Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz

Burimi: binbaz.org.sa/node/4769

Thotë pyetësi: Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – do të ketë Ditën e Kijametit tre ndërmjetësime. Atëherë, për kë lejohet ndërmjetësimi i parë, i dytë dhe i tretë?

Përgjigje: Ai – ‘alejhis-salatu ues-selam – ka tre ndërmjetësime që janë të veçanta për të – ‘alejhis-salatu ues-selam.

I pari është: Ndërmjetësimi madhështor, për njerëzit që presin gjykimin Ditën e Kijametit. Ai do të ndërmjetësojë për ta që t’u bëhet gjykimi. Kjo është pozita e lavdëruar (el-Mekam el-Mahmud), për të cilën ka thënë Ai që është i Përsosur nga çdo e metë:

عَسَىٰ أَن يَبْعَثَكَ رَبُّكَ مَقَامًا مَّحْمُودًا

“Është e vërtetë se Zoti yt do të të ngrejë ty në një pozitë të lavdëruar.” [el-Israa`, 79]

Kjo është pozita e lavdëruar, në të cilën Allahu do ta ngrejë Ditën e Kijametit, që ai – ‘alejhis-salatu ues-selam – ka për të ndërmjetësuar tek Allahu i Përsosur nga çdo e metë, për njerëzit që presin të bëhet gjykimi mes tyre në këtë vendqëndrim të madh, derisa të ikë secili prej tyre aty ku ia ka shkruajtur Allahu.

Kurse ndërmjetësimi i dytë është: Ndërmjetësimi për njerëzit e Xhenetit, që ata të hyjnë në Xhenet, sepse ata nuk hyjnë në Xhenet përveç se me ndërmjetësimin e tij – ‘alejhis-salatu ues-selam. Kështu, ai do të ndërmjetësojë tek Zoti i tij dhe Ai do t’i lejojë ata që të hyjnë në Xhenet.

Ndërmjetësimi i tretë është: I veçantë për xhaxhain e tij, Ebu Talibin. Ai do të ndërmjetësojë për xhaxhain e tij, Ebu Talibin, që t’i letësohet (dënimi). Ka thënë i Dërguari – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, se ai e gjeti atë në mes thellësive të Zjarrit dhe ndërmjetësoi për të derisa e vendosën në një cektinë të Zjarrit. Pra, i Dërguari - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ndërmjetëson vetëm për xhaxhanin e tij, Ebu Talibin, që t’i lehtësohet e jo që të dalë nga Zjarri, sepse ai vdiq kafir. Ky është qëndrimi i njerëzve të dijes dhe verifikimit, se ai vdiq kafir. Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – donte që ai para se të jepte shpirt të thoshte La ilahe il-lAllah, por ai refuzoi dhe tha se do të qëndrojë në fenë e ‘Abdul-Mutalibit. Kështu, ai vdiq me kufër ndaj Allahut.

Pra, i Dërguari – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – do të ndërmjetësojë për të që ai të jetë në një cektinë të Zjarrit, për shkak se ai e përkrahu Pejgamberin – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, u lodh për të dhe e mbrojti – ‘alejhis-salatu ues-selam –, prandaj ai – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – u përpoq që ai të pranonte Islamin, mirëpo nuk arriti dot që ta fuste në Islam.

Kështu që, ky është argument i qartë që tregon se ai – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – nuk ka në dorë udhëzimin e askujt, porse udhëzimi është në Dorën e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala –, Ai udhëzon kë të dojë. Prandaj kur xhaxhai i tij, Ebu Talibi, vdiq në kufër, Allahu zbriti ajetin për të:

إِنَّكَ لا تَهْدِي مَنْ أَحْبَبْتَ وَلَكِنَّ اللَّهَ يَهْدِي مَنْ يَشَاءُ

“Sigurisht që ti nuk udhëzon atë që do, porse Allahu udhëzon kë të dojë Ai.” [el-Kasas, 56]

لَيْسَ عَلَيْكَ هُدَاهُمْ وَلَكِنَّ اللَّهَ يَهْدِي مَنْ يَشَاءُ

“Nuk të përket ty udhëzimi i tyre, porse Allahu udhëzon kë të dojë Ai.” [el-Bekarah, 272]

Për këtë arsye ai ndërmjetëson për të që ai të jetë në një cektinë të Zjarrit, nga i cili do t’i vlojnë trutë – Allahu na dhëntë mirëqënie. Dhe ka thënë Pejgamberi – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –:

أهون الناس عذاباً يوم القيامة أبو طالب فإنه في ضحضاح من النار يغلي منه دماغه

Njeriu me dënimin më të lehtë në Ditën e Kijametit është Ebu Talibi, sepse ai do të jetë në një cektinë të Zjarrit, nga i cili do t’i vlojnë trutë.” – apo ashtu siç ka thënë ai – ‘alejhis-salatu ues-selam.

