Bismilah...

Autor: Imam Muhamed Nasiruddin el-Albani

Po ashtu, ka ardhur në Sahih se Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – një ditë i kishte hipur mushkës së tij, dhe kur kaloi pranë dy varreve, mushka filloi të ndërrojë rrugë (nga frika). Kështu ai pyeti: “Çfarë janë këta dy?” Ata thanë: “Këta dy kanë vdekur në xhahilijet (periudhën para ardhje së Islamit).” Atëherë Pejgamberi – ‘alejhi salatu ue selam – tha:

“Sikur të mos e varrosnit njëri-tjetrin, do t’ua mundësoja ta dëgjonit dënimin e varrit.” [1]

Kjo do të thotë se kur mushka kaloi pranë dy varreve, dëgjoi dënimin në varr dhe ndërroi rrugë. Kështu ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem – tha: “Sikur të mos e varrosnit njëri-tjetrin,” domethënia e kësaj fjale “sikur të mos” do të thotë se kam frikë se nëse ua mundësoj të dëgjoni dënimin e varrit (pasi që t’i lutem Allahut dhe kjo të ndodh me lejen e tij), askush nga ju nuk do të mbetet gjallë, gjë që nuk do ngelet njeri që ta varros të vdekurin, ju që të gjithë do të vdisni. Për këtë arsye, unë nuk ua mundësoj të dëgjoni dënimin e varrit. Kjo është metaforë për tmerrin e dënimit që do ta përjetojnë pabesimtarët në varret e tyre dhe prej atyre pabesimtarëve janë edhe këta dy persona në këto varre që vdiqën në xhahilijet.

________________________________________

[1] Ky hadith transmetohet te Sahihu i Muslimit me këto fjalë:

لَوْلاَ أَنْ لاَ تَدَافَنُوا لَدَعَوْتُ اللَّهَ أَنْ يُسْمِعَكُمْ مِنْ عَذَابِ الْقَبْرِ

“Sikur të mos e varrosnit njëri-tjetrin, do t’i isha lutur Allahut që t’ua mundësojë të dëgjonit diçka nga dënimi i varrit.” [Muslimi, 2868]

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari