Bismilah...

 

Burimi: Ligjëratë e Shejkhut me titull “el-itidalu ue esh-shebab fi el-uakt er-raahin, minutat 1.08.10 

“Nuk ka kundërshtim ndërmjet diturisë dhe Imanit. Dituria që bazohet në argument të saktë, është në përputhje dhe harmoni me Imanin. Por, dituria që bazohet në një argument të atillë që thotë se “nuk ka asnjë të adhuruar me të drejtë”, “vetëm kësaj jete duhet t’i kushtosh rëndësi kurse Ahireti s’ka asnjë vlerë”, “Xheneti s’ka asnjë vlerë”, “jeto jetën tënde”… kjo është e rrezikshme! Jeta jote mund të shkojë 50 vjet, 40 vjet, 60 vjet apo 100 vjet… Allahu na dhëntë neve dhe juve të gjithëve jetë të gjatë, me shëndet, me mirëqenie dhe me vepra të mira, por ama jeta është e rrezikuar!

Mos rreziko me jetën tënde! Mendohu thellësisht! Mendohu që të jesh mesatar, që të jesh gjykatës i vetes tënde! Mendohu thellësisht! Mendohu thellësisht dhe mos rreziko me jetën tënde! Prandaj kanë thënë se, një njeri i mençur që debatonte me jo-muslimanët, njëherë i tha një qafir që donte të debatonte dhe ta zinte ngushtë atë: “O shejkh, supozojmë që ti vdiqe dhe mbas vdekjes tënde, në varr, ti gjen që të gjitha ato që thoje për besimin në Xhenet, në Xhehenem etj., të gjitha këto ishin të pasakta! Si do të ndjehesh ti atëherë ndërkohë që e ke çuar dëm jetën tënde me këto gjëra?!” Kurse njeriu i urtë besimtar ia ktheu atij: “Jo, më njofto ti, kur të vdesësh ti, do të jesh në varr dhe aty do të zbulosh që të gjitha ato që kemi thënë ne janë të vërteta, që ka Xhenet, ka Xhehenem, më njofto ti sa i dëshpëruar do të jesh për jetën tënde që e ke çuar dëm!”

Pra, kështu që paska një rrezik! Por ama, a të rrezikojmë këtë jetë apo të rrezikojmë Ahiretin? Këtu kemi një problem shumë të madh! Qendrimi mesatar është që ti të mos rrezikosh që të humbasësh Xhenetin! Mos rreziko destinacionin tënd të përjetshëm, për një jetë kaq të shkurtër! Kjo është e palogjikshme! Nëse je konfuz, atëherë kërko! Kërko dhe ke për ta gjetur rezultatin e kërkuar në Kur'an.

Për këtë arsye, esenca e të qënurit mesatar, për njeriun musliman apo për njeriun që ka jetuar në një ambient musliman, është që të mos e lërë kurrë Kur'anin. Kushtojini rëndësi Kur'anit! Jo thjesht duke e lexuar atë për ibadet, por gjithashtu kushtojini rëndësi Kur'anit si burim për të marrë njohuritë. Sidomos ai që ka rënë në konfuzion nga përplasja e filozofisë me Kur'anin! Kushtojini rëndësi Kur'anit për çdo gjë! Ndalu dhe medito në ajetet që flasin për universin! Ndalu dhe medito në ajetet që përshkruajnë Rububijen dhe pushtetin e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar, ajetet që tregojnë si e ka sistemuar Ai këtë univers! Ndalu dhe medito, lexo një herë, dy herë, tre herë… medito në veten tënde dhe ke për të gjetur dritën dhe udhëzimin së bashku.

 

Përktheu: Alban Malaj