Autor: Imam  Muhamed Nasirudin El-Albani

Burimi: Fetaua Xhidde, nr. 25

 

 

Pyetësi thotë: Lexova në librin “Mënyra e agjërimit të Pejgamberit – sal-lAllahu ‘alejhi ue sel-lem – në Ramazan” me autor Selim El-Hilalin, se gruaja shtatzënë dhe gjidhënësja, nëse kanë frikë për vetet e tyre ose për fëmijët e tyre, nuk agjërojnë dhe ushqejnë për çdo ditë një të varfër dhe nuk është obligim për të kompensimi i ditëve. Pra, a është e saktë kjo thënie? Shpresojmë në një sqarim.

Përgjigje: Nuk është obligim për të kompensimi i ditëve, por ajo që është obligim është ushqyerja e një të varfëri për çdo ditë. Kjo është përgjigja e saktë. Ndërsa kushti i përmendur me lart, nëse shtatzëna ose gjidhënësja ka frikë për veten e saj apo për fëmijën, ky kusht është ixhtihad i disa prej dijetarëve, por që nuk përfshihet në të shtatëzëna apo gjidhënësja, sepse Pejgamberi – sal-lAllahu ‘alejhi ue aalihi ue sel-lem – ka thënë:

إن الله - تبارك وتعالى- قد وضع الصيام عن الحامل والمرضع

“Me të vërtetë, Allahu Tebaareke ue Te’ala, e ka hequr agjërimin prej shtatzënës dhe gjidhënëses.”

Më pas Ibn Abbasi ka thënë në tefsirin e thënies së Allahut:

فَمَن كَانَ مِنكُم مَّرِيضَاً أَوْ عَلَى سَفَرٍ فَعِدَّةٌ مِّنْ أَيَّامٍ أُخَرٍ وَعَلَى الَّذِينَ يُطِيقُونَهُ فِدْيَةٌ طَعَامُ مِسْكِين

“Nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” El-Bekareh, 184

Ka thënë Ibn Abbasi – radijAllahu anhuma –: “Shtatzëna dhe gjidhënësja kanë obligim ushqyerjen.” Pra, nuk gjendet aty kushti i lartpërmendur, pra që shtatzëna apo gjidhënësja të ketë frikë për veten apo për fëmijën.

 Përmbledhje e përgjigjes: I lejohet çdo shtatzëne dhe gjidhënëseje të mos agjërojë dhe të ushqejë për çdo ditë një të varfër, dhe nuk ka kompensim tjetër për të përveç kësaj (d.m.th. ushqyerjes për çdo ditë e një të varfëri).

 

Përktheu: Umm 'Akil

 

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org