Bismilah...

Autor: Shejkh Abdur-Razzak el-Bedër

Burimi: Mukhtesar Fikh el-Esmaa el-Husnaa, fq.8

 

Emri Allah (اللَّهُ)

Ky është një emër madhështor, ndër emrat e bukur të Allahut. Ai është emri që është përmendur më shumë në Kuranin Fisnik, ngaqë është përmendur në Kuran më shumë se njëmijë e dyqind herë, e asnjë emër tjetër nuk është përmendur kaq shumë herë. Allahu i Madhëruar e i Lartësuar ka filluar me këtë emër tridhjetë e tre ajete.

Disa dijetarë kanë thënë se ai është emri më i madh i Allahut, me të cilin po iu lute, Ai të përgjigjet, e nëse i kërkon duke iu drejtuar me atë emër, Ai të jep.

Ky emër ka disa veçori me të cilat dallohet, prej të cilave:

Se ai është baza e të gjitha emrave të tjerë të bukur të Allahut, e të gjithë emrat e tjerë i bashkëngjiten këtij emri. Ka thënë Allahu i Lartësuar:

﴿وَلِلَّهِ الْأَسْمَاءُ الْحُسْنَى فَادْعُوهُ بِهَا

Të Allahut janë emrat më të bukur, andaj lutjuni Atij duke iu drejtuar me ato emra.”  [el-E’araf, 180]

Se ai përmban të gjitha kuptimet e emrave të bukur, është tregues i tyre në mënyrë të përgjithshme, kurse vetë emrat e bukur të Allahut mbartin në mënyrë të detajuar kuptimet e tyre dhe sqarojnë cilësitë hyjnore, të cilat janë cilësi të fisnikërisë, përsosmërisë dhe madhështisë. Pra, Allah është emri tek i cili kthehen të gjithë emrat e tjerë të bukur të Allahut dhe është boshti i kuptimeve të tyre.

Fjala më përmbledhëse dhe më e bukur që është thënë për kuptimin e emrit Allah, është fjala e cila është transmetuar nga Ibën ‘Abbasi – radijAllahu ‘anhuma – se ai ka thënë: “Allahu është Ai që ka veçorinë e të qënurit i adhuruar dhe ka të drejtën që të adhurohet, mbi të gjitha krijesat e Tij.” [E ka transmetuar Ibën Xheriri në Tefsirin e tij.]

Domethënë: Ai që ka cilësitë e fisnikërisë, përsosmërisë dhe madhështisë, për shkak të të cilave Ai meriton që të jetë i adhuruari me hak dhe meriton që të veçohet nga çdo gjë tjetër duke u përulur, nënshtruar dhe dorëzuar para Atij.

 

Përktheu: Alban Malaj