Burimi: Fikhu ‘Auaaridi ez-Zeuxhijeh, fq. 16-21
🛑 Kriteri i përgjithshëm që përcakton se çfarë është sjellje e keqe dhe mosbindje midis bashkëshortëve
Ky kriter thotë: “Mospërmbushja e detyrave nga ana e të dy bashkëshortëve apo nga ana e njërit prej tyre që kanë ndaj njëri-tjetrit.” [1]
Mosbindja mund të ndodhë nga ana e gruas, si është rasti kur ajo nuk ia mundëson burrit që ai të dëfrehet dhe të bëjë qejf me të me gjërat e lejuara; apo në rast se ajo nuk pranon që të flejë me të; apo atëherë kur burri e ndalon atë dhe kjo ndalesë nga ana e tij nuk është gjynah, por ajo nuk bindet dhe vazhdon ta bëjë. Si për shembull: Burri e ndalon atë që të dalë nga shtëpia pa lejen e tij, kurse ajo del pa lejen e tij. Atëherë kjo është mosbindje nga ana e gruas. Gjithashtu, mosbindje dhe sjellje e keqe konsiderohen kur gruaja e fyen burrin e saj. Pra, është gjuhëlëshuar me burrin e saj. Kështu që, edhe kjo konsiderohet mosbindje ndaj burrit.
Gjithashtu edhe burri mund të ketë sjellje të keqe dhe të jetë i pabindur, siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَإِنِ امْرَأَةٌ خَافَتْ مِن بَعْلِهَا نُشُوزًا أَوْ إِعْرَاضًا
“Nëse gruaja shqetësohet se burri i saj sillet keq me të ose nuk e përfill atë...” en-Nisa, 128
Siç janë rastet kur burri nuk kujdeset për anën financiare të saj të cilën e ka obligim, kurse ai ka mundësi për të, ose nuk i flet asaj dhe e injoron, ose nuk fle me të në të njëjtin shtrat dhe nuk rri në të njëjtën shtëpi, ose nuk i përmbush obligimet që ka ndaj saj, dhe nuk ka asnjë arsye sheriatike për këto veprime që i bën.
Gjithashtu, siç ka thënë njëri nga fukahatë: “Mosbindje dhe sjellje e keqe është përmbushja e një të drejte me përtesë, me mërzi dhe pa dëshirë.” [2] Që do të thotë: Kur gruaja e përmbush një të drejtë të burrit dhe nuk e lë pa e kryer atë, por e bën atë me përtesë, me mërzi dhe pa qejf, madje ia përmend të mirën që ia bën burrit.
Gjithashtu edhe burri, nuk rri pa e përmbushur të drejtën që ka ndaj gruas, por e bën atë me përtesë, mërzi, bezdi, pa qejf dhe ndoshta edhe ia përmend të mirën që ia bën.
🛑 Gjykimi për mosbindjen dhe sjelljen e keqe
Mosbindja është e ndaluar për të dyja palët, sepse është zullum dhe bie ndesh me urdhrin e Allahut, e që është urdhërimi për bashkëjetesë të mirë dhe mirësjelljes midis bashkëshortëve.
Allahu i Lartësuar e ka sqaruar metodologjinë sheriatike për kurimin e sjelljes së keqe të gruas ndaj burrit të saj në fjalën e Tij duke thënë:
وَاللَّاتِي تَخَافُونَ نُشُوزَهُنَّ فَعِظُوهُنَّ وَاهْجُرُوهُنَّ فِي الْمَضَاجِعِ وَاضْرِبُوهُنَّ ۖ
"Sa u përket grave që ju i druheni mosbindjes dhe sjelljes së tyre të keqe, atëherë këshillojini ato, mos flini me to dhe rrihni ato.” en-Nisa, 34
Ajeti do të thotë: Nëse vërtet gruaja shfaq mosbindje apo i ka bërë shkaqet që tregojnë për mosbindjen e saj.
