Autor: Shejkh Ibën Baz, Shejkh Ibën ‘Uthejmin – Allahu i mëshiroftë! –
Është transmetuar nga Ebu Hurajrah - radijAllahu 'anhu - se i Dërguari i Allahut - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem - ka thënë:
“Nxitoni që të bëni vepra të mira, përpara se të vijnë fitne si pjesët e natës së errët, kur do gdhihet burri besimtar dhe do të ngryset qafir, si dhe do të ngryset besimtar dhe do të gdhihet qafir, kështu do ta shesë fenë e tij për një plaçkë nga dynjaja.”
عَنْ أبي هريرة رضي اللَّه عنه أنَّ رسولَ اللَّهِ صَلّى اللهُ عَلَيْهِ وسَلَّم قَالَ: بادِروا بالأعْمالِ فِتَناً كقطَعِ اللَّيلِ الْمُظْلمِ يُصبحُ الرجُلُ مُؤمناً ويُمْسِي كَافِراً، ويُمسِي مُؤْمناً ويُصبحُ كَافِراً، يَبيعُ دِينَهُ بعَرَضٍ مِنَ الدُّنْيا.
E ka transmetuar Muslimi (nr.118).
🔹Ka thënë Shejkh Ibën Bazi, Allahu e mëshiroftë, në komentimin e tij për këtë hadith:
“Domethënë njerëzve do t’u vijnë fitne mbas vdekjes së Profetit - sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem -, në të cilat do të ndryshojnë situatat me shpejtësi. Pra, njeriu atëherë do të ndryshojë me shpejtësi, nga kufri në iman, nga imani në kufër, për shkak të injorancës, për shkak të gjërave tunduese e joshëse, për shkak të thirrësave të së pavërtetës dhe llojeve të ndryshme të fitneve. Prandaj besimtari duhet të nxitojë që të bëjë vepra të mira, për sa kohë që është i bindur dhe është në mirësi dhe shfrytëzon fuqinë e tij.” [Sherh Ibën Baz li-Rijad es-Salihin, vëll.1/fq.216]
🔹Ka thënë Shejkh 'Uthejmini, Allahu e mëshiroftë, në komentin e tij për këtë hadith:
“Fjala e tij “nxitoni” do të thotë shpejtoni me vepra, që janë për qëllim veprat e mira. Vepër e mirë është ajo që ngrihet mbi dy çështje: sinqeriteti për Allahun dhe pasimi i të Dërguarit të Allahut - sal-lAllahu 'alejhi ue sel-lem -. Kështu realizohet dëshmia “La ilahe il-lAllah, Muhamedun Rasul-Ullah”, ngaqë vepra po nuk qe e sinqertë, ajo nuk është vepër e mirë, edhe nëse njeriu çohet që të falet, mirëpo falet që ta shohin njerëzit namazin e tij. Për këtë arsye, vepra e tij nuk pranohet, edhe nëse ai i plotëson të gjitha kushtet, shtyllat, obligimet dhe sunetet e namazit, e fali namazin me qetësi të plotë dhe plotësisht sipas rregullave të tij, në pamje të jashtme, por prapëseprapë ai namaz nuk i pranohet atij ngaqë e ka përzier me shirk. Kurse ai që i bën shirk Allahut, duke përzier dikë tjetër me Allahun në veprën që bën, Allahu nuk e pranon veprën e tij. Siç ka ardhur në hadithin e saktë, nga Ebu Hurajrah – radijAllahu ‘anhu -, se Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – ka thënë:
قال الله تعالى: أنا أغنى الشركاء عن الشرك
“Ka thënë Allahu i Lartësuar: Unë jam më i Panevojshmi për të patur ortak!” Domethënë që nëse dikush më bën ortak Mua, Unë jam më i Panevojshmi për ortakun që ma atribuon ai!
مَنْ عمِلَ عملًا أشرَك فيه معِي غيري تركتُه وشِرْكِه
“E kush bën ndonjë vepër duke më bërë ortak Mua me dikë tjetër, Unë e braktis atë dhe ortakun e tij!”
Gjithashtu, nëse njeriu e bën veprën e tij me sinqeritet, mirëpo e bën atë me një bidat që nuk e ka ligjëruar i Dërguari i Allahut – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –, atëherë vepra e tij nuk pranohet, sado i sinqertë që të jetë ai, edhe nëse ka qarë nga frika. Pra, ajo vepër nuk i bën dobi atij, ngaqë Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e ka përshkruar bidatin si devijim. Ai ka thënë:
فإنَّ كلَّ مُحدثةِ بدعةٌ، وكلَّ بدعةٍ ضلالةٌ
“Me të vërtetë që, çdo gjë e shpikur në fe është bidat dhe çdo bidat është devijim!”
