Bismilah...

Shejkh Salih es-Suhejmi


Pyetje:

Pyetësi fisnik thotë: “Cili është gjykimi i varjes së tablove në të cilat është i shkruar emri i Allahut dhe Muhamedit, të cilat varen në mure dhe biblioteka, dhe në to ka të shkruara sure dhe ajete të Kuranit?

Përgjigje nga Shejkh Suhejmi:

Kjo nuk lejohet në asnjë rast. Nëse varet emri i Allahut dhe Muhamedit (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem), duke besuar se kjo është ortakëri, atëherë kjo është Shirk i madh, të nxjerr nga feja Islame.

E në qoftë se kjo është një zakon, më e pakta që mund të thuhet për të është Shirk i vogël, është për obligim largimi dhe heqja dorë prej saj. Kurse varja e ajeteve të Kuranit nëpër mure, në makina, tek fëmijët dhe njerëzit, atëherë kjo është prej bidateve më të mëdha, madje kjo është tallje me Librin e Allahut(Xhel-le ue ‘Ala), kurse nuskat nuk lejohen, edhe në qoftë se përmbajnë Kuran. Ibrahim en-Nakha’i (rahimehullah) ka thënë: “Abdullah ibn Mes’udi dhe shokët e tij i urrenin nuskat që përmbanin Kuran dhe gjëra tjera.”

Kurse e urryera tek Selefët do të thotë ndalesë (tahrim - harram). Dhe mbajtja e nuskave që përmbajnë Kuran është harram për katër arsye:

1. Ajo që është transmetuar për ndalimin e nuskave është e përgjithshme, dhe nuk është specifikuar. Kurse e përgjithshmja mbetet,derisa të transmetohet argument për specifikim e saj.

2. Nuk është vërtetuar nga ndonjëri prej Selefëve që të ketë vepruar ndonjë gjë të tillë.

3. Mbajtja e nuskave është tallje me Kuranin. Pra, atë e mban gruaja që ka menstruacione dhe që është lehone, ai që ka papastërti të vogël (është pa abdes) dhe të madhe (është xhunub), dhe fëmija urinon mbi të dhe i hedh mbi të papastërtitë e tij, si dhe gjëra të ngjashme. Dhe kjo është tallje me Librin e Allahut (‘Azze ue Xhel-le).

4. Ndalimi i nuskave është mbyllje e rrugëve që të çojnë në mëkate, pasi që disa kanë dhënë fetva pa dije për mbajtjen e nuskave që përmbajnë Kuran, kjo gjë që ka shpënë që ta shfrytëzojnë këtë disa sharlatanë, kështu ata ‘fshihen’ prapa Kuranit, dhe i mashtrojnë njerëzit me dredhitë e tyre.

Hadithi në lidhje me nuskat vazhdon akoma, shpresojmë ta plotësojmë nesër in shaa Allah. Allahu ju dhëntë sukses juve dhe mua në çdo gjë të mirë, Allahu dërgoftë salavete dhe selame si dhe begati mbi Pejgamberin tonë Muhamedin, mbi familjen dhe mbi shokët e tij.

Video në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari