Bismilah...

  

Autor: Shejkh Ahmed en-Nexhmij

 

 

Kapitulli i tretë: Të pasurit frikë nga Shirku

 

 

Dhe Fjala e Allahut të Lartësuar:

إِنَّ ٱللَّهَ لَا يَغۡفِرُ أَن يُشۡرَكَ بِهِۦ وَيَغۡفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَآءُۚ

“Me të vërtetë Allahu nuk fal që t’i bëhet shirk Atij, porse fal gjithçka tjetër pos kësaj për cilin dëshiron Ai.” [en-Nisaa`, 48]

 

Dhe ka thënë Khalili (Ibrahimi) – ‘alejhis-selam –:

وَإِذْ قَالَ إِبْرَاهِيمُ رَبِّ اجْعَلْ هَـٰذَا الْبَلَدَ آمِنًا وَاجْنُبْنِي وَبَنِيَّ أَن نَّعْبُدَ الْأَصْنَامَ ﴿٣٥﴾

“Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im bëje këtë vend të sigurt dhe më mbaj mua dhe bijtë e mi larg adhurimit të idhujve.”” [Ibrahim, 35]

 

Dhe ka ardhur tek hadithi:

أخْوَفُ ما أخافُ عليكم: الشرك الأصْغر. فسُئِلَ عنه، فقال: الرياء

“Gjëja të cilës i frikësohem më shumë për ju është shirku i vogël.” Ai – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – u pyet cila është ajo dhe tha: “Rijaja (syefaqësia).” [1]

 

Dhe nga Ibën Mes’udi – radij-Allahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka thënë:

من مات و هو يدعو للهِ نِدًّا، دخل النار

“Kush vdes duke iu lutur dikujt tjetër përkrah Allahut, do të hyjë në Zjarr.” E ka transmetuar Bukhari. [2]

 

Dhe ka transmetuar Muslimi nga Xhabiri – radij-Allahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhiuesel-lem – ka thënë:

و من لقيه يشرك به شيئاً دخل النار

“Kush e takon Allahun duke mos i shoqëruar Atij asgjë në adhurim, do të hyjë në Xhenet. Dhe kush e takon Atë duke i shoqëruar Atij diçka në adhurim, do të hyjë në Zjarr.” [3]

 

 

Shpjegimi:

 

Arsyeja e përmendjes së ajetit [4] direkt mbas titullit “Kapitulli: Të pasurit frikë nga Shirku”, është sepse shirku nuk falet – Allahu na ruajtë nga shirku.

 

Realiteti i shirkut është që t’i lutesh dikujt tjetër, duke e bërë kështu të barabartë me Allahun, duke besuar tek ai se të sjell dobi dhe të largon dëmin, dhe pikërisht ky është shirku i madh, të cilin nuk e fal Allahu – ‘Azze ue Xhel-le. Prandaj nga ai duhet pasur frikë dhe duhet të ruhesh, për shkak të pasojave të rënda e të këqija që ka ai.

 

Te shirku i madh nuk ka mospajtim që ai nuk falet dhe që bërësi i tij nuk ka për të dalë nga Zjarri, mirëpo mospajtimi qëndron tek shirku i vogël. Kështu që, betimi në tjetërkënd pos Allahut dhe syefaqësia (err-rijaa`) që shfaqet në vepër, a hyjnë te ky ajet? Nëse këto dy vepra hyjnë tek ky ajet, atëherë gjykimi i tyre është si gjykimi i gjynaheve të mëdha, që bërësi i tyre dënohet dhe pastaj del nga Zjarri dhe hyn në Xhenet. Mirëpo ato të dyja ndryshojnë nga gjynahet e mëdha sepse nuk falen, por patjetër që bërësi i tyre do të dënohet në Zjarr. Ky është mendimi i një grupi dijetarësh.

 

Kurse disa të tjerë kanë thënë: se shirku i vogël ka gjykimin e gjynaheve të mëdha plotësisht, e ndoshta hadithi i Xhabirit i jep më shumë peshë mendimit të parë, që shirku i vogël nuk falet, madje që Allahu do ta dënojë bërësin e tij, e pastaj ai do të dalë nga Zjarri dhe do të hyjë në Xhenet, për shkak të fjalës së pakushtëzuar që ka thënë ai – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –:

و من لقيه يشرك به شيئاً دخل النار

“Dhe kush e takon Atë duke i shoqëruar Atij diçka në adhurim, do të hyjë në Zjarr.”

 

Fjala e tij:

Dhe ka thënë Khalili (Ibrahimi) – ‘alejhis-selam –:

وَإِذْ قَالَ إِبْرَاهِيمُ رَبِّ اجْعَلْ هَـٰذَا الْبَلَدَ آمِنًا وَاجْنُبْنِي وَبَنِيَّ أَن نَّعْبُدَ الْأَصْنَامَ ﴿٣٥﴾

“Kur Ibrahimi tha: “O Zoti im bëje këtë vend të sigurt dhe më mbaj mua dhe bijtë e mi larg adhurimit të idhujve.”” [Ibrahim, 35]

 

Përderisa Ibrahimi, Khalili – ‘alejhis-selam –, ai i cili theu idhujt e popullit të tij dhe që u hodh në zjarr për shkak të asaj që bëri, ka frikë për veten e tij dhe për bijtë e tij nga adhurimi i idhujve, si dhe i lutet Allahut që Ai ta mbajë larg nga kjo gjë, atëherë njerëzit e tjerë janë më parësorë për të pasur frikë nga shirku sesa ai.

 

Kurse ajo që ka ardhur tek hadithi:

أخْوَفُ ما أخافُ عليكم: الشرك الأصْغر. فسُئِلَ عنه، فقال: الرياء

“Gjëja të cilës i frikësohem më shumë për ju është shirku i vogël.” Ai – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – u pyet cila është ajo dhe tha: “Rijaja (syefaqësia).”

 

Unë them: me të vërtetë Rijaja është shumë e rrezikshme, rrallë ndodh që të shpëtojë robi nga ajo, sidomos ai që e shfaq veprën.

 

Duhet ditur se Rijaja ndahet në dy lloje:

 

Lloji i parë: është Rijaja që konsiderohet prej shirkut të madh, e cila të shtyn që ta bësh veprën, dhe ajo është Rijaja e munafikëve. Ka thënë i Lartësuari:

وَإِذَا قَامُوا إِلَى الصَّلَاةِ قَامُوا كُسَالَىٰ يُرَاءُونَ النَّاسَ وَلَا يَذْكُرُونَ اللَّـهَ إِلَّا قَلِيلًا

“E nëse çohen për namaz, çohen me përtaci, që të duken para njerëzve, dhe as që e kujtojnë Allahun, veçse pak.” [en-Nisaa`, 142]

 

Dhe nëse është Rijaja ajo që e shtyn njeriun që ta bëjë veprën, domethënë ai që do të duket nuk punon vetëm se nga Rijaja, atëherë ky është shirk i madh, i cili obligon qëndrimin e përjetshëm në Zjarr; si njeriu që falet kur është me njerëzit, ndërsa kur është vetëm ose kur nuk e shikon askush, ai e lë namazin. Pra, kjo e shtyn atë që ta bëjë veprën dhe kjo është nga shirku i madh, siç e thashë.

 

Lloji i dytë: mirëpo nëse ajo që e shtyn atë që ta bëjë veprën është Imani, porse gjatë veprës njeriut i shfaqet dashuria që ta përmendin të tjerët, domethënë dashuria për t’u lavdëruar nga të tjerët, si për shembull kur çohet për t’u falur për Allahun, ndërsa një njeri aty po shikon drejt tij, ai e zbukuron namazin e tij akoma më shumë. Dhe ky zbukurim i namazit është prej Rijasë që shfaqet në vepër. Dhe kjo është në varësi të gjendjeve: ndonjëherë ai që po bën veprën vazhdon me Rija derisa i bëhet vepra e pavlerë, e ndonjëherë ai kërkon mbrojtjen e Allahut nga shejtani dhe e pastron nijetin duke e bërë vetëm për Allahun, kështu që mangësia e veprës do të jetë sa masa e Rijasë në të – Allahu na ruajtë.

 

Prej shirkut të vogël është edhe shirk el-isnad, i cili është me shkarjen e gjuhës pa e pasur besim atë, siç është fjala e atyre që thonë “Po të mos kishte qenë qeni, do na kishin ardhur hajdutët”, “Po të mos kishte qenë ky do të kishte ndodhur kështu”, si dhe fjala e atyre që thonë “Na erdhi shiu për shkak të këtij yllit”, “Ky yll është bujar” ku bie shi i dendur, si dhe shprehje të ngjashme. Ky pra është shirku i vogël, i cili nuk të nxjerr nga Islami dhe as nuk e fut në Kufër atë që thotë ndonjërën prej tyre. Por a falet ai apo jo? Kjo pikë ka diskutim në të; dijetarët kanë dy mendime, siç e kam sqaruar më përpara.

