Bismilah...

Autor: Imam Abdul-Aziz ibën Baz

 

Pyetje: Cili është mendimi i hirësisë suaj në lidhje me qëndrimin që mbajnë shtetet Islame kundrejt agresionit që po bëhet ndaj Muslimanëve në Liban dhe në Palestinë, ku vriten gra, fëmijë, pleq dhe dëbohen nga vendet e tyre. A është ky qëndrim në pajtim me Sheriatin Islam?

 

Përgjigje: Pa dyshim se shtetet Islame e kanë obligim që ta ndihmojnë të vërtetën dhe t’i ndihmojnë Muslimanët kudo qofshin ata. Qofshin në Liban, Palestinë, Filipine, Afganistan apo gjetkë. Por parashtrohet pyetja se a kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë? Duke e ditur se këta (shtetet Islame) janë në këtë gjendje, të përçarë. Ata nuk mund ta arrijnë këtë vetëm se me bashkim, sinqeritet (sidk – duke qenë të sinqertë dhe besnikë me Allahun në fjalë dhe vepra, pastaj edhe me njerëzit, sh.p.) dhe bashkëpunim reciprok. Kjo përçarje që ekziston, mospajtimet në Akide dhe mos-zbatimi i Sheriatit nga shumica e këtyre shteteve, mu kjo është fatkeqësia e madhe që i ka bërë ata të përçahen me njëri-tjetrin.

Pra, sikur ata të ishin të sinqertë dhe besnik me Allahun dhe të kapeshin pas Sheriatit të Tij, Ai do t’u jepte fitore dhe do t’i përkrahte kundrejt armikut të tyre, dhe armiku i tyre do t’ua kishte frikën atyre, qofshin ata Amerikanë apo Rusë. Nëse Muslimanët do të bashkoheshin dhe të ishin të sinqertë e besnikë, atëherë ata (pabesimtarët) do t’ua jepnin të drejtat e tyre dhe nuk do t’i sulmonin ata.

Por kjo përçarje dhe kjo fatkeqësi në të cilën kanë rënë Muslimanët, është shkaku i poshtërimit dhe vërsuljes së armiqve mbi ata. Pa dyshim se ata janë mëkatarë për këtë përçarje. Ata e kanë detyrë që t’ia kenë frikën Allahut dhe të nxitojnë duke bërë përpjekje për ta larguar këtë përçarje dhe të bashkëpunojnë. Kush do që nxiton dhe përpiqet për këtë gjë, ai ka dy shpërblime nëse ia qëllon, dhe ai që gabon e nuk ia qëllon ka një shpërblim, nëse është i sinqertë në nijetin e tij.

Porse fatkeqësia është prishja e akides (së Muslimanëve). Shumë prej tyre nuk e kanë akiden e saktë e të drejtë që është në pajtim me Sheriatin e Allahut.

Prej Allahut kërkohet ndihmë.

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org

 

Përktheu: Jeton Shasivari