Bismilah...

Autor: Abdur-Razzak bin Abdul-Muhsin el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 47- 48

 

Emri:

El-Haliim (الحَلِيمُ) – Ai që vetpërmbahet tej mase pavarësisht padrejtësive dhe gjynaheve që bëjnë robërit e Tij

Ky emër është përmendur në disa vende në Kur`anin Fisnik.  Allahu i Lartësuar thotë:

إِنَّ ٱللَّهَ یُمۡسِكُ ٱلسَّمَـٰوَاتِ وَٱلۡأَرۡضَ أَن تَزُولَاۚ وَلَىِٕن زَالَتَاۤ إِنۡ أَمۡسَكَهُمَا مِنۡ أَحَدٍ مِّنۢ بَعۡدِهِۦۤ إِنَّهُۥ كَانَ حَلِیمًا غَفُورا

“Allahu i mban qiejt dhe tokën që të mos zhduken, e nëse zhduken, s'ka askush pos Tij që mund t'i mbajë. E me të vërtetë që Ai është shumë i Vetpërmbajtur dhe Falës i madh.” [Fatir, 41]

Dhe thotë gjithashtu i Lartësuari:

وَٱللَّهُ یَعۡلَمُ مَا فِی قُلُوبِكُمۡۚ وَكَانَ ٱللَّهُ عَلِیمًا حَلِیما

“Allahu di çfarë ka në zemrat tuaja. Me të vërtetë që Allahu është i Gjithëdijshëm dhe shumë i Vetpërmbajtur.” [El-Ahzab, 51]

Kuptimi i këtij emri është: Ai që nuk nxiton t’i dënojë robërit e Tij, për shkak të gjynaheve dhe mosbindjes së tyre; Ai sheh se robërit e Tij e mohojnë dhe kundërshtojnë Atë, por prapë tregohet i Vetpërmbajtur me ta, u jep kohë, i pret, u jep afat dhe nuk nxitohet; Ai u jep atyre të mira, pavarësisht kundërshtimeve, gjynaheve dhe gabimeve të shumta që bëjnë ata.

Pra, Ai i tregohet shumë i Vetpërmbajtur me gjynahet që bëjnë gjynahqarët dhe u jep kohë atyre që të pendohen, nuk i ndëshkon menjëherë, në mënyrë që ata të kthehen dhe të pendohen tek Allahu.

Ka njoftuar Ai që është i Pastër nga çdo mangësie, për vetpërmbajtjen e Tij të madhe ndaj atyre që bëjnë gjynahe, mëkate dhe lloje të tjera të zullumit, se nëse Ai do t’i ndëshkonte ata menjëherë për gjynahet e tyre, atëherë nuk do të kishte lënë asnjë krijesë mbi sipërfaqen e tokës, sikurse thotë i Lartësuari:

وَلَوۡ یُؤَاخِذُ ٱللَّهُ ٱلنَّاسَ بِظُلۡمِهِم مَّا تَرَكَ عَلَیۡهَا مِن دَاۤبَّة وَلَـٰكِن یُؤَخِّرُهُمۡ إِلَىٰۤ أَجَل مُّسَمّىۖ فَإِذَا جَاۤءَ أَجَلُهُمۡ لَا یَسۡتَـٔۡخِرُونَ سَاعَة وَلَا یَسۡتَقۡدِمُونَ

“Po t’i dënonte Allahu njerëzit për shkak të zullumit të tyre, nuk do të linte mbi tokë asnjë gjallesë, por Ai i lë ata për më vonë deri në afatin e caktuar, e kur të vijë afati i tyre, për asnjë moment nuk mund ta vonojnë e as ta përshpejtojnë.” [En-Nahl, 61]

Dhe thotë i Lartësuari:

وَرَبُّكَ ٱلۡغَفُورُ ذُو ٱلرَّحۡمَةِۖ لَوۡ یُؤَاخِذُهُم بِمَا كَسَبُوا۟ لَعَجَّلَ لَهُمُ ٱلۡعَذَابَۚ بَل لَّهُم مَّوۡعِد لَّن یَجِدُوا۟ مِن دُونِهِۦ مَوۡىِٕلا

“Zoti yt është Falës i madh Zotërues i mëshirës së madhe, e sikur t'i ndëshkonte ata për veprat e tyre, do t'ua kishte shpejtuar atyre dënimin, por ata kanë momentin e caktuar, e pos Tij nuk kanë se ku të strehohen ata.” [El-Kehf, 58]

Pra, megjithëse ata i bëjnë shirk Atij, të Pastrit nga çdo e metë, veprojnë gjëra që e zemërojnë Atë, janë të paepur në kundërshtimin e Tij dhe në luftimin e fesë së Tij, i armiqësojnë miqtë e Tij, prapëseprapë Ai i tregohet shumë i Vetpërmbajtur me ta, u jep atyre të mira të shumta, i furnizon dhe i shëron ata, sikurse ka ardhur në dy “Sahihët”, në hadithin e Ebu Musa el-Esh’arij, Allahu qoftë i kënaqur me të, i cili transmeton nga Pejgamberi, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, se ai ka thënë:

 

لَيْسَ أحَدٌ، أوْ لَيْسَ شَيْءٌ أَصْبَرَ عَلَى أذًى سَمِعَهُ مِن اللهِ، إنَّهُمْ لَيَدْعُونَ لَهُ وَلَدًا، وَإنَّهُ ليُعَافِيهِمْ وَيَرْزُقُهُمْ.

“Askush apo asgjë nuk duron më shumë se Allahu kur dëgjon një të keqe, ata i mveshin Atij fëmijë, ndërsa Ai u jep atyre mirëqënie dhe furnizim.”

E nga vetpërmbajtja e Tij, të Pastrit nga çdo e metë, është edhe ajo që ka ardhur në Fjalën e të Lartësuarit:

إِنَّ ٱلَّذِینَ فَتَنُوا۟ ٱلۡمُؤۡمِنِینَ وَٱلۡمُؤۡمِنَـٰتِ ثُمَّ لَمۡ یَتُوبُوا۟ فَلَهُمۡ عَذَابُ جَهَنَّمَ وَلَهُمۡ عَذَابُ ٱلۡحَرِیقِ

“Është e sigurt se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe pastaj nuk u penduan, ata do të kenë dënimin e Xhehennemit dhe dënimin e djegies.” [El-Buruxh, 10]

Hasen el-Basri, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Shikoni çfarë fisnikërie dhe bujarie; ata vranë miqtë e Tij, kurse Ai i fton ata në pendim e në falje.”

 

Përktheu: Alban Malaj