Bismilah...

Pasha Allahun, është fatkeqësi se si disa Haxhinj që bëjnë haxhin këto kohë preokupimin më të madh e kanë të bëjnë foto dhe video. Ata bëjnë tauaf rreth Kabes, rreth Shtëpisë së Allahut, në vendin e përmendjes së Allahut, në vendin e lutjeve, por i sheh duke bërë video dhe foto. Gjatë gjithë tauafit ata bëjnë video dhe flasin me familjet që i kanë në shtëpi.

Madje, kam parë një bidat të çuditshëm! Pashë njërin që e kishte ngritur telefonin dhe inçizonte live, dhe nuk e di a ishte babai, nëna apo ndonjë i afërm i tij, ky i thoshte: “Bëj tauaf bashkë me ne sepse tani gjendemi përreth Kabes”. Pra, me qëllim që ai të bënte tauaf live nga atje. Ky është bidat i fëlliqur! O vëlla, ecja përreth Kabes është një lloj namazi, vetëm se Allahu na e ka lejuar që të flasim gjatë tauafit. Bëje me gjithë zemër tauafin dhe me përkushtim!

Bëj tauaf! Bëj lutje! Kërkoji Allahut! Pendohu tek Allahu për gjynahet e tua! Jepu fund gjynaheve! Është një begati me të cilën Allahu të ka begatuar! Pse e humb atë me këto video e foto! Gjithashtu, kini kujdes nga gënjeshtra gjatë bërjes së fotove në çdo vend. Ne i shohim këtu në xhami (xhaminë profetike), në xhaminë Kuba, etj. duke i thënë vëllait të tij “Më bëj një foto!” kurse ai nuk është duke u lutur. Ai edhe sikur të lutej me të vërtetë dhe t’i bëhej foto, prapëseprapë do të ishte gjë e pahijshme. E si është halli kur ai nuk është duke bëre lutje me të vërtetë, por vetëm do që të duket para njerëzve sikur po lutet! Pastaj, e merr atë foto, e fut në kornizë dhe e vendos në sallon, i vë edhe një kësulë sipër, “haxhi filani”.

As haxhi, as umreja nuk janë ligjësuar që të bëhen kështu! Në parim, njeriu duhet ta fshehë çdo adhurim që bën dhe të ketë frikë se mos mbetet pa shpërblime. Duhet të përpiqet sa më shumë që ta fshehë atë, nga frika se mos mbetet pa shpërblime! Kjo vlen për atë që bën adhurimin. Por që të mashtrojë gjatë adhurimit dhe të bëjë foto, kjo është fatkeqësi o vëllezër!

O vëllezër! Ruhuni nga këto marrëzi! Kini kujdes dhe mos bëni foto dhe video! Drejtojuni Allahut! Drejtojuni Allahut me gjithë zemër! Kjo është një mundësi për ju! Ndoshta këtë mundësi e ke pritur 40 a 50 vite dhe Allahu të ka begatuar me të! Prandaj, falënderoje Allahun! Shfrytëzoje sa më shumë këtë mundësi!

 

Përktheu: Jeton Shasivari