E jo thjesht hamendësime dhe supozime dhe të thotë burri: “Unë kam frikë se ajo nuk do të më bindet dhe do të ketë sjellje të keqe, prandaj unë veproj kështu e ashtu me të.” Por, duhet patjetër që kjo frikë të bazohet në një shkak të vërtetë, ose ka ndodhur ajo sjellje e keqe e saj, ose janë shfaqur shenjat e mosbindjes dhe sjelljes së keqe.
💎 Faza e parë: Këshilla dhe përkujtimi.
Kurimi i sjelljes së keqe dhe mosbindjes fillohet me këshilla ndaj gruas, përkujtimin e saj me ato gjëra që nxisin për bashkëjetesë të mirë, përkujtimin për fundin e mirë të gruas së bindur ndaj burrit të saj dhe që sillet mirë me të, duke i folur me fjalë të buta dhe prekëse, duke e forcuar ndërgjegjen fetare në shpirtin e saj dhe duke e përkujtuar për shpërblimet që e presin atë nëse ajo e braktis sjelljen e keqe dhe mosbindjen.
Mënyrat e këshillimit janë të ndryshme dhe duhet të bëhen në formën më të mirë dhe të bëhen me dituri. Pra, burri duhet të përpiqet që t’ia forcojë asaj ndërgjegjen fetare në shpirtin e saj dhe ta përkujtojë atë me të drejtën sheriatike që ka ndaj bashkëshortit. Gjithashtu, ta përkujtojë gruan për shpërblimet e mëdha nëse ajo i plotëson të drejtat që ka ndaj burrit, dhe se gruaja do të ketë përfundim të mirë në këtë botë dhe në botën tjetër nëse ajo sillet mirë me bashkëshortin. Gjithashtu, burri duhet që ta motivojë atë duke përdorur një metodë të mirë dhe efikase.
Në fund, nëse ajo refuzon mbas të gjitha këtyre metodave, atëherë burri duhet të kalojë në fazën e dytë për kurimin e mosbindjes nga ana e saj.
💎 Faza e dytë: Mbajtja e një qëndrimi mospërfillës me gruan duke mos kryer marrëdhënie intime me të.
Burri fle në të njëjtin krevat me gruan e tij, e jo të flejë në një krevat tjetër, por nuk fle me fytyrë drejt saj dhe ia kthen shpinën asaj.
Ose burri mund të flejë në një krevat tjetër në të njëjtën dhomë ku fle gruaja e tij. Kështu, ai e ka braktisur shtratin e saj, por jo dhomën e saj.
Ose burri të flejë në një dhomë tjetër.
Më e mira është që të ketë njëfarë gradualiteti kjo mospërfillje nga ana e burrit. Pra, fillimisht të fillojë nga më e vogla dhe më e lehta: të flejë me të në të njëjtin krevat duke mos u kthyer nga ajo, por ia kthen asaj shpinën. Nëse nuk funksionon kjo metodë, atëherë të kalojë tek e dyta, e cila është: të flejë në të njëjtën dhomë, por në një krevat tjetër. E nëse nuk funksionon as kjo metodë, atëherë provon të tretën: të flejë në një dhomë tjetër dhe të mos flejë bashkë me të në dhomën e saj.
Nëse e kërkon nevoja që burri ta edukojë atë, atëherë ai duhet të bëjë dy gjëra në të njëjtën kohë: mospërfilljen e saj në shtrat dhe të mos i flasë asaj.
Shumë nga juristët (fukahatë), kur e përmendim këtë çështjen thonë: “Nuk duhet të kalojnë më shumë se tre ditë pa i folur asaj, kurse mospërfillja në shtrat mund të zgjasë aq sa të ketë ndikim pozitiv edukimi i saj dhe nuk ka kufi kjo periudhë e mospërfilljes.
