Bismilah...

Autor: Shejkh Ahmed Ibën ‘Umer Bazmul

Burimi: Mësimi n.10, nga shpjegim i librit “Buluugul-Meraam” të Hafidh ibën Haxherit, kapitulli “Mes’hi mbi meste (çorape)”, min. 11:10

El-Hafidh ibën Haxher – Allahu i Lartësuar e mëshiroftë – ka thënë: Transmetohet nga Mugirah ibni Shuëbeh – radijAllahu ‘anhu – i cili ka thënë: “Isha me Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe ai mori abdes. Unë u ula që t’ia heq mestet. E ai më tha: “Lëri sepse i kam veshur të pastra.” Dhe kështu iu dha mes’h sipër tyre.” Hadithi është muttefekun ‘alejhi.

U përmend më parë jetëshkrimi i Mugirah ibnu Shuëbeh – radijAllahu ‘anhu – porse unë do ju njoftoj për një çështje shpejt e shpejt, e cila ka të bëjë me Mugirah ibnu Shuëbeh, e ajo është se:

Disa njerëz të bidateve e shajnë Mugirah ibnu Shuëbeh dhe flasin keq për të në disa çështje që transmetohen nga ai. Ata e përçmojnë atë, kurse ai është një Sahabij i ndershëm – radijAllahu ‘anhu ue erda-ahu.

Andaj, kini kujdes – Allahu ju bekoftë –, ndaj Mugirah ibnu Shuëbeh apo ndaj Sahabëve të tjerëve, kini kujdes nga çfarëdo lloj njollosjeje ndaj tyre. Unë e përmenda Mugiran sepse unë e di që disa Sufistë e shajnë, flasin keq dhe e etiketojnë Mugiran – radijAllahu ‘anhu. Kini kujdes tek kjo temë nga ata njerëz. Në rregull.

Ai (Mugirah) tha: Isha me Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – d.m.th. në shoqërinë e tij. Ka ardhur në disa transmetime se ai e ka shoqëruar Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në Tebuk, betejën e Tebukut. Ai thotë: Isha me Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe ai mori abdes. Kështu që, unë u ula (ahuejtu) që t’ia heq mestet, ahuejtu d.m.th. u përula, zbrita, që t’ia heq mestet, i cili mendoi se ai do t’i lajë këmbët apo mendoi se ai i ka veshur mestet (çorapet) pa abdes. Dhe Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – i tha: “Lëri ato.” Që do të thotë: mos m’i hiq. “Unë i kam veshur ato të pastra.”

Fjala e tij “I kam veshur ato” do të thotë: të dyja këmbët; “të pastra” që do të thotë: pastërti e plotë. Nga kjo dijetarët janë argumentuar se veshja e mesteve (çorapeve) është pas pastërtisë së plotë (d.m.th. mbasi që është plotësuar i gjithë abdesi). Ata kanë thënë: “Nëse ai lan njërën këmbë, të mos e vesh njërën prej mesteve (çorapeve) derisa ta lajë këmbën tjetër, pastaj t’i veshë të dyja mestet, sepse atëherë realizohet veshja e mesteve në pastërti të plotë.”

Kështu që, fjala e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –: “Unë i kam veshur ato të pastra,” është përshkrim për këmbët. Prandaj, nëse ai që merr abdes lan vetëm njërën këmbë, atëherë abdesi i tij është i mangët, në fakt ai as që e ka përfunduar abdesin, është abdes i pavlefshëm. Pra, ka larë njërën këmbë dhe ka shkuar. Abdesi i tij është i pavlefshëm. Cili është argumenti për këtë? Është hadithi i Sahabiut i cili kishte lënë pa larë në këmbën e tij një vend sa madhësia e një monedhe (dhe Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e urdhëroi që ta përsëriste abdesin).

