbret si të dojë dhe bën si të dojë. Asgjë nuk është si Ai, dhe Ai është Gjithëdëgjuesi dhe Gjithëshikuesi.

 

Ata besojnë se Ai është i Urti, i Cili ka urtësi të plotë në Ligjin e Tij dhe në Kaderin e Tij, dhe se Ai nuk krijon gjë kot, pa qëllim, dhe se Ai nuk i ka vendosur ligjet përveç se me dobi dhe urtësi.

 

Ai i jep sukses kujt të dojë për pendim, i shlyen gjynahet, është Falës i Madh, e pranon pendimin e robërve të Tij dhe ua fshin të këqijat, i fal gjynahet e mëdha për ata që pendohen, kërkojnë falje dhe kthehen tek Ai.

 

Ai është Falenderuesi, i Cili falenderon edhe për punën e vogël dhe u shton falenderuesve nga mirësia e Tij.

 

Ata e përshkruajnë Atë ashtu siç e ka përshkruajtur Ai Veten e Tij dhe ashtu siç e ka përshkruajtur i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –. Prej cilësive të Qenies së Tij janë: Jetë e përsosur, Dëgjimi dhe Shikimi, Fuqia absolute, Madhëria, Krenaria, Madhështia, Bukuria dhe Lavdia absolute.

 

Dhe prej cilësive të Tij veprore, që lidhen me Dëshirën dhe Fuqinë e Tij, janë: Mëshira, Kënaqja, Zemërimi, Fjala, dhe se Ai flet çfarë të dojë dhe si të dojë dhe Fjalët e Tij nuk shterojnë e nuk kanë fund.

 

Kur`ani është Fjala e Allahut dhe nuk është i krijuar, nga Ai ka ardhur dhe tek Ai do të kthehet. Dhe Ai është gjithmonë me cilësinë e të bërit atë çka do Ai, dhe të folurit si të dojë Ai, dhe të gjykuarit e robërve të Tij me gjykimet e Kaderit, me gjykimet e Sheriatit dhe gjykimet e shpërblimeve. Ai është Gjykuesi dhe Mbreti, kurse mbretërit e tjerë pos Tij merren në gjykim, dhe robërit s'mund të dalin dot nga sundimi dhe gjykimi i Tij.

 

Ata besojnë atë që ka ardhur në Kur`an dhe në hadithet me shumë rrugë transmetimi, se Besimtarët do ta shohin Zotin e tyre, Allahun e Lartësuar, me sytë e tyre drejt për drejt, dhe se mirësia e shikimit të Tij dhe ngadhënjimi me Kënaqësinë e Tij është mirësia dhe kënaqësia më e madhe.

 

Dhe çdokush që nuk vdes me Iman dhe me Teuhid do të jetojë përjetësisht dhe përgjithmonë në Zjarrin e Xhehenemit. Kur se ata që kanë gjynahe të mëdha, nëse vdesin pa u penduar dhe nuk gjejnë ndonjë shlyerje për gjynahet e tyre, e as ndonjë ndërmjetësim, ata edhe po hynë në Zjarr, nuk do të mbeten përgjithmonë atje, dhe nuk mbetet në Zjarr askush që ka në zemrën e tij Iman sa fara e sinapit, përveç se do të dalë prej andej.

 

Imani përfshin besimet dhe veprat e zemrave, si dhe veprat e gjymtyrëve dhe fjalët e gjuhës. Dhe kush i bën ato në mënyrën më të plotë, ai është besimtar (mu`min) i vërtetë, i cili meriton shpërblimin dhe shpëton nga dënimi. Dhe kush mangëson diçka prej tyre, ai ka mangësuar në imanin e tij aq sa ka mangësuar në to. Prandaj Imani shtohet me bindje (ndaj urdhërave të Allahut) dhe me vepra të mira, si dhe pakësohet me gjynahe dhe vepra të këqija.

 

E prej bazave të Ehli-Sunetit është përpjekja dhe këmbëngulja në ato gjëra të fesë dhe të dynjasë që të sjellin dobi, duke kërkuar ndihmë prej Allahut. Pra, ata janë të zellshëm në ato gjëra që u bëjnë dobi atyre dhe kërkojnë ndihmë prej Allahut.

 

Gjithashtu, ata e realizojnë sinqeritetin për Allahun në të gjitha lëvizjet e tyre, dhe e pasojnë të Dërguarin e Allahut në sinqeritetin për të Adhuruarin e Vërtetë, në pasimin për të Dërguarin, si dhe në këshillimin për Besimtarët që ndjekin rrugën e Ehl-Sunetit.

 

Dhe ata dëshmojnë se Muhamedi është rob i Tij dhe i dërguar i Tij, të cilin e dërgoi Allahu me Udhëzimin dhe Fenë e vërtetë, që ta nxjerrë atë ngadhënjimtare mbi të gjitha fetë, dhe se ai është më i dashur për besimtarët sesa vetet e tyre, dhe se ai është Vula e Pejgamberëve, i cili u dërgua tek xhinët dhe njerëzit si përgëzues e kërcënues, dhe si thirrës tek Allahu, me Lejen e Tij, dhe si pishtar ndriçues. Ai e dërgoi atë që t'ua rregullojë fenë dhe t'ua rregullojë dynjanë, dhe që njerëzit ta adhurojnë Allahun dhe të gjejnë ndihmë tek furnizimi i Tij për realizimin e kësaj detyre.

 

Dhe ata e dinë që ai është me i dituri i njerëzimit, më besniku, ai që më së shumti ka këshilluar dhe që ka bërë sqarimin më të madh, prandaj ata e madhërojnë dhe e duan atë, e dashurinë që kanë për të e vendosin mbi dashurinë që për të gjitha krijesat, si dhe e pasojnë atë në bazat dhe në degëzimet e fesë së tyre.

