Bismilah...

Autor: esh-Shejh Muhamed Nasirud-Din el-Albani

Burimi: Silsiletul-Ehadithus-Sahihah (vëll. 6, Hadithi n. 2654, fq. 323-326)

Nga Ebu Hurejrah (radij-Allahu anhu), nga i Dërguari i Allahut (sal-lAllahu alejhi ue sel-lem): “Kush nuk i lutet Allahut, Allahu zemërohet me të.”


Shënuar nga Buhari në “Edebul-Mufrad”, Tirmidhiu, Ibn Maxheh, Hakimi, Ahmedi, Ibn Ebi Shejbeh, Bejhakiu në “esh-Shejbeh” dhe Taberani. Shejhul-Albani e ka deklaruar Hasen.

Shejhul-Albani ka sjellë një hadith tjetër nga Nu’mani (radij-Allahu anhu) që e mbështet transmetimin e mësipërm, teksti i të cilit është:

Du’aja është ibadet.” Pastaj i Dërguari (sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem) recitoi: “Zoti juaj ka thënë: “Lutmuni Mua, e Unë do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar”!” [Gafir, 60]

Ky hadith është shënuar nga autorët e Suneneve dhe të tjerë përveç tyre. Është saktësuar nga Ibn Hibbani, Hakimi, Dhehebiu etj. Studimi i këtij hadithi gjendet në “Ahkamul-Xhena’iz”, “Sahih Ebi Davud” dhe “Reudatun-Nedijr”.


Shejhul-Albani ka komentuar: “Nuk ka dyshim se të qëndruarit larg adhurimit të Allahut si rezultat i mendjemadhësisë dhe të mos luturit Atij sjell domosdo zemërimin e Allahut ndaj personit që nuk i lutet Atij. Ky hadith [i Nu’manit] është një mbështetje e fuqishme për hadithin e Ebu Hurejrës për shkak të kuptimit të tij e jo për shkak të zinxhirit të tij.

Disa injorantë prej Sufive i kanë injoruar këto hadithe, ose pretenduan se i injoruan. Ata pretendojnë se t’i lutesh Allahut është mungesë edukate ndaj Allahut. Ata u ndikuan nga një transmetim prej israilijateve: “Dijenia e Tij për gjendjen time më bën që të mos i lutem Atij.”

Ata ishin injorantë rreth faktit që kur robi i lutet Allahut, ai nuk e informon Allahun Subhanehu ue Te’ala për nevojën që ka, (por i lutet Atij).

“Ai e di se çfarë mbahet sekret dhe atë që është akoma më e fshehtë.” [Ta-Ha, 7]

Përkundrazi, ky është realizimi i Ubudijes ndaj Allahut dhe realizim i nevojës të tejskajshme që ka robi për Allahun.

 

Përktheu: Alban Malaj