Pra, fjala e tij “të pastra” është përshkrim i këmbëve. Kjo tregon për kushtin e larjes së këmbëve para se t’i veshësh mestet (çorapet). Dhe fjala e tij “Sepse unë – fe inni” është lidhëse shkakore që tregon për urdhrin e tij që të mos i hiqen mestet. Dhe nga kjo lidhëse shkakore (t’alil) tek dijetarët nxirret urtësia dhe shkaku i kësaj. Qartë?

Ai tha: “Sepse unë i kam veshur ato të pastra.” Ai (Mugirah) tha: “Dhe ai u dha mes’h sipër tyre.” Hadithi është muttefekun ‘alejhi (E transmeton Bukhariu dhe Muslimi).

Ky hadith – siç u përmend më parë – është njëri nga shumë hadithet muteuatir që janë transmetuar për fshirjen mbi mestet. Fjala e tij: “Dhe ai iu dha mes’h sipër tyre”, fjala e tij “sipër tyre” tregon për vendin e dhënies së mes’hit, dhe ai është sipër mesteve. Sepse sikur të kishte thënë “Iu dha mes’h atyre – mesehaha” do të tregonte se ai u ka dhënë mes’h këmbëve nga të gjitha anët (poshtë e sipër). Sikur të kishte thënë “Dhe ai iu dha mes’h nga poshtë” do të tregonte se mes’hi është nga poshtë. Por kur tha “dhe ai u dha mes’h sipër tyre” nga që duket (nga fjala “sipër”) është shpina e këmbëve. Dhe kjo do të vijë më vonë në etherin e Alijut – radijAllahu ‘anhu – bashkë me hadithin që e ka përmendur autori. Në rregull.

Autori – Allahu e mëshiroftë – ka thënë: të katër këta që kanë transmetuar (hadithin) nga ai (Mugirah ibën Shuëbeh) përveç Nesaiut, se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue selem – u dha mes’h sipër mesteve dhe poshtë tyre. Ai (Hafidh ibën Haxher) tha se në zinxhirin e tij ka dobësi. Në rregull.

Ka thënë: katër janë që e transmetojnë nga ai, pra nga Mugirah ibën Shuëbeh – radijAllahu ‘anhu – përveç Nesaiut. Pra, e kanë nxjerrë Tirmidhiu, Ibën Maxheh dhe Ebu Daudi, përveç Nesaiut i cili nuk e ka nxjerrë. Ata transmetojnë se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – u ka dhënë mes’h mesteve nga sipër dhe nga poshtë. Zinixhiri i tij, siç e ka përmendur el-Hafidh – rahimehuLlahu Te’ala – është i dobët, e kanë dobësuar një grup dijetarësh. Kurse mes’hi sipër mesteve (çorapeve) është autentik – siç do të sqarohet në vazhdim. Kurse mes’hi poshtë mesteve (shputës) nuk është autentik, dhe as që është prej sunnetit në origjinë, dhe ky hadith është i dobët (da’ijf). Në rregull.

Para se të kalojmë tek hadithi që vijon, kjo është një dobi që erdhi nga disa vëllezër – Allahu ua shpërbleftë me të mira –, ta lexojmë.

Thotë: Nga dobitë e mëdha që përmban hadithi i Mugirah ibni Shuëbeh është shërbimi ndaj dijetarëve, të ndershmëve e të moshuarve, duke qenë argument fjala e tij (Mugiras): “U ula që t’ia heq mestet.” E ka përmendur këtë Shejkh (Abdullah) Bassam.

Ne themi: Po! Porse a është argument vet fjala e tij “U përkula që t’ia heq mestet” apo argumenti është tek cila pjesë? Hë? Ku është argumenti (për shërbimin)?

Argumenti është tek aprovimi i Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Të lumtë!

(Dobi të tjera nga hadithi:) Është dashuria që kishin Sahabët për Pejgamberin – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem. Këtu ka edukatë me dijetarët, dhe argument për këtë është aprovimi i Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ndaj Mugiras dhe nuk ia mohoi atij këtë gjë.

Porse do të nxjerrim në pah një çështje. Ti na solle një çështje, porse na hape një çështje të dytë. Çfarë është kjo çështja e dytë?

