Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz

Burimi: Mexhmu’u Fetaua ue Mekalaat Muteneu-ui’ah, vëll.28/fq.194-199.

 

 

Të gjitha lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen e tij, mbi Shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij.

E më pas:

Jemi të gëzuar sot që kemi të ftuar në fillimin e këtij takimi, prindin tonë bujar, Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën ‘Abdullah Ibën Baz, Myftiu i Përgjithshëm i Mbretërisë së Arabisë Saudite dhe Kryetari i Përgjithshëm i Kryesisë së Hulumtimeve Akademike dhe Fetvasë, që të na flasë për edukatën me Allahun – SubhaneHu ue Te’ala –, aspektet e saj të bukura dhe aspektet negative që e zhvlerësojnë edukatën me Allahun – Xhel-le ue ‘Alaa.

 

 

Shejkh ‘Abdul-‘Azijz Ibën Baz – rahimehUllah –: Të gjitha lavdet i takojnë Allahut. Lavdërimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, si dhe mbi Familjen e tij, mbi Shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin udhëzimin e tij. S’ka dyshim se të gjithë ata të cilët e kanë obligim që t’iu përmbahen dispozitave të Sheriatit, e kanë detyrë që të jenë të edukuar me Allahun. Edukata me Allahun është duke e bërë adhurimin të pastër vetëm për Allahun, duke e lënë adhurimin për të tjerët në vend të Tij, duke besuar në Të dhe në çdo gjë që na ka njoftuar Allahu i Pastër nga çdo mangësi, në Librin e Tij madhështor, me gjuhën e të Dërguarit të Tij, Muhamedit – ‘alejhis-salatu ues-selam –, duke besuar në Emrat dhe Cilësitë e Tij, duke besuar në Ahiretin, Xhenetin, Xhehenemin, Llogarinë, Shpërblimin etj.. Ata e kanë obligim që t’iu përmbahen dispozitave të Sheriatit, e kanë detyrë që të besojnë në Allahun, që ta veçojnë Atë me adhurim dhe të mos i shoqërojnë askënd Allahut – SubhaneHu ue Te’ala – në adhurim. Pra, edukata më e madhe është Teuhidi për Allahun dhe të jesh i sinqertë për Të. Kurse edukata e keqe më e madhe me Allahun është të bërit shirk Allahut dhe t’ia dedikosh adhurimin dikujt tjetër në vend të Allahut – SubhaneHu ue Te’ala. Allahu – Xhel-le ue ‘Alaa – thotë:

 

وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ ﴿٥٦﴾

“Dhe nuk i kam krijuar xhinët dhe njerëzit përveç se që ata të më adhurojnë Mua të vetëm.” Edh-Dharijjat, 56

 

Thotë Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –:

 

وَمَا أُمِرُوا إِلَّا لِيَعْبُدُوا اللَّـهَ مُخْلِصِينَ لَهُ الدِّينَ حُنَفَاءَ

“Ata nuk u urdhëruan me diçka tjetër pos që të adhuronin Allahun duke e bërë adhurimin të pastër vetëm për Të, larg çdo feje tjetër.” El-Bejjineh, 5

 

Ai thotë gjithashtu:

 

وَلَقَدْ بَعَثْنَا فِي كُلِّ أُمَّةٍ رَّسُولًا أَنِ اعْبُدُوا اللَّـهَ وَاجْتَنِبُوا الطَّاغُوتَ

“Padyshim që çdo populli Ne i çuam të Dërguar (që thoshte): “Adhuroni Allahun dhe qëndroni larg tagutit.” En-Nahl, 36

 

Pra, edukata më e madhe, më e rëndësishme dhe më e obligueshme është: që adhurimi të bëhet i pastër vetëm për Allahun, që Allahu të veçohet me ibadet, me të gjitha llojet e tij, si për shembull: lutja, frika, shpresa, mbështetja, dëshira e madhe, frika e madhe, kurbani, zotimi, kërkimi i ndihmës në vështirësi etj., sikurse ka thënë Allahu – SubhaneHu ue Te’ala –:

 

قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّـهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ ﴿١٦٢﴾ لَا شَرِيكَ لَهُ ۖ وَبِذَٰلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَا أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ ﴿١٦٣﴾

