Bismilah...

Autor: Shejkh Muhamed ibën Salih el-Uthejmin

 

Pyetje: Esselamu alejkum ue rahmetullahi ue berektauhu. Shejkh i nderuar, siç e dini se prej begative të Allahut – të Pastrit nga çdo mangësi dhe të Lartësuarit – për banorët e këtij vendi (Arabisë Saudite) është se ata janë në menhexhin selefij, porse ka prej tyre që fusin disa metodologji dhe thirrje, ndoshta edhe metodologji të devijuara, siç është metodologjia e Hauarixhëve. A mendoni se kjo ka justifikim – o Shejkh i nderuar – apo se kjo e përçan umetin dhe e prish radhën (e Muslimanëve)?

 

Përgjigje: Po! I Dërguari – ‘alejhi salatu ue selam – e ka sqaruar në hutben e tij të ditës së Xhuma dhe në raste tjera se fjala më e mirë është Fjala e Allahut; udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit – sal-lAllahu ‘alejhi ue ‘ala alihi ue sel-lem. Nëse ne e vështrojmë udhëzimin e të Dërguarit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – do të shohim se ai do që umeti të jetë një umet i vetëm, të mos përçahet e të mos ketë kundërshti; të mos ketë në zemër diçka kundër të tjerëve, saqë i Dërguari – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – e linte atë që kishte zgjidhje për ta shmangur fitnen, saqë ai – ‘alejhi salatu ue selam – urdhëroi të kemi durim ndaj udhëheqësve për padrejtësinë, krimin, egoizmin dhe tiraninë e tyre.

Ai ka treguar se kjo do të ndodhë dhe u ka thënë Ensarëve – radijAllahu ‘anhum:

إِنَّكُمْ سَتَلْقَوْنَ بَعْدِي أَثَرَةً

“Pas meje, ju do të hasni në egoizëm...”

Që do të thotë: uzurpim ndaj jush.

فَاصْبِرُوا حَتَّى تَلْقَوْنِي عَلَى الْحَوْضِ

“Andaj, bëni durim derisa të më takoni tek Haudi.”

 

Dhe po ashtu ka thënë:

‏ مَنْ رَأَى مِنْ أَمِيرِهِ شَيْئًا يَكْرَهُهُ فَلْيَصْبِرْ

“Ai që shikon tek prijësi i tij diçka që e urren, le të bëjë durim.”

 

Po ashtu ka thënë:

إِذالَم يُؤَدّوا حَقَّ اللهِ فيكُم فَأَدّوا حَقَّ اللهِ لَهُم عَلَيْكُم، وَاصْبِروا عَلى ما فَرَقوا وحِسابُه عَلى اللهِ

“Nëse ata nuk i përmbushin të drejtat tuaja që ua ka dhënë Allahu, atëherë ju përmbushni të drejtat e tyre që Allahu ua ka dhënë. Bëni durim për përçarjen që ata e bëjnë dhe llogaria e tij (udhëheqësit) është tek Allahu i Madhëruar e i Lartësuar.”

 

Pa dyshim se ajo që e kundërshton udhëzimin e Pejgamberit – ‘alejhi salatu ue selam – është futja e urrejtjes në gjokse kundër udhëheqësve; e folura e cila shpie tek mëria dhe urrejtja e tyre. Sepse umeti Islam ndërtohet mbi dy lloj njerëzish: dijetarët dhe pushtetarët. Dhe ata janë udhëheqësit për të cilët Allahu i Lartësuar ka thënë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا أَطِيعُوا اللَّـهَ وَأَطِيعُوا الرَّسُولَ وَأُولِي الْأَمْرِ مِنكُمْ

“O ju që besoni, bindjuni Allahut dhe bindjuni të Dërguarit si dhe atyre që udhëheqin çështjet tuaja e që janë prej jush.” En-Nisa, 59

 

Mufesirët (komentatorët e Kuranit) dhe dijetarët kanë thënë se udhëheqësit nga mesi jonë janë: dijetarët dhe pushtetarët.

Dijetarët janë udhëheqësit e umetit me Sheriatin e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar.

Pushtetarët janë udhëheqësit e umetit me pushtetin (qeverisjen) e Allahut të Madhëruar e të Lartësuar.

Pra, sikur të mos kishte dijetarë dhe pushtetarë, njerëzit nuk do ta kishin këtë. Unë them: sikur njerëzit të mos kishin pushtetarë dhe dijetarë, umeti nuk do të ishte ngritur, ngaqë dijetarët i udhëheqin njerëzit me Sheriatin, kurse pushtetarët i udhëheqin njerëzit me qeverisjen dhe ekzekutimin. Kështu që, nëse dikush flet keq për pushtetarët dhe flet keq për dijetarët me atë që shpie tek armiqësimi dhe uljen e vlerës së tyre, atëherë umeti do të humbasë, sepse nuk do të ketë dijetarë fjalëve të të cilëve do t’ju zihet besë, kështu do të humbet Sheriati. Dhe umeti nuk do të ketë pushtetarë që do t’ju besojnë veprimeve të tyre, dhe kështu do të humbet siguria (në shtet).