 

Dhe ata e vendosin fjalën dhe udhëzimin e tij mbi fjalën dhe udhëzimin e çdokujt tjetër.

 

Dhe ata besojnë se Allahu ka tubuar tek ai virtyte, veçori dhe cilësi të plota, të cilat nuk i ka tubuar tek askush tjetër. Ai ka gradën më të lartë dhe ka pozitën më të madhe nga të gjithë njerëzit dhe ka cilësitë më të përsosura nga të gjithë ata. Ai nuk la të mirë pa i udhëzuar njerëzit drejt saj dhe nuk la të keqe pa i paralajmëruar njerëzit prej saj.

 

Gjithashtu, ata e besojnë çdo libër që e zbriti Allahu dhe çdo të dërguar që e dërgoi Allahu, dhe ata nuk bëjnë dallim mes tyre.

Ata e besojnë të gjithë Kaderin, dhe se të gjitha veprat e robërve, të mira apo të këqija, të gjitha ato i përfshin Dija e Allahut dhe i ka shkruajtur Pena; ato kanë ndodhur me Dëshirën e Allahut dhe ato janë të lidhura me Urtësinë e Tij, ngaqë Ai krijoi për robërit fuqi dhe dëshirë, nëpërmjet të cilave ndodhin fjalët dhe veprat e tyre, sipas dëshirës së tyre, pa i detyruar ata për ato që thonë e bëjnë, përkundrazi, ata zgjedhin vetë çfarë të thonë e çfarë të bëjnë. Dhe Ai i veçoi Besimtarët, duke ua bërë atyre të dashur Imanin dhe duke ua zbukuruar atë në zemrat e tyre, si dhe ua bëri të urryer kufrin, gjynahun dhe mosbindjen, me Drejtësinë e Tij dhe me Urtësinë e Tij.

 

Dhe prej bazave të Ehli-Sunetit është se ata e adhurojnë Allahun duke dhënë këshillë për Allahun, për Librin e Tij, për të Dërguarin e Tij, për prijësat e Muslimanëve dhe për njerëzit e thjeshtë, si dhe urdhërojnë për bamirësi ndaj prindërve, për mbajtjen e lidhjeve farefisnore, për mirësjellje me fqinjët, skllevërit dhe punëtorët, për atë që ka të drejtë, dhe për mirësjellje me të gjitha krijesat. Ata thërrasin për morale të larta e të bukura dhe ndalojnë nga moralet e këqija e të poshtra.

 

Ata besojnë se ai që ka imanin dhe bindjen më të përsosur nga njerëzit, që e thotë më së shumti të vërtetën, është më i udhëzuar tek çdo e mirë e virtyt dhe qëndron më larg nga çdo poshtërsi, është ai që ka veprat dhe moralet më të mira.

 

Ata urdhërojnë për zbatimin e ligjeve të Allahut, ashtu siç ka ardhur zbatimi i tyre nga Pejgamberi i tyre, në formën e tyre të përcaktuar e të plotë, si dhe paralajmërojnë kundër atyre që i prishin apo i mangësojnë ato.

 

Dhe ata besojnë se Xhihadi do të vazhdojë, me (udhëheqës) të mirë apo të prishur, dhe se ai është kulmi i fesë: Xhihadi i dijes dhe argumentit dhe Xhihadi me armë. Ai është farz (detyrë) për çdo Musliman, që ta mbrojë fenë me çdo gjë që të mundet dhe është i aftë.

 

Dhe prej bazave të tyre është nxitja për bashkimin e fjalës së Muslimanëve, përpjekja për afrimin dhe bashkimin e zemrave të tyre, paralajmërimi kundër armiqësimit dhe urrejtjes dhe marrja e çdo mjeti për të arritur tek kjo.

 

Dhe prej bazave të tyre është ndalimi nga dëmtimi i njerëzve në jetët e tyre, në pasuritë e tyre, në nderet e tyre dhe në të gjitha të drejtat e tyre, urdhërimi për mbajtjen e drejtësisë dhe paanshmërisë në të gjitha ndërveprimet dhe nxitja e bamirësisë dhe bujarisë në to.

 

Dhe ata besojnë se më të mirët nga popujt e Umetit të Muhamedit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – dhe më të mirët nga Shokët e të Dërguarit të Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – janë në mënyrë të veçantë Prijësat e Drejtë, janë Dhjetë të Përgëzuarit me Xhennet, janë luftëtarët e Bedrit, janë ata që morën pjesë në Besëlidhjen e Riduanit, janë Pararendësit e Parë nga Muhaxhirët dhe Ensarët. Ata i duan Sahabët dhe e adhurojnë Allahun me dashurinë që kanë për ta. Ata i përhapin virtytet e tyre dhe heshtin për gabimet që janë thënë për ta.

 

Dhe ata e adhurojnë Allahun me respektin që kanë për dijetarët udhëzues dhe imamët e drejtësisë, si dhe për ata që kanë pozita të larta në Fe dhe kanë merita të ndryshme mbi Muslimanët.

 

Dhe ata e lusin Allahun që t'i mbrojë nga dyshimi, nga shirku, nga përçarja, nga nifaku (hipokrizia) dhe nga moralet e këqija, si dhe t'i bëjë të patundur në fenë e Pejgamberit të tyre, deri në vdekje.

 

Këto janë disa baza të përgjithshme të cilat ata i besojnë, janë të bindur në to dhe thërrasin në to.

 

Përktheu: Alban Malaj