Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq. 89-90

 

Emri: El-Xhemiil (الْجَمِيلُ) [i Bukuri]

 

Ky emër është vërtetuar në Sunetin e Pejgamberit - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Transmeton Imam Muslimi në Sahihun e tij nga Abdullah Ibn Mes'udi, radijAllahu anhu, se Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

لاَ يَدْخُلُ الْجَنَّةَ مَنْ كَانَ فِي قَلْبِهِ مِثْقَالُ ذَرَّةٍ مِنْ كِبْرٍ ‏"‏ ‏.‏ قَالَ رَجُلٌ إِنَّ الرَّجُلَ يُحِبُّ أَنْ يَكُونَ ثَوْبُهُ حَسَنًا وَنَعْلُهُ حَسَنَةً ‏.‏ قَالَ ‏"‏ إِنَّ اللَّهَ جَمِيلٌ يُحِبُّ الْجَمَالَ الْكِبْرُ بَطَرُ الْحَقِّ وَغَمْطُ النَّاسِ

"Nuk do të hyjë në Xhennet ai që ka në zemrën e tij qoftë edhe një grimcë mendjemadhësie." Një burrë i tha: ‘Po nëse dikush dëshiron që rroba dhe nallanet e tij të jenë të bukura?’ Ai - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - tha: ‘Me të vërtetë që Allahu është i Bukur dhe e do të bukurën. Mendjemadhësia është refuzimi i të vërtetës dhe nënçmimi i njerëzve’." [Transmeton Muslimi, 91]

Ky emër fisnik tregon për bukurinë e Allahut në emrat, cilësitë, Veten dhe veprat e Tij.

Ka thënë Ibën Kajjimi, Allahu e mëshiroftë: “Bukuria e Tij ndahet në katër kategori:

1. Bukuria e Vetes së Tij

2. Bukuria e cilësive të Tij

3. Bukuria e veprave të Tij

4. Bukuria e emrave të Tij.

Të gjithë emrat e Tij janë të bukur; të gjitha Cilësitë e Tij janë të përsosura; të gjitha veprat e Tij janë me urtësi, janë të dobishme, të drejta dhe të mëshirshme. Për sa i përket bukurisë së Vetes së Tij dhe si qëndron kjo bukuri, është një çështje që askush nuk arrin ta konceptojë përveç Atij dhe nuk mund ta dijë atë përveç Atij. Krijesat kanë njohuri për Allahun aq sa Ai i ka lajmëruar ata që i ka nderuar nga robërit e Tij.

Bukuria e Tij është e fshehur prej të tjerëve dhe e mbuluar me mbulesën e cilësive të Tij, siç thotë i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - duke transmetuar prej Tij:

الكِبْرِيَاءُ رِدَائِي وَالْعَظَمَةُ إزَارِي

“Krenaria është ridaja Ime (cilësi që më takon vetëm Mua) dhe madhështia është izari Im (cilësi që më takon vetëm Mua)."

E ç'mendim ke ti për Bukurinë e cila është e mbuluar me cilësi të përsosura dhe është fshehur duke u përshkruar me cilësi të madhështisë dhe lavdisë?!

Duke u nisur nga ky koncept, kuptohen disa nga domethëniet e bukurisë së Vetes së Tij. Kështu njeriu duke i njohur veprat e Tij, kalon gradualisht te njohja e cilësive të Tij dhe duke i njohur cilësitë e Tij, kalon gradualisht  te njohja e Qenies së Tij. Pra, kur njeriu shikon diçka nga veprat e bukura të Allahut, me këtë argumentohet për bukurinë e cilësive të Tij, pastaj përmes bukurisë së cilësive të Tij, argumentohet për bukurinë e Qenies së Tij...” Burimi: el-Feuaid, fq. 322

Dhuntia e plotë dhe begatia më e madhe për banorët e Xhenetit është shikimi në të Adhuruarin e tyre, Zotin e tyre dhe Mbrojtësin e Bukur e Madhështor, të Pastrit prej të metave. Kjo është gjëja më e madhe që u jepet banorëve të Xhenetit dhe është arritja e atyre më madhështore. Shikimi në Allahun është për gjëja më e dashur për ta, është kënaqësia e shpirtrave, gëzimi i zemrave, ndriçimi i fytyrave të tyre dhe nderimi më i madh që u bëhet.

Është transmetuar në 'Sahihun e Muslimit' nga Suhejbi, radijAllahu anhu, se Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - ka thënë:

إِذَا دَخَلَ أَهْلُ الْجَنَّةِ الْجَنَّةَ - قَالَ - يَقُولُ اللَّهُ تَبَارَكَ وَتَعَالَى: تُرِيدُونَ شَيْئًا أَزِيدُكُمْ؟ فَيَقُولُونَ: أَلَمْ تُبَيِّضْ وُجُوهَنَا؟ أَلَمْ تُدْخِلْنَا الْجَنَّةَ، وَتُنَجِّنَا مِنَ النَّارِ؟". قَالَ: "فَيَكْشِفُ الْحِجَابَ، فَمَا أُعْطُوا شَيْئًا أَحَبَّ إِلَيْهِمْ مِنَ النَّظَرِ إِلَى رَبِّهِمْ عَزَّ وَجَلَّ

"Kur banorët e Xhennetit të hyjnë në Xhennet, Allahu i Madhëruar e i Lartësuar do t’u thotë: 'A doni t'ju jap diçka më tepër?' Ata do të thonë: ‘A nuk na i ndriçove fytyrat tona, a nuk na fute në Xhennet e na shpëtove prej Zjarrit?’ Më pas Ai do ta heqë mbulesën (pengesën që i ndalon prej shikimit të Tij), kështu atyre nuk do t'u jepet diçka më e dashur për ta sesa shikimi në Zotin e tyre, të Plotfuqishëm e të Madhëruar."

O Allah, kërkojmë prej Teje kënaqësinë e shikimit në Fytyrën Tënde fisnike dhe mallëngjimin për takimin me Ty dhe na ruaj nga çdo gjë që na dëmton dhe çdo sprovë që na devijon duke na privuar nga shikimi në Fytyrën Tënde!

 

Përktheu: Servet Mata