Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 35

 

Emrat:

el-Uelij (الْوَلِيُّ) [Ai që mbron dhe kujdeset për robërit e Tij]

el-Meula (المولىَ) [Ai që i ndihmon dhe i mbështet robërit e Tij]

 

Këta dy emra janë përsëritur shpesh në Kuranin Fisnik. Allahu i Lartësuar ka thënë:

﴿أَمِ ٱتَّخَذُواْ مِن دُونِهِۦٓ أَوۡلِيَآءَۖ فَٱللَّهُ هُوَ ٱلۡوَلِيُّ وَهُوَ يُحۡيِ ٱلۡمَوۡتَىٰ وَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيۡءٖ قَدِيرٞ٩

“Apo mos vallë ata morën mbrojtës të tjerë veç Tij? Mirëpo vetëm Allahu është mbrojtësi,  Ai i ngjall të vdekurit dhe Ai ka fuqi për çdo gjë.” [esh-Shuura, 9]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

﴿وَٱعۡتَصِمُواْ بِٱللَّهِ هُوَ مَوۡلَىٰكُمۡۖ فَنِعۡمَ ٱلۡمَوۡلَىٰ وَنِعۡمَ ٱلنَّصِيرُ٧٨

“E mbështetuni tek Allahu, Ai është Mbrojtësi juaj! E sa Mbrojtës dhe Ndihmës i mirë që është Ai!” [el-Haxh, 78]

Ka thënë gjithashtu i Lartësuari:

﴿بَلِ ٱللَّهُ مَوۡلَىٰكُمۡۖ وَهُوَ خَيۡرُ ٱلنَّصِرِينَ١٥٠

“Përkundrazi, Allahu është Ndihmuesi juaj, e Ai është më i Miri nga të gjithë ndihmuesit.” [Ali Imran, 150]

Mbrojtja dhe përkujdesi i Allahut të Lartësuar dhe për robërit e Tij, janë dy lloje:

Lloji i parë është: Mbrojtja e përgjithshme, që Allahu i Pastër nga çdo mangësi, vë në lëvizje dhe sistemon të gjitha krijesat, Ai cakton për robërit çfarë të dojë, të mira apo të këqija, dobi apo dëm. Gjithashtu, kuptimi i tyre përmban dhe pohimin e të gjitha domethënieve të sundimit për Allahun e Lartësuar, se të gjithë robërit i nënshtrohen sistemit të Tij universal e askush prej tyre nuk del dot jashtë kontrollit nga dëshira e Tij dhe as jashtë fuqisë të Tij gjithëpërfshirëse. Kjo gjë i përfshin besimtarët dhe qafirat, të mirët dhe të këqijtë, e për këtë argumenton Fjala e Allahut të Lartësuar:

﴿ثُمَّ رُدُّوٓاْ إِلَى ٱللَّهِ مَوۡلَىٰهُمُ ٱلۡحَقِّ أَلَا لَهُ ٱلۡحُكۡمُ وَهُوَ أَسۡرَعُ ٱلۡحَٰسِبِينَ٦٢

“Pastaj ata do të kthehen tek Allahu, Ai që kujdeset për ta me të vërtetë; e padyshim që Atij i takon gjykimi dhe Ai është më i Shpejti në bërjen e llogarisë.” [el-Enam, 62]

Lloji i dytë është: ndihma dhe përkujdesi specifik, e kjo është ajo që ka ardhur më së shumti në Kuranin Fisnik dhe në Sunetin Profetik; kjo është ndihma madhështore dhe përkujdesja fisnike, me të cilën Allahu i ka veçuar robërit e Tij besimtarë, grupin që i nënshtrohet Atij dhe të dashurit e Allahut që janë të devotshëm.

Allahu i Pastër nga çdo e metë, ka sqaruar në Kuranin Fisnik se kjo ndihmë madhështore nuk arrihet ndryshe veçse me iman të sinqertë, me devotshmëri për Allahun, fshehtazi dhe haptazi, duke u përpjekur që t’i afrohesh Atij me kryerjen e obligimeve të Islamit dhe me ato gjëra që ka rekomanduar feja, sikurse thotë i Lartësuari:

﴿أَلَآ إِنَّ أَوۡلِيَآءَ ٱللَّهِ لَا خَوۡفٌ عَلَيۡهِمۡ وَلَا هُمۡ يَحۡزَنُونَ٦٢ ٱلَّذِينَ ءَامَنُواْ وَكَانُواْ يَتَّقُونَ٦٣

“Padyshim se të dashurit e Allahut (eulijatë) nuk do të kenë frikë e as nuk do të dëshpërohen. Janë pikërisht ata që besuan dhe ruheshin.” [Junus, 62-63]

 

Përktheu: Muhamed Kallashi