Bismilah...

Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit

(Nata e Kadrit-2)

 

Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë, salavatet dhe selamet qofshin mbi më të nderuarin e Pejgamberëve dhe të Dërguarëve, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij, më pas:

Të nderuar vëllezër dhe motra ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu!

Në këtë takim do të flasim për Natën e Kadrit. Në takimin e kaluar folëm për disa prej virtyteve të saj dhe folëm pak për pozitën që ka ajo. Kjo natë është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Pasi që argumentet kanë treguar që ajo është në Ramazan, ku Zoti ynë, i Pastërti nga të metat e i Lartësuari, ka thënë:

إِنَّا أَنزَلْنَاهُ فِي لَيْلَةِ الْقَدْرِ

"Me të vërtetë që Ne e kemi zbritur atë (Kur'anin) në natën e Kadrit!" [El-Kadr, 1]

Dhe thotë:

شَهْرُ رَمَضَانَ الَّذِي أُنزِلَ فِيهِ الْقُرْآنُ

"Muaji i Ramazanit është ai në të cilin ka zbritur Kur'ani!" [El-Bekareh, 185]

Ndërsa hadithet e Pejgamberit tonë - sal-lAllahu alejhi ue sel-lem - tregojnë se ajo është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit, kështu që ne e mësuam se ajo është në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit. Ai që angazhohet në të gjitha dhjetë ditët e fundit, e ka arritur natën e Kadrit dhe e ka arritur vlerën e saj, e diti apo nuk e diti se cila ishte nata e Kadrit.

Kështu që, nuk është kusht për arritjen e mirësisë së saj që njeriu ta dijë se në cilën natë është ajo, por kusht është që ai të angazhohet me sinqeritet për Allahun, duke besuar dhe duke shpresuar shpërblim. Prandaj, ai që është angazhuar në të gjithë dhjetëditëshin e fundit, e ka arritur vlerën e saj, e ka përfituar mirësinë e saj dhe është nderuar me nderimin e saj.

Nëse njeriu ka dobësi, atëherë le të angazhohet në shtatëditëshin e fundit të Ramazanit, dhe le ta kërkojë natën e Kadrit në këto ditë. E nëse ka dobësi përsëri, le të angazhohet në netët tek të shtatëditëshit të fundit të Ramazanit; angazhohet në këto ditë dhe e kërkon natën e Kadrit në to. Nëse njeriu dobësohet për shkak të ndonjë pune, apo ndjen dobësi, e të tjera si këto, atëherë le ta kërkojë  natën e Kadrit në natën e njëzetë e tretë, natën e njëzet e pestë dhe në natën e njëzet e shtatë. E nëse ndjenë dobësi edhe në këto tre netë, atëherë le ta kërkojë në natën e njëzet e tretë dhe në natën e njëzet e shtatë. E nëse ndjenë dobësi edhe në këto të dyja, atëherë le ta kërkojë atë në natën e njëzet e shtatë! Ky është bashkimi që u bëhet argumenteve të cilat janë transmetuar në sqarimin e vlerave të natës së Kadrit dhe se në cilën natë është ajo.

E kemi për detyrë ne, o ju që ju dua për hir të Allahut, që ta kërkojmë vlerën e kësaj nate dhe të mos i humbim shpresat për arritjen e mirësisë për shkak të kalimit të netëve tjera dhe as të mos mashtrohemi me fjalët që thonë disa njerëz. Përkundrazi, duhet të angazhohemi deri në natën e fundit të Ramazanit.

Allahu i Lartësuar është më i Larti dhe më i Dituri. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë!

 

Përktheu: Servet Mata

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org