Ibn Abbasi, radij-Allahu anhu, i tha muezinit në një ditë me shi: “Kur të thuash Esh-hedu ene Muhameden Rasulullah, mos thuaj Hajje ales-Salah, por thuaj Sal-lu fij Bujutikum(Faluni në Shtëpitë tuaja).” Njerëzit e kundërshtuan këtë, kështu që ai tha: “Dikush që është më i mirë se unë ma ka thënë këtë. Xhumaja është ditë nderi dhe nuk më vjen mirë që ju të mundoheni duke kaluar përmes baltës dhe papastërtive.”1
Nafi’ ka thënë: “Ibn Umeri, radij-Allahu anhuma, thirri ezanin një natë në Dhexhnan 2, pastaj tha: Sal-lu fir-Rihal (Faluni mbi kafshët tuaja të udhëtimit). Ai na tha se i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, e urdhëronte muezinin që të thërriste ezanin pastaj të thoshte në fund të tij: “Faluni mbi kafshët tuaja të udhëtimit (rihal)”, gjatë netëve të ftohta ose me shi, kur ishim në udhëtim.”3
Usame Ibn Umejr, radij-Allahu anhu, ka thënë: “Ishim me të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, në Hudejbije dhe na zuri një shi që as tabanin e këpucëve nuk na lagu, kështu që i Dërguari i Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, thirri: “Faluni mbi kafshët tuaja (rihal).”4
Në një natë të acartë, Ibn Umeri, radij-Allahu anhuma, u thirri atyre që ishin me të: “Faluni mbi kafshët tuaja (rihal).” Pastaj tha: “Kur ishte kështu, e kam parë të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem, t’i urdhëronte njerëzit: “Faluni mbi kafshët tuaja (rihal).”5
Xhabir Ibn Abdullah, radij-Allahu anhu, ka thënë: “Ishim me të Dërguarin e Allahut, sal-lAllahu alejhi ue sel-lem. Zuri të binte shi, kështu që ai tha: “Ai që dëshiron nga ju mund të falet mbi kafshën e tij (rihal).”6
Pasi përmendi disa nga hadithet e mësipërm, Imam Kurtubiu (v.671H) tha: “Kjo tregon lejueshmërinë e largimit nga xhemati për shkak të vështirësisë që vjen si pasojë e shiut, erës dhe të ftohtit. Në këtë kuptim hyjnë edhe vështirësitë me të cilat ndeshet ai që është vendas apo udhëtar.”7
1 Trasnmetuar nga Bukhari (n. 850) dhe Muslimi (n. 1128).
2 Dhexhnan është një mal afër Mekkes.
3 Transmetuar nga Bukhari (n. 596) dhe Muslimi (n. 1126).
4 Transmetuar nga Ahmedi (5/74-75), Ebu Davudi (n. 1057), Ibn Khuzejme (n. 1758) dhe Ibn Hibbani (n. 2083).
5 Transmetuar nga Ibn Hibbani në Sahijhun e tij (n. 2076).
6 Transmetuar nga Muslimi (n. 1127).
7 Shiko Terhut-Tethrib (2/318) të el-Hafidh el-‘Iraki.
Përktheu: Alban Malaj