Kurse në një transmetim tjetër thotë:

إن أهون أهل النار عذاباً يوم القيامة من يكون له نعلان من نار يغلي منهما دماغه

“Me të vërtetë, njeriu me dënimin më të lehtë në Zjarr, Ditën e Kijametit, është ai që do të ketë dy nallane prej Zjarrit, nga të cilat do t’i vlojnë trutë.”

Kurse ai mendon se është njeriu me dënimin më të rëndë, ndërkohë që ai ka dënimin më të lehtë.

Ai – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka edhe ndërmjetësime të tjera, të cilat nuk janë të veçanta vetëm për të – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, sepse ka ndërmjetësime për njerëzit e Teuhidit që hyjnë në Zjarr dhe do të dalin që andej, si dhe për ata gjynahqarët që janë për të hyrë në Zjarr, por (me ndërmjetësimin e tij) ata nuk do të hyjnë në të, sepse gjynahqarët janë dy kategori:

Kategoria e parë, janë ata që do të falen përpara se të hyjnë në Zjarr, me ndërmjetësim ose me Mëshirën dhe Faljen e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala.

Kategoria tjetër, janë ata të cilët do të hyjnë në Zjarr me gjynahet dhe të këqijat e tyre, e pasi të qëndrojnë në Zjarr sa të dëshirojë Allahu, do të dalin prej andej me ndërmjetësimin e ndërmjetësuesve ose vetëm me Mëshirën e Allahut të Përsosur nga çdo e metë, pa ndërmjetësimin e askujt, sepse Allahu – Xhel-le ue ‘Alaa – ka urdhëruar që askush tjetër pos qafirave të mos qëndrojë përjetësisht në të. Pra, vetëm qafirat do të qëndrojnë përjetësisht në Zjarr.

Kurse gjynahqarët, nëse hyjnë në Zjarr, do të qëndrojnë aq sa të dëshirojë Allahu dhe pastaj do të nxirren. Ky është besimi i njerëzve të hakut, Ehli Sunetit dhe Xhematit, se gjynahqarët nuk qëndrojnë përjetësisht në Zjarr, porse kush hyn në të do të qëndrojnë aq sa dëshiron Allahu, e pastaj do t’i nxjerrë Allahu nga Zjarri dhe do t’i fusë në lumin që quhet “Nehr el-Hajat – Lumi i Jetës”, dhe aty do të dalin ashtu siç mbin fara që e mbart rryma e ujit.

Pra, ata që do të dalin nga Zjarri janë disa kategori:

Prej tyre është ai që del me ndërmjetësimin e Pejgamberit – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –; prej tyre është ai që del me ndërmjetësimin e njerëzve të tjerë përveç Pejgamberëve; prej tyre është ai që del me ndërmjetësimin e Melaikeve; prej tyre është ai që del me ndërmjetësimin e Besimtarëve dhe fëmijëve që kanë vdekur të vegjël; prej tyre është që do të qëndrojë në Zjarr derisa ta nxjerrë Allahu me Mëshirën e Tij, pa ndërmjetësimin e askujt. Dhe kur të ndërmjetësojnë ndërmjetësuesit dhe mbaron puna e tyre, Allahu do të nxjerrë nga Zjarri çdo pasues të Teuhidit që ka mbetur në Zjarr, ata të cilët vdiqën me disa punë të këqija dhe gjynahe. Ai që është i Përsosur nga çdo e metë do t’i nxjerrë ata me Mirësinë dhe Mëshirën e Tij – SubhaneHu ue Te’ala. Themeli i kësaj fjale është Fjala e të Lartësuarit:

إِنَّ اللَّهَ لا يَغْفِرُ أَنْ يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَلِكَ لِمَنْ يَشَاءُ

“Me të vërtetë Allahu nuk fal që t’i bëhet shirk Atij, dhe pos kësaj fal për këdo që dëshiron Ai.” [en-Nisaa`,48]

Si edhe hadithet e tjera të sakta që kanë ardhur për këtë.

Përktheu: Alban Malaj