Pastaj ai tha: “fitne si pjesët e natës së errët”. Ai njoftoi se kanë për të ndodhur fitne, sikur që shfaqen pjesët e natës së errët, Allahu na ruajttë! Pra, do të thotë që ato fitne janë të pështjelluara e të zymta, nuk duket drita në to - Allahu na ruajttë! - e as nuk e di njeriu se ku të shkojë, do të jetë i çoroditur, nuk e di se ku është rrugëdalja. Unë lus Allahun që të na ruajë neve nga fitnet.
Ka fitne që konsistojnë në pështjellime fetare (shubuhat) dhe ka fitne që konsistojnë në epshe të ndaluara (sheheuat). Fitne e pështjellimeve fetare është çdo fitne që bazohet në injorancë, e prej tyre janë edhe fitnet që kanë ndodhur nga bidatçijtë, ata të cilët kanë shpikur gjëra në besimet e tyre, gjëra të cilat nuk janë në Sheriatin e Allahut. Ose fitnet që kanë ndodhur nga bidatçijtë që kanë shpikur gjëra në fjalët dhe veprat e tyre, gjëra të cilat nuk janë në Sheriatin e Allahut. Kjo sepse njeriu mund të bjerë në fitne – Allahu na ruajttë! – dhe devijon nga e vërteta për shkak të pështjellimit.
Prej tyre gjithashtu janë dukuritë që ndodhin në çështjet e transaksioneve, që janë gjërat e paqarta të cilat janë të qarta në zemrën e atij që është i bindur me iman, porse janë të paqarta për zemrën e devijantit, Allahu na ruajttë! Devijanti futet në transaksione që janë qartazi harram, por ngaqë zemra e tij është nxirë nga gjynahet – Allahu na dhëntë mirëqenie! –, atij i pështjellohet çështja, i zbukurohet ligësia e veprës së tij dhe i duket si e mirë. Ka thënë Allahu për të tillë njerëz:
﴿قُلۡ هَلۡ نُنَبِّئُكُم بِٱلۡأَخۡسَرِينَ أَعۡمَٰلًا١٠٣ ٱلَّذِينَ ضَلَّ سَعۡيُهُمۡ فِي ٱلۡحَيَوٰةِ ٱلدُّنۡيَا وَهُمۡ يَحۡسَبُونَ أَنَّهُمۡ يُحۡسِنُونَ صُنۡعًا١٠٤﴾
“Thuaj: a t’ju njoftoj për ata që më së shumti kanë humbur për shkak të asaj që kanë punuar? Janë pikërisht ata që devijuan nga mundi i tyre gjatë jetës në dynja, ndërkohë që mendonin se po bënin punë të mirë!” [el-Kehf, 103-104]
Pra, ata janë të humburit, Allahu na ruajttë!
Gjithashtu, fitnet ndodhin për shkak të epsheve, në kuptimin që, njeriu e di se kjo gjë është haram, mirëpo shpirti i tij e shtyn drejt saj, ai nuk e vret mendjen, përkundrazi, e bën haramin. Ose e di që kjo gjë është obligim, mirëpo shpirti i tij e shtyn drejt dembelizmit, prandaj ai e braktis këtë obligim. Kjo është fitneja e epsheve, domethënë fitneja e dëshirës. Prej kësaj fitneje është gjithashtu - madje më e madhja që mund të jetë! - fitneja e zinasë dhe pederastisë, Allahu na ruajttë! Pikërisht kjo fitne është një nga fitnet më të dëmshme që mund ta godasin Umetin. Ka thënë Profeti – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem –:
ما تركتُ بعدي فتنةً أضرَّ على الرِّجالِ مِنَ النِّساءِ.
“Nuk kam lënë mbas vetes time fitne më të dëmshme për burrat sesa gratë!” [E ka transmetuar Bukhari (nr.5096) dhe Muslimi (nr.2740).]
Ai ka thënë gjithashtu:
اتقوا النساْءَ فإنَّ أولَّ فتنةِ بني إسرائيلَ كانتْ في النساء.
“Ruhuni nga gratë sepse fitneja e parë që u ra Bin Israilëve ishin gratë.” [E ka transmetuar Muslimi (nr.2742).
