Bismilah...

Nxënësi: Paralajmërim kundër përbuzjes së ndonjë muslimani, edhe nëse ai është nga njerëzit e ulët, ngaqë Allahu i Lartësuar i ka fshehur sekretet që di Ai për robërit e Tij!

 

Shejkh ‘Abdurr-Rrazzak el-Bedër: “Sepse Allahu i ka fshehur sekretet që di Ai për robërit e Tij!” - te kjo duhet të keni kujdes! “Ai i ka fshehur sekretet që di Ai për robërit e Tij!” Këtë e ka përmendur Ibnul-Kajjim në fund të tekstit që dëgjuam. “Ai i ka fshehur sekretet…”, domethënë, te pamja e jashtme që shikon ti te njerëzit – kini mendjen te kjo! – prej fetarisë apo jofetarisë së tyre, ka diçka që ti nuk e shikon dot dhe nuk je në dijeni. Ka raste kur ndonjë gjynahqar është i sprovuar me një gjynah të caktuar, gjynah i shfaqur të cilin e shohin njerëzit, por ama brenda zemrës së tij ka frikë, ka turp, nuk ka vetëpëlqim, përkundrazi, ai e shikon veten e tij si gjynahqar dhe shpreson nga Allahu që ta çlirojë nga gjynahet. Pra, ai është i sprovuar me ato gjynahe, e megjithatë, ai ka vepra të mira shumë të mëdha, si për shembull është bamirës me prindërit e tij, fal namaz nate, lexon Kuranin.

Kështu që, disa njerëz që ti mendon se janë gjynahqarë, ata lexojnë nga Kurani më shumë se sa arrin që të lexosh ti, dikush prej tyre e lexon Kuranin brenda tre ditëve, dikush e lexon Kuranin brenda një jave. Pastaj vjen dikush që e përbuz atë për shkak të gjynaheve që ai shfaq, ndërkohë që ky njeri përbuzës e kalon tërë muajin pa e lexuar krejt Kuranin ose fare pak e përfill Librin e Allahut, është i lodhur në bamirësinë që duhet të tregojë me prindërit e tij, ka moral të keq dhe ka sjellje të keqe me njerëzit. Prandaj, kjo është një çështje e rëndësishme, kjo është një fjalë madhështore: “Allahu i ka fshehur sekretet që di Ai për robërit e Tij!”

Pra, Allahu i Plotfuqishëm e i Madhërishëm i ka fshehur sekretet që di Ai për robërit e Tij, prandaj ti mos jep gjykim të prerë duke u bazuar në pamjen që shikon ti dhe as mos e pastro dhe mos e lavdëro veten tënde. Ti e përbuz atë, por ama ndoshta ai është më i mirë se ty! Ti e përbuz atë për gjynahun që shikon tek ai, por ai mund të ketë vepra të mira dhe afrimitet me Allahun që t’i nuk e ke! Edhe pse ai është sprovuar me këtë gjynah të caktuar apo me disa gjynahe të caktuara, ai ka një integritet fetar dhe ka një sekret mes tij dhe Allahut që ti nuk e di dhe nuk je në dijeni. Ai për shembull mund të japë sadaka fshehurazi, veçohet me Allahun në fundin e natës, fal namaz nate, bën dhikër, lexon Kuranin, bën dua, bën bamirësi shumë të madhe me prindërit e tij, saqë ti je shumë larg nga ai dhe as nuk i afrohesh dot atij në këto vepra. Prandaj njeriu duhet ta ketë parasysh këtë çështje. Ka një sekret që Allahu e ka mbajtur të fshehtë dhe pikërisht ky sekret i fshehur e bën njeriun që të ketë kujdes në çështjen e lavdërimit, përbuzjes dhe poshtërimit. Për sa i përket lavdërimit, Allahu ka thënë:

فَلَا تُزَكُّوا أَنْفُسَكُمْ هُوَ أَعْلَمُ بِمَنِ اتَّقَى

“Andaj mos i lavdëroni vetet tuaja sepse Ai e di më së miri se cili prej jush është i devotshëm!” [#kuran en-Nexhm, 32]

Pra, se kush është më i devotshëm, pikërisht ky është një sekret që e ka fshehur Allahu.

Kurse te Fjala e Allahut:

وَلَا تَنَابَزُوا بِالْأَلْقَابِ

“…mos etiketoni njëri-tjetrin me llagape…” [#kuran el-Huxhurat, 11],

لَا يَسْخَرْ قَوْمٌ مِّن قَوْمٍ

“…mos të përbuzë asnjë popull një popull tjetër…” [#kuran el-Huxhurat, 11], edhe këtu gjithashtu ka një sekret që e ka fshehur Allahu, që do të thotë se ti mund të përbuzësh një person për disa cilësi apo disa çështje, ndërkohë që ai person i përbuzur mund të jetë ashtu siç thotë Allahu:

عَسَىٰ أَن يَكُونُوا خَيْرًا مِّنْهُمْ

“…ndoshta ata mund të jenë më të mirë sesa përbuzësit!” [#kuran el-Huxhurat, 11]

Pra, edhe ky është një sekret që ti nuk e sheh dot dhe nuk e percepton dot. Atë e di vetëm Allahu i Patëmeta e i Lartësuar. Kjo është një çështje e madhe dhe tejet e rëndësishme, është prej atyre çështjeve madhështore që e ndihmojnë robin – me lejen e Allahut të Plotfuqishëm e të Madhërishëm – në integritetin fetar dhe drejtësinë e tij, si dhe e ruajnë atë që të mos bjerë në të tilla gafa të rrezikshme.

 

Përktheu: Alban Malaj