Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

Burimi: Silsiletu Likai Babil-Meftuh, kaseta 214, pjesa e parë, min. 20:36

Pyetje:

Cili është mendimi i Shkëlqesisë suaj për atë që quhet “afrim në mes feve”, që të ketë mbledhje në mes Muslimanëve dhe të Krishterëve në përpjekjen e forcimit të lidhjeve në mes tyre apo në mes muslimanëve - Ehli Sunnetit dhe Rafidijve, Allahu ju shpërbleftë me të mira?

Përgjigje:

Unë mendoj – Allahu të bekoftë – se nuk lejohet absolutisht të pohojmë se të Krishterët janë në një fe dhe Jehudët janë në një fe. Të gjithë këta nuk kanë fe, sepse feja e tyre është e shfuqizuar nga feja Islame. Pra, që ne të themi: “Fetë,” ne nuk e pohojmë këtë kurrsesi. Ne themi: “Të Krishterët nuk pasojnë ndonjë gjë (nuk janë në fenë e saktë) dhe Jehudët nuk pasojnë ndonjë gjë (nuk janë në fenë e saktë), kurse feja (e saktë) është Islami.

Siç ka thënë Allahu - i Madhëruar e i Lavdëruar:

وَمَن يَبْتَغِ غَيْرَ الْإِسْلَامِ دِينًا فَلَن يُقْبَلَ مِنْهُ وَهُوَ فِي الْآخِرَةِ مِنَ الْخَاسِرِينَ

“Ai që kërkon fe tjetër përveç Islamit, ajo (fe) nuk do të pranohet prej tij dhe ai në botën tjetër do të jetë prej të humburve.” Ali-Imran, 85

Kur çështja është kështu, a është e mundur që të bëjmë afrim në mes hakut dhe asaj (feje) që është e shfuqizuar?! Nuk ka mundësi. Kjo (afrimi në mes feve) nuk është tjetër vetëm se servilizëm, siç ka thënë Allahu – i Madhëruar e i Lavdëruar:

وَدُّوا لَوْ تُدْهِنُ فَيُدْهِنُونَ ﴿٩﴾

“Ata dëshirojnë që ti të bësh lëshime (t’u bësh lajka), kështu që edhe ata të bëjnë lëshime (edhe ata të të bëjnë lajka).” El-Kalem, 9

Po! Nëse ka afrim të veçantë e të kufizuar në mes një personi dhe një tjetri në mënyrë që ta thërras atë në fenë Islame, atëherë kjo është gjë tjetër. Porse të bëjmë lajka e të themi: “Ju! O ju Jehudë, jeni në një fe dhe ju, o ju të Krishterë jeni në një fe dhe ne kemi fenë tonë dhe se fetë të gjitha janë qiellore,” atëherë kjo nuk lejohet.

Së pari: Teurati që është në duart e Jehudëve dhe Inxhili që është në duart e të Krishterëve, janë të falsifikuar, të ndryshuar dhe të shtrembëruar, kështu që tek ai libër nuk është ajo me të cilën erdhën të Dërguarit.

Së dyti: Sikur të bëhej obligim se ato (libra) janë me atë që kanë ardhur të Dërguarit qind për qind, atëherë ajo fe është e shfuqizuar. Ai që i gjykon fetë (Sheriatet e ndryshme të Pejgamberëve, sh.p.) dhe i ligjëron ato është Allahu, Krijuesi – i Madhëruar e i Lavdëruar.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

وَأَنزَلْنَا إِلَيْكَ الْكِتَابَ بِالْحَقِّ مُصَدِّقًا لِّمَا بَيْنَ يَدَيْهِ مِنَ الْكِتَابِ وَمُهَيْمِنًا عَلَيْهِ ۖ فَاحْكُم بَيْنَهُم بِمَا أَنزَلَ اللَّـهُ

“Dhe Ne ta zbritëm ty (o Muhamed) Librin (Kuranin) me të vërtetën (me besnikëri), që është vërtetues i Librave që erdhën para teje dhe dëshmues i tyre. Andaj, gjyko ndaj tyre më atë që zbriti Allahu.” El-Maideh, 48

Feja e Jehudëve ka mbaruar, feja e të Krishterëve ka mbaruar dhe nuk u jepet rëndësi kurrën e kurrës.

Ndërsa, për sa u përket Shijave dhe Ehli Sunnetit, çdonjëri prej tyre thotë se unë jam Musliman, por është për detyrë që kjo të peshohet me peshoren e hakut dhe të shikohet se mospajtimi (khilaf) në mes tyre a është sikur mospajtimi në mes Shaf’iut, Ahmedit, Ebu Hanifes, Malikut, Sufjan eth-Theurit si dhe të tjerëve, apo se është mospajtim themelor në Akide?

Nëse është i dyti (mospajtim në Akideh), atëherë ata duhet patjetër që të thirren në Islam dhe t’u sqarohet atyre se janë në devijim. Nuk mund të bëjmë afrim në mes Islamit dhe asaj që nuk është Islam. Andaj, unë mendoj se dijetarët e Ehli Sunnetit e kanë për detyrë që të thërrasin në Sunnet pa mos sulmuar duke zënë në gojë emra, p.sh. (të themi) “e pavërteta e medh’hebit të rafidijve, të cilët e quajnë veten e tyre Shija,” të mos i sulmojmë ata.

Sido që të jetë njeriu, nëse ai ka baza (të Akides) dhe ai sulmon tjerët, ai do t’i zmbraps dhe do t’i largojë (njerëzit). Porse ti ua sqaron atyre Sunnetit dhe ua sqaron vlerat e Sahabëve, sidomos Halifëve e drejtë – Ebu Bekrit, Umerit, Uthmanit dhe Alijut.

Nëse sqarohet haku, atëherë njerëzit kanë prirje për ta pranuar hakun, porse ajo që i dëmton njerëzit tani është sulmimi. Kjo është gabim dhe nuk është prej urtësisë. Allahu i Madhëruar e i Lavdëruar ka thënë:

وَلَا تَسُبُّوا الَّذِينَ يَدْعُونَ مِن دُونِ اللَّـهِ فَيَسُبُّوا اللَّـهَ عَدْوًا بِغَيْرِ عِلْمٍ

“Mos i shani ata (zotat, idhujt) të cilët ata (idhujtarët, pabesimtarët) u luten krahas Allahut, në mënyrë që ata të mos e shajnë Allahun padrejtësisht duke mos e ditur.” El-En’am, 108

Megjithëse sharja e të adhuruarve të mushrikëve është obligim, por nuk i shajmë ata, sepse nëse i shajmë të adhuruarit e tyre - e ato janë të adhuruar të pavërtetë - ata do ta shajnë të Adhuruarin tonë (Allahun) i cili është i Vërtetë. Po ashtu, tani D’aueti, unë nuk dua që thirrësit të sulmojnë, përkundrazi dua që ata ta sqarojnë hakun, nëse haku bëhet i qartë, atëherë njerëzit janë të prirë që ta pranojnë atë.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari