Bismilah...

Autor: Ahmed bin Abdul-Halim bin Abdus-Selam ibën Tejmijeh (728 h.)

 

Ibën Tejmijeh, Allahu e mëshiroftë, ka thënë: “Feja e Allahut është mesatare, që qëndron në mes atij që e tepron në fe dhe atij që neglizhon në fe. Për çdo gjë që Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar i ka urdhëruar robërit e Tij, shejtani i është kundërvënë këtij urdhri me dy gjëra dhe i intereson që njëra nga këto dyja të funksionojë, cilado qoftë ajo:

(E para) ose ta teprojnë në atë urdhër;

(E dyta) ose të neglizhojnë në atë urdhër.”

Burimi: el-Uasijetu el-Kubra, fq. 10

____________________________ 

Shejkh Abdul-Aziz er-Raxhihi, Allahu e ruajttë, në shpjegimin e këtyre fjalëve thotë:

Shembull për këtë është historia e atij grupit të cilët donin të bënin më shumë adhurime se Pejgamberi, sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Ata pyetën për adhurimin që bënte Pejgamberi kur ishte vetëm dhe njerëzit u thanë se ai, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, falet dhe fle; ndonjëherë agjëron, e ndonjëherë nuk agjëron; dhe martohet me gra. Këta thanë: “Të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selam, i janë falur mëkatet e mëhershme dhe të mëvonshmet, kurse neve nuk dimë se a na janë falur mëkatet a jo! Kështu që, duhet patjetër të bëjmë adhurime shtesë.”

Njëri nga ata tha: ‘Unë do të falem tërë natën dhe nuk fle në shtrat!’

Tjetri tha: ‘Unë do të agjëroj përherë dhe nuk e prish agjërimin kurrë!’

Tjetri tha: ‘Kurse unë nuk martohem fare me gra!” Do të thotë që të bëj gjithmonë adhurim dhe gratë mos të më largojnë nga adhurimi.’

Tjetri tha: ‘Unë nuk do të ha mish kurrë!’

Këto gjëra janë teprim dhe ekstremizëm. Kur i treguan Pejgamberit, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, për këtë, ai i qortoi ata dhe ua refuzoi këto fjalë dhe u mbajti fjalim njerëzve duke thënë: “Çfarë është puna me disa njerëz që thonë kështu e kështu! Edhe unë falem dhe fle, herë agjëroj e herë jo, ha mish dhe martohem me gra. Ai që largohet nga Suneti im, nuk është prej meje.”

Shembulli tjetër është kur një person është i shkujdesur ndaj fesë; ai nuk i kryen detyrat e fesë dhe nuk heq dorë nga haramet. Ky është neglizhent.

Ka ardhur një ether ku thuhet: “Shejtani i nuhat zemrat e njerëzve. Nëse nuhat se një zemër ka vullnet dhe fuqi për të bërë adhurim, atëherë ai e nxit atë që të bjerë në ekstremizëm dhe teprim. E nëse e nuhat një zemër se është neglizhente, atëherë e nxit atë që të bjerë në neglizhencë dhe mangësi.”

Burimi: Sherh el-Uasijeti el-Kubra, 6/2

 

Përktheu: Jeton Shasivari