Nxënësi i dijes nuk është i detyruar që t’i shërbejë dijetarit. Pra, dijetarit nuk i takon, qoftë dijetar i madh apo i vogël, nuk duhet që të zemërohet me nxënësin e dijes apo ta konsiderojë të paedukatë apo p.sh, të flas keq për të.

Kemi parë disa njerëz se në qoftë se ti nuk i shërben atij, ndjen një farë vrazhdësie nga ana e tij. Kjo është gabim. Dijetari është prind në dije, porse nuk është prind që ty të obligohet t’i shërbesh dhe të bësh këtë e atë për të. Jo! Kjo nuk është obligim. Përkundrazi, dijetarët janë të urdhëruar dhe janë të nxitur nga Sheriati që të sillen mirë me nxënësit e dijes. A është e qartë? Kështu që, nuk i takon dijetarit që të zemërohet dhe ta shajë nxënësin nëse ai nuk i shërben dijetarit. Sepse nëse nxënësi i dijes i shërben dijetarit, kjo është nga ana e dashurisë, respektit dhe nderimit, dhe nuk ka pengesë nga ana e Sheriatit, siç më njoftoi vëllai – Allahu e shpërbleftë – nga Shejkh (Abdullah) Bassam.

Por, kini kujdes, se disa çështje nëse lirohen fare, kjo të shpie në kundërshtimin e Sunnetit. Krahas edukatës që duhet patur me dijetarin, po ashtu tregojmë se kjo (shërbimi ndaj dijetarit) nuk është obligim. Madje, nxënësi i dijes nuk e ka obligim që t’i thotë dijetarit “O Shejkh”.

Kemi parë se njëri prej njerëzve shfryu dufin, ofendoi dhe e luftoi njërin prej nxënësve të dijes, madje edhe njëri prej dijetarëve, se ai (nxënësi) i tha atij “O filan” e nuk i tha “O Shejkh.” Kështu që, ky vështroi e tha: “Si po më thotë ky mua kështu!” Pastaj ai filloi ta luftojë atë. Pa dyshim se kjo është në kundërshtim me Sunnetin dhe në kundërshtim me Udhëzimin e Pejgamberit. Prandaj, duhet që gjërave t’u jepen peshat e tyre përkatëse.

Beduini vinte tek Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – dhe i thoshte atij “O Muhamed!” Kurse ai ishte i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, zotëria i bijve të Ademit dhe kjo nuk është mburrje – ‘alejhis-salatu ue selam –, mbajtësi i flamurit Ditën e Gjykimit. Megjithëkëtë, i Dërguari nuk i tha atij se pse më thua “O Muhamed,” dhe as Sahabët nuk ia mohuan këtë atij e t’i thonë se pse i thua “O Muhamed.” Ai (beduini) e thirri me emrin e tij. A është e qartë? Andaj, duhet patur kujdes ndaj këtyre çështjeve.

Kurse dikush prej njerëzve, kur i vjen dikush (dhe e thërret në emër, e jo “O Shejkh!”), ai thotë: “Kjo është edukatë e keqe! Kjo është edukatë e keqe!”

Një pjesë e kësaj “edukatës së keqe” që thonë ata, është ashtu siç thotë Shejkhu jonë, esh-Shejkh Rabij – Allahu e ruajtë –: ajo vjen nga bestytnitë e Sufistëve.

Nuk ka ndalesë që t’i thuash shejkhut, për shembull t’i thuash Shejkh Rabijs: “O Rabij! Cila është fjala juaj për këtë çështje?” Nuk ka ndalesë. Nuk ka gjë të keqe. Nuk është edukatë e keqe. Të thuhet që ajo është më e mirë dhe më e preferuar, kjo është çështje tjetër. Andaj duhet patur kujdes ndaj këtyre gjërave.

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari
12 Shtator 2015 - 28 Dhul-K’adeh 1436 - Medine