Autor: Shejkh Ali Jahja el-Haddadij
Burimi: http://www.haddady.com/2015/03/31
Transmetohet nga e Ebu Hurejrah – radijAllahu anhu – i cili thotë: Iu tha Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem –:
“O i Dërguari i Allahut! Filania fal namaz nate, agjëron ditën, bën vepra të mira, jep lëmoshë, dhe ndërkohë e dëmton komshiun me gjuhën e saj!
I Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha: “Nuk ka mirësi tek ajo. Ajo është prej banorëve të Zjarrit.”
I thanë: Ndërsa një grua tjetër i fal farzet, jep thërrime (pak) si lëmoshë dhe nuk dëmton asnjë.
Dërguari i Allahut – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – tha: “Ajo është prej banorëve të Xhennetit.””
Transmeton Ahmed dhe Bukhari në el-Edebul-Mufred.
Transmetuesi i hadithit :
Ebu Hurejrah ed-Dusij, Sahabij i nderuar, hafidhi i sahabëve. Dijetarët kanë rënë në mospajtime në lidhje me emrin e tij dhe emrin e babait të tij, se cili është më i sakti. Shumë prej tyre (dijetarëve) kanë zgjedhur mendimin se emri i tij është AbduRrahman ibn Sakhr, ndërsa një grup prej dijetarëve të gjenealogjisë kanë zgjedhur mendimin se emri i tij është Amër ibn Amir. Ebu Hurerjah ka vdekur në vitin 57- 58 ose 59 hixhri dhe mosha e tij ishte 78 vjeç.
Kuptimi i fjalëve:
Jep thërrime si lëmoshë (ethuar): d.m.th. jep sadaka sa thërrimet e Ekit (qumësht i thatë).
Kuptimi i përgjithshëm i hadithit:
Disa Sahab i parashtruan Pejgamberit – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – çështjen e dy grave: njëra prej tyre bënte shumë adhurime dhe ndërkohë dëmtonte fqinjët e saj, ndërsa tjetra nuk kishte shumë adhurime prej nafileve (vullnetare) por ajo nuk i dëmtonte fqinjët e saj! Pejgamberi – sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – i lajmëroi se ajo e cila dëmtonte fqinjët ishte në Zjarr megjithëse bënte shumë adhurime; ndërsa ajo e cila vepronte pak prej nafileve dhe fqinjët e saj ishin të qetë prej saj, është në Xhennet.
Çfarë përfitohet prej hadithit:
1. Në këtë hadith ka kërcënim për atë që dëmton fqinjin. Kur kjo grua e meritoi Zjarrin, edhe pse ajo bënte shumë prej nafileve, për shkak të dëmtimit të fqinjëve me gjuhën e saj, atëherë si është çështja e atij i cili e dëmton fqinjin e tij me gjuhën dhe me dorën e tij?! Po si është çështja e atij që e dëmton komshiun e tij, dhe ndërkohë ka mangësi në veprimin e nafileve apo të obligimeve (uaxhibat)?!
2. Në këtë hadith tërhiqet vërejtja se gjynahu i dëmtimit të fqinjit i fshin njeriut shumë prej punëve të mira! Gjynahet i fshijnë veprat e mira ashtu siç veprat e mira i fshijnë gjynahet, siç thotë i Lartësuari:
فَأَمَّا مَن ثَقُلَتْ مَوَازِينُهُ ﴿٦﴾ فَهُوَ فِي عِيشَةٍ رَّاضِيَةٍ ﴿٧﴾ وَأَمَّا مَنْ خَفَّتْ مَوَازِينُهُ ﴿٨﴾ فَأُمُّهُ هَاوِيَةٌ ﴿٩﴾ وَمَا أَدْرَاكَ مَا هِيَهْ ﴿١٠﴾ نَارٌ حَامِيَةٌ ﴿١١﴾
“E sa i përket atij që i rëndohet peshorja e veprave të tij, ai është në një jetë të këndshme. Ndërsa ai që e ka peshoren e lehtë të veprave të tij. Vendi i tij do të jetë në Hauijeh. E ku di ti se çfarë është Hauijeh? Është zjarr me nxehtësi shumë të lartë.” El-Kariah, 6-11
3. Ne këtë hadith tërhiqet vërejtja për veprimet e disa njerëzve. Ata mund të bëjnë padrejtësi dhe të bëjnë të këqija, e në të njëjtën kohë kërkojnë shpërblime dhe sevape! Si shembulli i atij që i dëmton njerëzit në Tauaf, ne Sa'j apo në hedhjen e gurëve! Po kështu edhe ai i cili e han pasurinë e tjetrit me pa të drejtë, si kamata, ryshfeti, mashtrimi dhe më pas jep sadaka prej kësaj tek te varfërit, dhe kontribuon me të në punë të mira.
4. Lejimi i përmendjes së ndonjë personi për ndonjë të metë që ka ai, nëse është për ndonjë synim Sheriatik, siç është: kërkimi i fetvasë ose ankesa për ndonjë padrejtësi që i është bërë!
Apo nëse është prej pasuesve të bidatit e përmend bidatin e tij dhe gabimin e tij në mënyrë që t’i paralajmërojë njerëzit prej tij! Kjo nuk është përgojim i qortuar, por është prej këshillës së lavdëruar.
Prandaj, Pejgamberi - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem – nuk i refuzoi ata (Sahabët) kur i treguan se ajo gruaja i dëmtonte fqinjët e saj. Ngase ata nuk kishin për qëllim thjesht përmendjen e të metave apo përgojimin e saj, por donin të dinin gjykimin e saj sipas Sheriatit! Ashtu siç ia aprovoi Hindit – radijAllahu anha – kur ajo e përmendi burrin e saj ngaqë ishte që nuk i jepte asaj prej pasurisë, ai (Pejgamberi – alejhi salatu ue selam) nuk e qortoi atë sepse ajo kërkonte fetva apo ankohej për padrejtësinë që i është bërë dhe donte të dinte të drejtën e saj sipas Sheriatit!
Për këtë arsye, Selefët që nga Sahabët dhe ata që erdhën pas tyre nga Tabi’inët që i ndoqën ata (Sahabët) me përpikëri, paralajmëronin kundër njerëzve të bidateve duke i përshkruar ata dhe duke i përmendur me emra qofshin persona, grupe dhe xhemate, e nuk kishin ndonjë kundërshtim mes tyre për këtë.
Përktheu: Servet Mata