Për këtë arsye, ne mendojmë se prej gabimit të rëndë është ajo që marrin përsipër disa njerëz, e që është e përfolura për dijetarët apo për pushtetarët, me fjalën pushtetarë kam për qëllim ata që i udhëheqin çështjet, çështjet e shtetit.

Nëse dikush sheh diçka tek ata që e kundërshton të cilën ai e sheh se është sheriatike, atëherë ai e ka detyrë që ta këshillojë. E nuk është detyrë që ai ta përhapë këtë sherr apo këtë kundërshtim. Le ta këshillojë me shkrimin e një letre, nëse nuk mundet, atëherë letra të shkruhet përmes atij që do t’ia japë atë përgjegjësve nga dijetarët dhe pushtetarët. Përndryshe, ne nuk dyshojmë se ka gabim nga dijetarët dhe se ka gabim nga ana e udhëheqësve, qofshin me qëllim apo pa qëllim, porse nuk shërohet një sëmundje duke sjellë një sëmundje më të madhe se e para dhe nuk hiqet një sherr duke sjellë një sherr më të madh se i pari, kurrsesi. Nuk do ta dëmtojë umetin Islam përveç se e folura keq për dijetarët dhe pushtetarët e tij.

Çfarë ishte ajo që i shtyu ta vrasin Uthmanin? Ishte e folura keq për të. Folën keq për të se ai gjoja i favorizon të afërmit e tij dhe se e bën kështu e ashtu. Kështu zemrat e njerëzve u mbushën kundër tij dhe kjo çoi në neveri dhe mllef, epshe dhe armiqësi, arriti puna derisa atje saqë e vranë në shtëpinë e tij.

Çfarë i shtyu të vrasin prijësin e besimtarëve – Alij ibën Ebi Talib? S’ka tjetër përveç se kësaj (e folura keq për të). Ata dolën në kryengritje kundër tij. Dhe thanë se ai e ka kundërshtuar Sheriatin dhe e shpallën atë qafir, si dhe i shpallën qafira Muslimanët që ishin me të. Dhe ndodhi ai sherr që ndodhi.

E kemi detyrë o ju vëllezër duke qenë se ne – lavdi Allahut – jemi në këtë vend, siç tha vëllai që pyeti, një vend që ka siguri dhe qetësi. Këtij shteti i vjen risku nga çdo vend dhe ky shtet është më i miri me aq sa dijmë, i cili zbaton Sheriatin. Kjo është një gjë që shihet me sy. Ne nuk themi se është e plotë qind për qind, jo! Ne kemi shumë mangësi. Ka padrejtësi dhe egoizëm. Por, nëse e krahason padrejtësinë me drejtësinë, do të shihje se ajo s’është asgjë fare. Jo pak, porse asgjë.

Pra, nëse themi se Mbretëria e Arabisë Saudite është dhjetëra milion, nuk mund të nxjerrësh një nga njëmijë që me të vërtetë i është bërë padrejtësi. Nuk mund të nxjerrim assesi.

Përderisa çështja është kështu, atëherë si mund të themi se padrejtësia është e përhapur gjithandej dhe është e shumtë. Kjo nuk është e vërtetë.

Njeriu e ka obligim që të shikojë me syrin e drejtësisë.

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُونُوا قَوَّامِينَ لِلَّـهِ شُهَدَاءَ بِالْقِسْطِ وَلَا يَجْرِمَنَّكُمْ شَنَآنُ قَوْمٍ عَلَىٰ أَلَّا تَعْدِلُوا

“O ju që besoni, bëhuni të qëndrueshëm për hir të Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju shtyjë mllefi dhe urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi.” El-Maideh, 8

 

“Shenaan” do të thotë urrejtje. Dhe “jexhrim” do të thotë të të shtyjë. Pra (ajeti) do të thotë: të mos ju shtyjë urrejtja që keni ndaj një populli që të mos jeni të drejtë.

 

اعْدِلُوا هُوَ أَقْرَبُ لِلتَّقْوَىٰ وَاتَّقُوا اللَّـهَ

“Bëhuni të drejtë, sepse kjo është më afër devotshmërisë dhe kini frikë Allahun.” El-Maideh, 8

 

Andaj, unë them: ne – lavdi Allahut – jemi në një vend që ka siguri dhe qetësi. Ky është nga vendet më të mira të Muslimanëve për zbatimin e Sheriatit. E kemi detyrë që të jemi të zellshëm për bashkim, aq sa kemi mundësi.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

Përktheu: Jeton Shasivari
6 Nëntor 2015