Një nga fukahatë e tjerë ka thënë: “Madje, nuk ka kufi të caktuar për periudhën kohore që nuk do t’i flasësh asaj, sepse ti e bën këtë gjë me shpresë se do të arrihet qëllimi i dëshiruar.” [3] Pra, ky injorim nga ana e burrit nuk është ndonjë shkak që ka të bëjë me gjërat e dunjasë, porse lidhet me një shkak sheriatik nga i cili shpresohet se do të arrihet një qëllim sheriatik, atëherë të mosfolurit me të nuk ka kufi të caktuar.
Edhe një dobi tjetër:
Një nga fukahatë ka thënë: “Të mosfolurit me gruan është dy lloje:
Lloji i parë: Të mosfolurit për një shkak të dunjasë.
Kjo kufizohet vetëm me tre ditë. Nëse zgjat më shumë se tre ditë, është haram. Sa më shumë që shtohen ditët, aq më shumë shtohet mëkati, saqë nëse ajo periudhë zgjat një vit për shkaqe dunjaje, atëherë kjo është e barabartë në mëkat me vrasjen e qëllimshme. Ka thënë Pejgamberi, alejhi salatu ue selam: “Ai që e braktis vëllain e tij një vit, është sikur të ketë derdhur gjakun e tij.” Pra, në mëkat. Sa më shumë zgjatet kjo periudhë e mospërfilljes së njëri-tjetrit, aq më shumë shtohet edhe mëkati.
Lloji i dytë: Të mosfolurit për një shkak fetar.
Ky lloj nuk ka ditë të caktuara. Ndoshta nuk flet me të tërë jetën, ose të përfundojë atëherë kur arrihet qëllimi i dëshiruar. Mund të jetë një muaj, dy muaj. Mospërfillja e gruas duke mos i folur asaj bën pjesë te ky lloj i dytë dhe dijetarët thonë: ‘Kjo periudhë nuk caktohet me ditë, porse caktohet në bazë të arritjes së qëllimit të dëshiruar.’” [4]
Nëse gruaja pas të gjitha këtyre gjërave, përsëri nuk pendohet dhe nuk bindet, atëherë kalohet në fazën e tretë për kurimin e sjelljes së keqe të gruas. Këtë fazë shumë njerëz e kanë keqkuptuar. Ose e keqpërdorin atë ose sillen keq me atë që flet për këtë fazë dhe harrojnë se ajo është përmendur në Kuran.
💎 Faza e tretë: Rrahja e gruas duke mos e lënduar atë shpirtërisht dhe fizikisht por rrahja të shërbejë si një shfaqje pakënaqësie që ka ndaj saj.
Siç ka thënë Allahu i Lartësuar:
وَاضْرِبُوهُنَّ ۖ
"... dhe rrihni ato.” en-Nisa, 34
Do të thotë: rrihni ato pa u shkaktuar dëme trupore.
Një dijetar ka thënë: “Ta rrahë në atë mënyrë që mos t’i lë shenja në trup, të mos ia çajë lëkurën apo mishin dhe të mos ia thyejë eshtrat.” [5]
Për këtë arsye, Ibën Abbasi ka thënë: “Burri e rreh gruan e tij me misvak.” [6]
Pra, me misvakun e zakonshëm i cili përdoret për të pastruar dhëmbët. Disa Selefë kanë thënë: “E rreh gruan duke e goditur atë me rrobën e tij.”
Fukahatë kanë vënë disa kushtëzime për rrahjen duke thënë: “Të mendojë mirë se kjo rrahje do të ketë dobi dhe do të ndikojë për mirë, ku do të përmirësohet shtëpia e tij, e nëse ndodh e kundërta, nuk lejohet rrahja e saj.” [7]
Nëse burri nuk mendon se me këtë rrahje do të arrihet qëllimi dhe se nuk do të ketë efekt pozitiv dhe nuk do të ketë përmirësim, atëherë nuk i lejohet atij ta bëjë atë.