Ne kemi sot, në shoqërinë tonë, njerëz që ftojnë në këtë degjenerim – Allahu na ruajttë! – me metoda të djallëzuara, metoda të cilat i emërtojnë me emra që s’kanë asnjë lidhje me ato që thonë ata, mirëpo prapëseprapë ato metoda janë mjet për të realizuar synimet e tyre: që të heqin mbulesën e femrës, nxjerrjen e saj nga shtëpia që ajo të punojë krah për krah me burrat, gjë që shkakton sherr dhe bela. Por, ne lusim Allahun që kurthin e tyre ta hedhë mbi qafat e tyre dhe që t’i lëshojë udhëheqësit tanë kundër tyre, që t’i largojnë nga çdo gjë që është sebep për sherr dhe shkatërrim në këtë vend. Gjithashtu, ne e lusim Allahun e Patëmeta e të Lartësuar që t’u japë udhëheqësve tanë shoqërues të mirë, të cilët i udhëzojnë dhe i nxisin ata për mirësi.
Me të vërtetë që, fitneja e Beni Israilëve ka qenë për shkak të grave dhe ajo është fitneja më e madhe. Edhe sot ka njerëz që thurin lloj e soj intrigash me qëllim që të përdhosin nderin e gruas, me qëllim që ta shndërrojnë atë në imazh, ta shndërrojnë në kukull, që të jetë një objekt për kënaqjen e epshit, një lule që ta këpusin njerëzit e prishur e mendjelehtë për qejfet e tyre, që ta shohin fytyrën e saj në çdo kohë e në çdo orë, Allahu na ruajttë! Por, me ndihmën e Allahut, ata do të jenë përherë të rrethuar nga lutjet e muslimanëve të cilat do t’i shtypin ata dhe do t’i kthejnë mbrapa të zhgënjyer. Kështu, gruaja në Saudi, madje gruaja në çdo vend të botës Islame, ka për të qenë e respektuar dhe e mbrojtur, në pozitën që e ka vendosur Allahu i Plotëfuqishëm e të Madhërishëm.
E rëndësishmë është që, i Dërguari – ‘alejhis-salatu ues-selam – na ka paralajmëruar që të ruhemi nga këto fitne që janë sikur copat e errëta të natës, kur do të gdhihet njeriu besimtar dhe do të ngryset qafir – Allahu na ruajttë! –, në një ditë të vetme do të dalë nga Islami, do të dalë nga feja! Ose do të ngryset besimtar dhe do të gdhihet qafir! Allahu na dhëntë mirëqenie! Përse?
يبيعُ دينَه بعرَضٍ مِنَ الدُّنيا
“Do ta shesë fenë e tij për një plaçkë nga dynjaja.”
Mos mendo se “plaçka” nga kjo dynja është vetëm pasuria, por çdo kënaqësi e dynjasë është “plaçkë”, qoftë pasuria apo autoriteti apo udhëheqja apo gratë apo çdo gjë tjetër. Çdo gjë që ka kjo dynja është “plaçkë”, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar:
﴿ تَبْتَغُونَ عَرَضَ الْحَيَاةِ الدُّنْيَا فَعِنْدَ اللَّهِ مَغَانِمُ كَثِيرَةٌ ﴾
“Ju kërkoni plaçkat e jetës së dynjasë, ndërsa tek Allahu ka fitime të shumta!” [en-Nisaa, 94]
Pra, çdo gjë në këtë dynja është plaçkë.
Kështu që, ata njerëz do të gdhihen besimtarë dhe do të ngrysen qafira, ose do të ngrysen besimtarë dhe do të gdhihen qafira, që të gjithë do ta shesin fenë e tyre për një plaçkë nga kjo dynja. Ne e lusim Allahun që të na ruajë neve dhe juve nga fitnet. Prandaj o vëllezër, kërkoni gjithmonë mbrojtje nga Allahut që t’ju mbrojë nga fitnet. E çfarë urdhëri madhështor që na ka dhënë Profeti jonë – ‘alejhis-salatu ues-selam – ku ka thënë:
“Kur ndonjëri nga ju të jetë në teshehud – domethënë në teshehudin e fundit -, atëherë të kërkojë mbrojtjen e Allahut nga katër gjëra dhe të thotë:
“Allahumme innij e’udhu biKe min ‘adhabi Xhehenem, ue min ‘adhabil-kabër, ue min fitnetil-mahja uel-memat, ue min sherri fitnetil-Mesih ed-Dexhal!”
(O Allah, unë kërkoj mbrojtjen Tënde nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga fitneja që të godet gjatë jetës apo mbas saj, si dhe nga fitneja e Mesihut të Rremë, Dexhalit!”)
Ne e lusim Allahun që të na bëjë neve dhe juve të palëkundur me fjalën e qëndrueshme në jetën e kësaj bote dhe në ahiret. [Sherh Ibën ‘Uthejmin li-Rijad es-Salihin, vëll.2/fq.17-20]
Përktheu: Alban Malaj