“Thuaj: Padyshim që namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e gjithësisë. Ai nuk ka asnjë ortak, e me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari i atyre që i janë nënshtruar Allahut.” El-En’aam, 162-163

 

Më këtë bëhet e ditur që veprat të cilat i bëjnë injorantët, si për shembull lutja drejtuar të vdekurve, kërkimi i ndihmës nga të vdekurit, zotimi në ta dhe therja e kurbanit për ta, pikërisht këto janë shirk i madh, ky është adhurimi i të tjerëve në vend të Allahut. Kjo që bëjnë ata hyn te Fjala e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala –:

 

وَلَوْ أَشْرَكُوا لَحَبِطَ عَنْهُم مَّا كَانُوا يَعْمَلُونَ

“Nëse ata i bëjnë shirk Allahut, padyshim që atyre do t’u asgjësohen veprat të cilat i kanë.” El-En’aam, 88

 

Gjithashtu hyn te Fjala e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala –:

 

إِنَّهُ مَن يُشْرِكْ بِاللَّـهِ فَقَدْ حَرَّمَ اللَّـهُ عَلَيْهِ الْجَنَّةَ وَمَأْوَاهُ النَّارُ

“Se me të vërtetë kush i bën shirk Allahut, Allahu ia ka bërë haram atij Xhenetin dhe vendbanimi i tij përfundimisht do të jetë Zjarri i Xhehenemit.” El-Maa`ideh, 72

 

Gjithashtu hyn te Fjala e Allahut – ‘Azze ue Xhel-le –:

 

وَلَقَدْ أُوحِيَ إِلَيْكَ وَإِلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكَ لَئِنْ أَشْرَكْتَ لَيَحْبَطَنَّ عَمَلُكَ وَلَتَكُونَنَّ مِنَ الْخَاسِرِينَ ﴿٦٥﴾

“Tashmë të është shpallur ty, ashtu si atyre që ishin përpara teje, se nëse ti bën shirk, vepra jote do të asgjësohet dhe ti padyshim që do të jesh prej të humburve.” Ez-Zumer, 65

 

Gjithashtu hyn te Fjala e Allahut – SubhaneHu ue Te’ala –:

 

إِنَّ اللَّـهَ لَا يَغْفِرُ أَن يُشْرَكَ بِهِ وَيَغْفِرُ مَا دُونَ ذَٰلِكَ لِمَن يَشَاءُ

“Me të vërtetë që Allahu nuk fal t’i bëhet shirk Atij, kurse të tjerat poshtë kësaj i fal, kujt të dojë Ai.” En-Nisaa`, 48

 

Kështu që, është detyrë që adhurimi të bëhet i pastër vetëm për Allahun, që Allahu të veçohet me adhurim, qoftë me lutje, me frikë, me shpresë, me mbështetje, me kurban, me zotim, e me të gjitha llojet e tjera të adhurimit, të gjitha të bëhen vetëm për Allahun. Allahu – Xhel-le ue ‘Alaa – thotë:

 

وَقَالَ رَبُّكُمُ ادْعُونِي أَسْتَجِبْ لَكُمْ

“Lutmëni Mua, Unë ju përgjigjem juve!” Gaafir, 60

 

Thotë gjithashtu Allahu – Xhel-le ue ‘Alaa –:

 

وَلَا تَدْعُ مِن دُونِ اللَّـهِ مَا لَا يَنفَعُكَ وَلَا يَضُرُّكَ فَإِن فَعَلْتَ فَإِنَّكَ إِذًا مِّنَ الظَّالِمِينَ ﴿١٠٦﴾

“Mos iu lut pos Allahut atij që s’të bën as dobi e as dëm, se nëse e bën këtë, ti padyshim që do të jesh prej zullumqarëve.” Juunus, 106

Domethënë do të jesh prej mushrikëve.

 

Pra, detyra që kanë të gjithë ata të cilët janë të obliguar që t’iu përmbahen dispozitave të Sheriatit, është që ta veçojnë Allahun me lutje dhe me të gjitha llojet e tjera të adhurimit.

