Bismilah...

 Autor: Sulejman bin Selimullah er-Ruhejli

Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit 

(Ndarja me Ramazanin)

 

Lavdia dhe falënderimet i takojnë vetëm Allahut, Zotit të gjithësisë, salavatet dhe selamet më të plota, më të përsosura qofshin mbi atë që është dërguar si mëshirë për njerëzimin, mbi familjen dhe të gjithë shokët e tij, më pas:

Të nderuar vëllezër dhe motra ju them: Esselamu alejkum ue rahmetull-Llahi ue berekatuHu! 

 

Ja ku po ndahemi me muajin e Ramazanit dhe erdhi çasti që zemra të frikësohet dhe sytë të lotojnë. Ne ndahemi nga ditët e vyera dhe Allahu e di a do të kthehemi prapë apo vdekja do të na zë përpara se të kthehemi në ditët e Ramazanit tjetër. E lusim Allahun - 'Azze ue Xhel -që të na e zgjasë jetën duke bërë vepra të mira dhe të na bëjë që ta përjetojmë Ramazanin për shumë vite dhe shumë kohë duke qenë në mirësi, begati dhe shumëfishim të veprave të mira!

 

O ju që Ramazanin e agjëruat dhe në netët e tij u falët! O ju që me gjuhët tuaja Allahun e përkujtuat dhe me zemrat tuaja Allahun e falënderuat! Ja, ju po e mbyllni ‘faqen’ e Ramazanit, si do të jetë vendosmëria juaj pas muajit të Ramazanit? A do të jeni të qëndrueshëm në hajr ndërkohë që e keni shijuar kënaqësinë e imanit? E ky është mendimi që duhet pasur për ju. Apo në të kundërtën, Allahu na ruajtë, do t'i përgjigjeni shejtanit dhe do t'i kundërshtoni të mirat që i bënit duke i shtuar veprat e këqija dhe duke u bërë padrejtësi njerëzve! Padrejtësia ndaj njerëzve siç janë sharja, ofendimi dhe ngrënia e pasurisë së tyre me pa të drejtë, ia humb njeriut veprat e mira! 

 

I falimentuar Ditën e Gjykimit është ai që vjen me adhurime dhe mirësi, siç janë namazi, agjërimi dhe veprat e tjera, por ai i ka bërë padrejtësi dikujt, e ka ofenduar dikë, ka derdhur gjakun e dikujt tjetër. Kështu që, armiqtë e tij vijnë dhe marrin prej sevapeve të tij derisa i mbarojnë të gjitha sevapet dhe nuk ka çfarë të japë më, atëherë merren gjunahet e atyre që u ka bërë padrejtësi dhe i jepen këtij. Kështu ai hidhet në Zjarr, Allahu na ruajtë! 

 

O vëllezërit e mi! Këshilla ime për veten time dhe vëllezërit e mi është që t'i frikësohemi Allahut - 'Azze ue Xhel - në ditët që na kanë mbetur, ta adhurojmë Zotin tonë, sepse Zoti ynë është Ai që e do devotshmërinë në Ramazan dhe e do edhe në çdo kohë tjetër. 

 

"Adhuroje Zotin tënd derisa të të vijë ty e sigurta (vdekja)!" [El-Hixhr, 99]

 

E lus Allahun - 'Azze ue Xhel - që të na bëjë neve prej atyre që bëjnë vepra të mira dhe u pranohen; të na bëjë neve prej atyre që Allahu u ka shkruar mirësinë, fitoren dhe lumturinë në dunja dhe ahiret dhe të na e shtojë jetën tonë në devotshmëri si dhe të mos e bëjë këtë takimin e fundit me Ramazanin! 

 

Allahu i Lartësuar është më i Larti dhe më i Dituri. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Pejgamberin tonë! 

Përktheu: Servet Mata

Kliko këtu për të parë videon në AudioSelefi.org