 

Dhe nga Ibën Mes’udi – radij-Allahu ‘anhu – se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka thënë:

من مات و هو يدعو للهِ نِدًّا، دخل النار

 “Kush vdes duke iu lutur dikujt tjetër përkrah Allahut, do të hyjë në Zjarr.”

 

Domethënë i lutet një krijese dhe e bën të barabartë me Allahun: se ai fal gjynahet, ai i lehtëson hallet dhe i plotëson nevojat. Dhe për shkak se ai e bëri atë të barabartë me Allahun, ai meriton që të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr. Mushrikut i është asgjësuar vepra, domethënë të gjitha veprat e tij të mira janë asgjësuar dhe atij nuk i pranohet asnjë vepër e mirë dhe nuk i falet asnjë vepër e keqe. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ ﴿٦٥﴾

“Tashmë të është shpallur ty dhe atyre që erdhën përpara teje, se nëse bën shirk, do të të asgjësohet vepra jote dhe ti sigurisht që do të jesh prej të humburve.” [ez-Zumer, 65]

 

Dhe Ai ka thënë për Pejgamberët, të cilët i përmendi në suren el-En’am:

ذَٰلِكَ هُدَى اللَّـهِ يَهْدِي بِهِ مَن يَشَاءُ مِنْ عِبَادِهِ ۚ وَلَوْ أَشْرَكُوا لَحَبِطَ عَنْهُم مَّا كَانُوا يَعْمَلُونَ ﴿٨٨﴾

“Ky është Udhëzimi i Allahut, me të cilin Ai udhëzon kë të dojë nga robërit e Tij. E nëse ata bëjnë shirk, padyshim që do t’u asgjësohet ajo që punonin.” [el-En’am, 88]

 

Kurse nga hadithi i Xhabirit tek Muslimi, se i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem – ka thënë:

من لقيَ اللهَ لا يشركُ به شيئاً دخل الجنةَ، و من لقيه يشرك به شيئاً دخل النار

“Kush e takon Allahun duke mos i shoqëruar Atij asgjë në adhurim, do të hyjë në Xhenet. Dhe kush e takon Atë duke i shoqëruar Atij diçka në adhurim, do të hyjë në Zjarr.”

 

Nga ai nxirret se këto dy cilësi obligojnë për atë që vdes pa i shoqëruar asgjë Allahut në adhurim, obligohet për të hyrja në Xhenet, qoftë pa u dënuar më parë në Zjarr apo qoftë duke u dënuar më përpara në Zjarr, pastaj përfundimi i tij do të jetë në Xhenet; dhe kush e takon Allahun duke i shoqëruar ndonjë gjë Atij në adhurim, për të bëhet obligim Zjarri, ai ka për të jetuar përgjithmonë në Zjarr dhe për të është haram Xheneti, nëse ka bërë shirk të madh. Ama nëse ka bërë shirk të vogël, kjo temë u diskutua më përpara.

 

Dhe argumenti i shirkut të madh është Fjala e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le – për ‘Ijsa Ibën Merjem:

وَقَالَ الْمَسِيحُ يَا بَنِي إِسْرَائِيلَ اعْبُدُوا اللَّـهَ رَبِّي وَرَبَّكُمْ ۖ إِنَّهُ مَن يُشْرِكْ بِاللَّـهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللَّـهُ عَلَيْهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ ۖ وَمَا لِلظَّالِمِينَ مِنْ أَنصَارٍ ﴿٧٢﴾

“Tha Mesihu: “O bijtë e Israilit! Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj! Me të vërtetë, kushdo që i bën shirk Allahut, Allahu sigurisht që ia ka bërë haram atij Xhenetin dhe vendbanimi i tij do të jetë Zjarri. E për zullumqarët s’do të ketë asnjë ndihmues.” [el-Ma`ideh, 72]

 

Dhe Allahu është Dhënësi i suksesit.

 

 

Fundnota:

[1] E ka transmetuar Ahmedi (5/428) (23680), nga hadithi i Mahmud Ibën Lebiid – radij-Allahu ‘anhu – dhe e ka shpallur sahih el-Albanij – rahimehullah – në es-Sahihah (951).

[2] E ka transmetuar Bukhari (4497).

[3] E ka transmetuar Muslimi (93).

[4] Dhe ai ajet është Fjala e Allahut të Lartësuar:

إنَّ ٱللَّهَ لَا يَغۡفِرُ أَن يُشۡرَكَ بِهِۦ وَيَغۡفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَآءُۚ

“Me të vërtetë Allahu nuk fal që t’i bëhet shirk Atij, porse fal gjithçka tjetër pos kësaj për cilin dëshiron Ai.” [en-Nisaa`, 48]

 

Përktheu: Alban Malaj