 

Gjithashtu, prej edukatës me Allahun është edhe Imani (besimi) në Emrat dhe Cilësitë e Tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:

 

وَلِلَّـهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَىٰ فَادْعُوهُ بِهَا

“Allahut i përkasin Emrat më të bukur, prandaj luteni Atë me ato.” El-`Araf, 180

 

Ai duhet të pohojë Emrat dhe Cilësitë e Allahut, ashtu siç kanë ardhur ato në Librin e Tij Fisnik dhe në hadithet e të Dërguarit të Tij – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem –, si dhe të cilësohet me ato, ashtu siç i takojnë Allahut, pa i deformuar, pa i mohuar, pa u dhënë atyre formë apo trajtë dhe pa i shëmbëllyer me ato të krijesave. Por, është detyrë që ato të pohohen për Allahun, ashtu siç kanë ardhur në Kur’an dhe në Sunetin autentik, ashtu siç i takojnë Allahut, pa i deformuar, pa u dhënë formë apo trajtë dhe pa i shëmbëllyer, siç është për shembull cilësia e ngjitjes lartë (el-istiuaa`), zbritja poshtë (en-nuzuul), qeshja (ed-dahak), kënaqësia (err-rridaa), zemërimi (el-gadab) e kështu me radhë. Është detyrë që të gjitha këto Cilësi të pohohen për Allahun, se Allahu i Përsosur nga çdo mangësi u ngjit lartë mbi Arshin e Tij ashtu siç i takon Lartësisë dhe Madhështisë së Tij, e nuk ngjason me ngritjen e krijesave. Gjithashtu, Allahu i Përsosur nga çdo mangësi kënaqet dhe zemërohet, mëshiron, dhuron dhe privon, qesh, mëshiron robërit e Tij – Xhel-le ue ‘Alaa – dhe flet. Të gjitha këto Cilësi janë ashtu siç i takojnë Atij. E folura e Tij nuk i ngjan të folurës së robërve të Tij, Cilësitë e Tij nuk ngjajnë me cilësitë e robërve të Tij:

 

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

“Asgjë nuk është si Ai, e Ai dëgjon dhe shikon gjithçka.” Esh-Shuuraa, 11

 

Gjithashtu, thotë Allahu i Pastër nga çdo mangësi:

فَلَا تَضْرِبُوا لِلَّـهِ الْأَمْثَالَ إِنَّ اللَّـهَ يَعْلَمُ وَأَنتُمْ لَا تَعْلَمُونَ ﴿٧٤﴾

“Mos i bëni Allahut shëmbëllime, sepse Allahu di gjithçka kurse ju nuk dini!” En-Nahl, 74

 

Pra, t’u lutesh të tjerëve në vend të Allahut, si për shembull t’u lutesh të vdekurve ose idhujve ose yjeve ose xhinëve, kjo është edukatë e keqe me Allahun – SubhaneHu ue Te’ala – dhe është mohim (kufër) për Të. Po kështu, është edhe shtrembërimi i Cilësive të Tij dhe mendimi i keq për Allahun – Xhel-le ue ‘Alaa –, që të gjitha këto janë edukatë e keqe me Allahun.

 

Andaj, detyra që kanë të gjithë është që të kenë mendim të mirë për Allahun, të jemi të qëndrueshëm në fenë e Tij, ta bëjmë adhurimin të pastër vetëm për Allahun – SubhaneHu ue Te’ala –, të besojmë në Emrat dhe Cilësitë e Tij dhe në çdo gjë që na ka lajmëruar Ai dhe i Dërguari i Tij – sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem. Kjo është detyra që kanë të gjithë.

 

Të gjithë e kanë detyrë që të ndjekin Kur`anin Fisnik dhe të mbahen fort mbas tij dhe të ruhen nga çdo gjë që e kundërshton atë, si dhe të pasojnë Sunetin dhe ta madhërojnë atë. Kjo është detyra që kanë të gjithë, të pasojnë Kur`anin dhe Sunetin dhe t’i madhërojnë, si dhe të ruhen nga çdo gjë që i kundërshton këto të dyja.

 

Lusim Allahun që t’ju japë sukses Muslimanëve që të gjithëve, që ta kuptojnë drejtë Librin e Tij dhe Sunetin e Profetit të Tij, që të jenë të qëndrueshëm në Fenë e Tij dhe që të ruhen nga çdo gjë që kundërshton Ligjin e Tij. E s’ka dyshim se Allahu – ‘Azze ue Xhel-le – dëgjon gjithçka dhe është afër.

 

Lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin, si dhe mbi Familjen e tij, Shokët e tij dhe të gjithë ata që i pasuan me mirësi.

 

Përktheu: Alban Malaj