Kjo rrahje nuk është për poshtërim, hakmarrje dhe shtypje, por është rrahje për përmirësim. Madje disa dijetarë kanë thënë, siç janë edhe Malikitë: “Nëse ai e rreh atë përpara se të sigurohet se rrahja do të ketë ndikim pozitiv që ajo të ndryshojë, porse ajo nuk do t’ia falë atij këtë, madje do të kërkojë shkurorëzim dhe do të hakmarret për këtë.” [8]
Pra, dijetarët kanë thënë fjalë për fjalë, se nëse burri e rreh gruan – edhe nëse ajo është e pabindur – përpara se ta dijë se rrahja do të jetë e dobishme dhe ajo nuk do ta falë burrin për këtë – nëse ajo ia fal atij, kjo është e drejta e saj – dhe si pasojë e kësaj rrahje, ajo do të kërkojë shkurorëzim. Nëse ajo do ta padis atë në gjykatë dhe gjykatësi do të vërtetojë se rrahja nuk ka patur dobi dhe efekt pozitiv te gruaja, apo e ka rrahur përpara se të sigurohet se kjo rrahje do të ketë efekt pozitiv, atëherë në këtë rast gjykatësi e bën njërën nga këto dy gjërat:
E para: Ose të kërkojë nga burri që ta ndajë gruan e tij. Pra, e urdhëron burrin që ta ndajë atë. Nëse burri nuk pranonin gjykimin për ndarje, atëherë ta bëjë të dytën.
E dyta: Ose të kërkojë dëmshpërblim për gruan e tij. Pra, gjykatësi gjykon që mbi burrin të zbatohet një masë ndëshkimore si dëmshpërblim.
Qëllimi im që kam sjellë këtë gjykim të cilin e kanë përmendur dijetarët, siç janë edhe Malikitë të cilët thonë: “... me qëllim që burrat të kenë kujdes se me rrahjen nuk është për qëllim shtypja dhe ushtrimi i dhunës ndaj gruas, porse është për qëllim përmirësimi dhe korrigjimi.”
Në këtë kohë që po jetojmë, po dëgjojmë se ka burra që ua plasin kokën për muri grave të tyre. Ka nga ata që i rrahin gratë e tyre aq shumë, saqë ua nxjerrin gjakun. Pa dyshim se kjo është zullum, nuk lejohet dhe Allahu nuk e ka lejuar një gjë të tillë.
Shteti nëse do të miratonte një ligj për këtë dukuri dhe do t’i drejtonte njerëzit tek autoritetet përkatëse që të parandalohet shtypja dhe teprimi në këtë çështje, atëherë njeriu duhet ta respektojë atë ligj.
Pra, nëse udhëheqësi shtetëror do të vendoste një ligj që të parandalojë dhunën dhe që kauza e mosmarrëveshjes midis burrit e gruas të kalojë tek autoritetet përkatëse, atëherë njeriu duhet ta respektojë këtë ligj, sepse qëllimi mbrapa kësaj është përmirësimi dhe pajtimi.
______________________
📚 [1] Esh-Sherhu el-Mumtië, ibën Uthejminit (12/440).
📚 [2] Esh-Sherhu el-Mumtië, ibën Uthejminit (12/441).
📚 [3] el-Meus’autul-Fikhijeh el-Kuejtijeh (35/121).
📚[4] Shiko në “Sherhu Neueuij ‘alel-Muslim (13/106), el-Meus’autul-Fikhijeh el-Kuejtijeh (42/166).
📚 [5] “El-Xhamiu li-Ahkamil-Kuran” i Kurtubiut (5/172), “Tefsirul-Kuranil-Adhim” i Ibën Kethirit (2/295).
📚 [6] “El-Xhamiu li-Ahkamil-Kuran” i Kurtubiut (5/172)
📚 [7] “Sherhu Mukhtesar Khalil” i Khurashit, (4/7), “Hashijetu es-Sauij ‘ale Sherhi es-Sagir” (2/512).
📚 [8] Esh-Sherhu el-Mumtië, ibën Uthejminit (12/448).
Përktheu: Jeton Shasivari