Bismilah...

Autor: Shejkh ‘Abdurr-Rrahmaan Ibën ‘Naasir es-Se’adij

Burimi: Behxhetu Kuluubil-Ebraar ue Kurratu ‘Ujuunil-Akhjaar fij Sherhi Xheuaami’il-Akhbaar, fq.278-279

 

 

Nga ‘Abdullah Ibën ‘Umer – radijAllahu ‘anhuma –, i cili ka thënë: Ka thënë i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:

 

إِنَّمَا النَّاسُ كَالْإِبِلِ الْمِائَةِ، لَا تَكَادُ تَجِدُ فِيهَا رَاحِلَةً.

“Me të vërtetë njerëzit janë si njëqind deve, zor se mund të gjesh mes tyre një për të udhëtuar.” E ka transmetuar Bukhari dhe Muslimi.

 

Ky hadith përmban një haber të vërtetë dhe një udhëzim të dobishëm:

 

Haberi është: se ai – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka njoftuar se, kjo fjalë e tij përfshin shumicën e njerëzve, dhe se i përsosuri – apo ai që është afër përsosmërisë – mes tyre është i paktë, ashtu si njëqind devetë. Ty të duken shumë, mirëpo kur do të marrësh njërën prej tyre për udhëtim, që të ngarkosh mbi të mall dhe të hipësh edhe vetë, që të të shpjerë dhe të të kthejë prapë, zor se mund të gjesh një të tillë! E kështu janë edhe njerëzit! Njerëz ka shumë, mirëpo kur do që të  zgjedhësh nga ata një njeri që ia vlen për mësimdhënie, apo për fetva, apo për imamllëk, apo që të kujdeset për të moshuarit ose për të vegjlit, apo që ta ngarkosh me detyra të rëndësishme, zor se mund të gjesh ndonjë që ta bëjë atë detyrë ashtu siç duhet. Dhe pikërisht ky është realiteti, sepse njeriu është i padrejtë dhe injorant, dhe padrejtësia me injorancën janë shkak i mangësive, të cilat janë pengesë për përsosmërinë dhe përsosjen e gjërave.

 

Kurse udhëzimi është: se përmbajtja e këtij haberi është udhëzim nga ana e tij – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, që Umeti duhet të përpiqet dhe të mundohet të përgatisë burra, të cilët do të marrin përsipër kryerjen e detyrave të rëndësishme, ashtu siç duhet, si dhe të gjitha punët e tjera të dobishme në përgjithësi.

 

Pikërisht tek ky kuptim ka udhëzuar Allahu, në Fjalën e Tij:

 

فَلَوْلَا نَفَرَ مِن كُلِّ فِرْقَةٍ مِّنْهُمْ طَائِفَةٌ لِّيَتَفَقَّهُوا فِي الدِّينِ وَلِيُنذِرُوا قَوْمَهُمْ إِذَا رَجَعُوا إِلَيْهِمْ

“Nuk është mirë që besimtarët të shkojnë në luftë të gjithë njëherësh, por prej çdo bashkësie, një grup të mbetet mbrapa, që të thellohet në mësimin e fesë dhe kështu të këshillojë popullin e vet, pasi të kthehen nga lufta.” [et-Teubeh, 122]

 

Pra, Ai urdhëroi për xhihad, që të dalë për të bërë xhihad një grup i mjaftueshëm njerëzish, kurse një grup tjetër të marrë përsipër detyrën e dijes, që të dyja grupet të ndihmojnë njëri-tjetrin, njëri grup me xhihad, kurse grupi tjetër me dije. Dhe urdhri i Allahut të Lartësuar për të marrë përsipër detyrat dhe për të caktuar njerëz të përgjegjshëm në to, është një urdhër që i përfshin ato vetë si dhe kushtet e faktorët që bëjnë të mundur përmbushjen e tyre të plotë.

 

Kështu që, detyrat fetare dhe detyrat në çështjet e dunjasë, si dhe të gjitha punët në përgjithësi, duhet të kryhen patjetër nga njerëzit, dhe se interesi dhe dobia e tyre nuk realizohet pa to, dhe se ato nuk realizohen nëse nuk i marrin përsipër njerëz të aftë dhe besnikë. Andaj kjo kërkon që të bëhen përpjekje për t’i arritur këto cilësi, aq sa të jetë e mundur. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

 

فَاتَّقُوا اللَّهَ مَا اسْتَطَعْتُمْ

“Andaj frikësojuni Allahut (duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke qëndruar larg nga gjërat që Ai i ka ndaluar), aq sa të keni mundësi.” [et-Tegaabun, 16]

 

 

 

Përktheu: Alban Malaj